“Pas të gjitha diskutimeve, kishte konsensus të plotë dhe ishte propozim i të gjitha partive politike apo liderëve të partive të komuniteteve joshumicë, joserbe. Propozim i tyre ishte i qartë, që të shkohet në votim në pako, pra në pako të votohet për pesë nënkryetarët. Ka pasur konsensus për raportin, kryetarin/en, ka pasur konsensus të votohet në pako për të pesë nënkryetarët. Pritet themelimi i institucioneve shumë shpejt, pastaj të vazhdohet edhe me votimin e qeverisë dhe pastaj sigurisht, siç e dini, na pret votimi i buxhetit, i marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat e kanë një afat”, ka thënë kryetari i legjislaturës së shkuar të Kuvendit, Dimal Basha, pas mbledhjes së Kryesisë
Kryetari i legjislaturës së shkuar të Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se përfaqësues të partive parlamentare janë dakorduar që në seancën konstituive, të thirrur për të mërkurën, pesë nënkryetarët të votohen në pako.
Këtë ai e ka thënë pas takimit të zhvilluar me përfaqësues të partive në përgatitje të seancës, të cilën presidentja Vjosa Osmani e ka thirrur për të mërkurën nga ora 12:00. Por ora e nisjes është ndryshuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me kërkesë të Partisë Demokratike (PDK), pasi që në Hagë do të shpalosen deklaratat përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Liderët e subjekteve politike kanë pranuar që mbledhja e seancës konstituive të mbahet në ora 17:00, dhe pastaj të vazhdohet me votimin e Qeverisë”, ka thënë Basha.
Ai ka thënë se gjatë takimit ka pasur konsensus për të gjitha pikat e rendit të ditës që ndërlidhen me konstituim ndërsa ka paralajmëruar se institucionet do të themelohen shumë shpejt.
“Pas të gjitha diskutimeve, kishte konsensus të plotë dhe ishte propozim i të gjitha partive politike apo liderëve të partive të komuniteteve joshumicë, joserbe. Propozim i tyre ishte i qartë, që të shkohet në votim në pako, pra në pako të votohet për pesë nënkryetarët. Ka pasur konsensus për raportin, kryetarin/en, ka pasur konsensus të votohet në pako për të pesë nënkryetarët. Pritet themelimi i institucioneve shumë shpejt, pastaj të vazhdohet edhe me votimin e qeverisë dhe pastaj sigurisht, siç e dini, na pret votimi i buxhetit, i marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat e kanë një afat”, ka thënë Basha pas mbledhjes së Kryesisë.
Çështja e nënkryetarit serb ka qenë një pjesë e bllokadës institucionale që ka zgjatur për gati 12 muaj vitin e shkuar. Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) kanë insistuar që nënkryetari të mos jetë nga Lista Serbe, parti kjo e serbëve të Kosovës që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Përfundimisht, si nënkryetar u pati votuar Nenad Rashiqi me votat e Lidhjes Demokratike (LDK).
Lidhur me këtë çështje, në një vendim të ditëve më parë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se është bërë shkelje kur në këtë post është zgjedhur Rashiqi, i cili është propozuar nëpërmjet shortit pasi të propozuarit e Listës Serbe nuk arritën t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme.
Kushtetuesja ka vendosur se të drejtën e propozimit për nënkryetar e kanë shumica e deputetëve të komunitetit serb, që edhe në këtë legjislaturë janë nëntë deputetët e Listës Serbe. Vendimi është kritikuar nga LVV-ja e Albin Kurtit.
LVV pret formim të shpejtë të institucioneve
Në LVV kanë paralajmëruar të martën se do ta respektojnë vendimin e Kushtetuese rreth zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Nënkryetari i kësaj partie, njëherësh ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se pret që përveç konstituimit të Kuvendit, të mërkurën të formohet edhe Qeveria.
“Ne kurrë nuk i kemi refuzuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Deri tash vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje, ato natyrisht kanë qenë beteja politike, por kur i ka dhënë vulë Gjykata Kushtetuese siç ishte rasti për shembull në vitin 2014 kur tha që ju nuk mundeni me bë shumicën, shumicën duhet ta bëjë vetëm fituesi i zgjedhjeve, ne u tërhoqëm dhe vazhduam sipas opinionit të Gjykatës”, ka theksuar ai.
E se si do të veprohet në seancën e parë të legjislaturës së dhjetë, nuk ka treguar kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Nesër do t’i përgjigjemi obligimit për seancë konstituive dhe besoj që do të shkojë mbarë e mirë gjithçka”, ka thënë ai.
Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. Pas saj, forcë e dytë në Kuvend me 22 mandate të siguruara është Partia Demokratike (PDK), e cila ka fituar 20.19 për qind të votave. Lidhja Demokratike (LDK) është e treta me 13.24 për qind të votave të fituara dhe 15 ulëse të siguruara në Kuvend, e pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.50 për qind të votave, apo gjashtë mandate.
Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Procesi i certifikimit të rezultatit elektoral është zvarritur për shkak të nevojës për rinumërim të të gjitha votave të këtij procesi, pasi që ka pasur dyshime për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë.
Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, qindra të tjerë janë intervistuar nën dyshimet për manipulim të votave ndërsa proceset hetimore dhe gjyqësore pritet të vazhdojnë. Votat për parti nuk janë cenuar.
Me t’u përmbyllur çështja e konstitutimit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re. Presidentja duhet të mandatojë për kryeministër dikë nga partia fituese, në këtë rast LVV-ja.
Sipas ligjeve, i mandatuari ka 15 ditë kohë që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit dhe të kërkojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve. Për dallim nga hera e kaluar, Kurti pritet të mos ketë vështirësi për t’i bërë numrat për Qeverinë, pasi vetëm partia e tij ka fituar 57 ulëse në Kuvend, dhe Basha paralajmëroi se seanca për ekzekutivin do të mbahet po më 11 shkurt.
Çështja e presidentit
Krahas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë së re, deputetët kanë edhe një detyrë tjetër përpara: zgjedhjen e presidentit të ri.
Presidenti i ri duhet të votohet deri më 4 mars – data e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Presidentja Osmani ka mandat deri më 4 prill, porse presidenti i ri nuk mund të zgjidhet më vonë se 30 ditë para kësaj date. Osmani ka shprehur synimin që të jetë në krye të shtetit edhe për një mandat pesëvjeçar. Megjithëkëtë, mbetet e paqartë nëse ajo do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme.
Osmani është kritikuar disa herë gjatë mandatit të saj se ka mbajtur anë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, në fund të dhjetorit, ajo ka thënë që në rast se nuk e fiton edhe një mandat, atëherë do t’i kthehet angazhimit politik, pa treguar se me cilën parti.
E kryetari i LVV-së ka thënë për mediat ditë më parë se ka biseduar me Osmanin për çështjen e presidentit, por që, sipas tij, duhet të ekzistojë një raport i ri me partitë në opozitë për çështjen e kreut të ri të shtetit.
Në bazë të Kushtetutës, presidenti i ri zgjidhet nëpërmjet votimit të fshehtë dhe kushdo që dëshiron të garojë duhet t'i mbledhë nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve. Udhëheqësi i shtetit zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, por nëse në këto dy votime nuk ka numra të mjaftueshëm, atëherë në rundin e tretë zgjidhet ai kandidat që merr shumicën e votave të deputetëve.
Në rast se dështon zgjedhja e presidentit, me automatizëm shpallen zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.