Bashkimi Evropian, ndonëse nuk komenton çështjet dhe procedurat e brendshme në Kosovë, sikurse as në ndonjë vend tjetër partner, vlerëson se është në interes të Kosovës që sa më parë të formojë institucionet e saj. Këtë e tha të enjten Guillaume Mercier, zëdhënës i BE-së për çështje të zgjerimit, duke u përgjigjur në pyetjet nëse dështimi i katërt me radhë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës ka pasoja në raportet e Kosovës me BE-në.
“Ne nuk do të komentojmë çështjet e brendshme të Kosovës, sikurse nuk i komentojmë as për cilindo vend tjetër partner. Ajo që mund të them është se gjithsesi është në interes të Kosovës që të formojë shpejt institucionet e saj. Kjo është e rëndësishme për arritjen e reformave evropiane dhe për të lëvizur përpara në këtë rrugëtim“, ka thënë ai.
Ai ka nënvizuar edhe rëndësinë që kjo ka për përfitimet e Kosovës nga Plani i Rritjes i BE-së.
“Është e rëndësishme edhe për çështje të tjera siç është Plani i rritjes. Siç e dini, na duhet që të kemi Kuvendin e Kosovës të konstituar në mënyrë që të vazhdojmë punën në këtë drejtim po ashtu“, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.
Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që kishte arritur ta ketë të miratuar Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave. Por nuk mund të përfitojë pagesat e para nga ky plan pa e ratifikuar në Kuvend marrëveshjen për mjetet dhe kredinë me Bashkimin Evropian. Pasi për Kosovën kjo marrëveshje ka karakterin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ajo në Kuvend duhet të ratifikohet me dy të tretat e votave. Prandaj nuk është reale që Kosova të marrë së shpejti pagesën e parë nga kjo paketë e rritjes.
Në anën tjetër, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tashmë i kanë marrë pagesat e para nga BE-ja dhe së shpejti pritet që Komisioni t’i kryejë pagesat e tilla edhe për Malin e Zi dhe Serbinë.
Ndonëse zyrtarisht në BE nuk hezitojnë të thonë më shumë për procedurat e brendshme në Kosovë, disa diplomatë evropianë druajnë se zvarritja në formimin e institucioneve stabile pas zgjedhjeve do të mund të lërë pasoja në rrugëtimin evropian të Kosovës dhe në proceset tjera ndërkombëtare në të cilat Kosova është e përfshirë.