Arbëri

Banorët e Stagovës ankohen për degradim rrugësh nga kompanitë gjatë ndërtimit të hekurudhës

Banorët e fshatit Stagovë të Kaçanikut prej disa muajsh po ankohen se një kompani e kontraktuar nga “INFRAKOS”-i për rehabilitimin e hekurudhës që kalon nëpër këtë fshat, po dëmton rrugët lokale duke qarkulluar me makineri të rënda. Banorët kishin ndarë mjete të tyre për asfaltimin e rrugëve lokale disa vjet më parë,

Njëri nga banorët e këtij fshati, njëherësh kuvendar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Mani, ka kritikuar institucionet përkatëse të cilat nuk po dalin në terren për ta parë degradimin e rrugëve në Stagovë. Sipas tij, Komuna duhet të angazhojë inspektorët lokalë për t’ia ndaluar qarkullimin me makineri të rënda kompanive të ndryshme pa e bërë ndonjë marrëveshje paraprake për kthimin e gjendjes së mëparshme të rrugëve lokale.

“Punëkryesi që po i kryen punimet për rregullimin e hekurudhës në fshatin Stagovë, ka dëmtuar në masë të madhe rrugën lokale, që nis nga varrezat e dëshmorëve e deri tek objekti i shkollës. Pra, mbingarkesa me automjete të rënda ka degraduar rrugët lokale, andaj gati është bërë e pakalueshme në disa pjesë. Banorët e këtij fshati kemi participuar për asfaltimin e këtyre rrugëve mbi 60 mijë euro disa vjet më parë. Prandaj është shqetësuese që rruga të dëmtohet dhe mos të marrë askush përgjegjësi”, ka thënë Mani.

Sipas tij, në të kaluarën ka qenë një nënkalim te hekurudha në mënyrë që qytetarët t’i punojnë parcelat bujqësore, ndërkohë ai nënkalim është mbyllur dhe fshati është ndarë në dy pjesë.

“Kërkojmë që të insistohet që të hapet nënkalimi sepse po ndahet fshati për gjysmë dhe po ashtu edhe nxënësit për të shkuar në shkollë duhet të udhëtojnë mbi 3 kilometra më shumë për ta kaluar hekurudhën, shkaku i mungesës së nënkalimit. Pra shqetësimi i qytetarëve për këtë punë është adresuar edhe me peticion tek organet kompetente, andaj kërkojmë nga Komuna që t’i dërgojë inspektorët në vendin e ngjarjes dhe të merren me kompaninë për ngarkesat e mëdha të makinerive të cilat po e degradojnë rrugën”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër “INFRAKOS”-i nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështjeje. I paqasshëm ka qenë edhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.