Me gropa dhe shufra metali të nxjerra jashtë. Kjo është rruga “Mikel Marubi”në lagjen “Vneshta” të Prishtinës, të cilën banorët e shfrytëzojnë në këtë gjendje tash e disa vjet.
Gjendja e rëndë e saj po ua vështirëson qarkullimin banorëve. Shoferët ankohen për prishje të shpeshta të automjeteve, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Ndërsa, këmbësorët thonë se shpesh lëndojnë këmbët si pasojë e rrugës me gurë.
Lëvizjen në këtë rrugë e ka të vështirë edhe Nazmi Koprani, sa herë që ka punë me karrocën e tij.
Ai thotë se kjo rrugë është shtruar para 70-80 viteve dhe prej asaj kohe nuk është investuar në të.
Lëvizja nëpër këtë rrugë, sipas banorëve, bëhet edhe më e vështirë gjatë dimrit.
Drejtori për Investime Kapitale në Komunë, Gëzim Mehmeti, konfirmon se asfaltimi i rrugës do të fillojë këtë javë, pasi për të tashmë është nënshkruar kontrata.
Afati për përfundimin e rregullimit të rrugës është 90 ditë pune.