Banorët e komunitetit ashkali në fshatin Hallaq i Vogël në Komunën e Lipjanit, po ankohen se disa kompani transportuese me automjete të rënda mbi 20 tonë, po ua dëmtojnë rrugët lokale, ndërkohë, komuna nuk po merr masa për parandalimin e tyre.
Sipas banorëve disa kompani private brenda 10 ditëve kanë bartur mbi 3 mijë kamionë me zhavorr përgjatë rrugëve të tyre me peshë prej 20 tonë, ndërkohë një gjë e tillë po vazhdon edhe gjatë së enjtes.
Sipas banorëve kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar nga drejtoria për Shërbime Publike që të vendosin një tabelë në hyrje të fshatit për parandalimin e automjeteve të rënda transportuese.
Liman Ramadani, banor në lagjen “Nadire Buzuku” ka kritikuar institucionet komunale për mos shqyrtim të ankesave për mbrojtjen e rrugëve lokale.
“I kemi thirrur inspektoratin dhe kemi bërë ankesa se rrugët lokale po dëmtohen nga disa kamion të kompanive të cilët po bartin zhavorr me nga 20 tonë përgjatë rrugëve tona lokale. Kjo është e pa pranueshme sepse rrugët janë degraduar qe 10 ditë dhe po vazhdojnë edhe tani. Ne kërkojmë nga komuna që ta ruan asfaltin dhe t’ia kufizon këtyre automjeteve ngarkesën e zhavorrit sepse rrugët tona nuk i përballojnë më shumë se 7 tonë ngarkesë”, është ankuar Ramadani.
Ai shpjegon se disa vjet më parë komuna e ka asfaltuar këtë rrugë pas shumë përpjekjeve dhe kërkesave të banorëve, andaj sipas tij duhet të merren masa për mbrojtjen e pasurisë publike.
Në anën tjetër drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit Burim Rrustemi, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS dhe nuk është përgjigjur as në telefon.
Ndërkohë, KOHA ka kontaktuar me drejtorin e inspektoratit, Flamur Sylejmani, i cili ka shpjeguar se inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pas ankesave të qytetarëve, mirëpo sipas tij në atë fshat mungojnë tabelat e komunikacionit të cilat e parandalojnë qarkullimin e automjeteve transportuese me pesha të rënda.
“Ne kemi dalë në terren dhe e kemi parë gjendjen, ndërkohë aty mundojnë tabelat që e përcakton ngarkesën ose qarkullimin e automjeteve, prandaj nuk kemi të drejtë ligjore t’ia ndalojmë qarkullimin. Sidoqoftë, këtë çështje e kemi ngritur edhe me Shërbimet Publike dhe po presim se çfarë hapa t’i marrim. Ndërkohë, inspektorët edhe gjatë ditës së sotme (e enjte) do t’i dërgojmë në terren lidhur me këtë çështje”, ka sqaruar Sylejmani.