Arbëri

BE-ja pa reagim për shkrirjen e strukturave paralele serbe në sistemin e Kosovës

Nisma e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për integrimin gradual të strukturave paralele serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës, nuk ka marrë reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it. Sipas korrespondentit të KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, BE-ja po pret të shohë se si do të veprojë Qeveria e Kosovës dhe nëse ky proces do të lidhet me hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Diplomatët perëndimorë, megjithëse e kanë mirëpritur zotimin e Kurtit se procesi do të zhvillohet në koordinim me BE-në, mbeten të rezervuar derisa të qartësohet qasja e Qeverisë ndaj obligimeve që dalin nga dialogu Kosovë–Serbi. BE-ja ka theksuar më herët se mbyllja e strukturave paralele nuk duhet të bëhet në mënyrë të njëanshme dhe se çështjet e shëndetësisë dhe arsimit janë veçanërisht të ndjeshme për komunitetin serb.

Sipas Palokajt, në qëndrimet e mëparshme, BE-ja e ka lidhur shuarjen e këtyre strukturave me krijimin e Asociacionit, i cili do të merrte disa përgjegjësi në këto fusha. Për këtë arsye, Brukseli është treguar i kujdesshëm dhe ka shmangur deklarimet publike të drejtpërdrejta lidhur me këtë iniciativë të Qeverisë së Kosovës.

“Në njërën anë, diplomatët me të cilët kemi kontaktuar kanë thënë se ata mirëpresin paralajmërimet e zotit Kurti se gjithçka do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian. Por, në anën tjetër, po ashtu thonë se duhet të presin të shohin se çfarë qëndrimi dhe çfarë qasje do të ketë Qeveria e Kosovës ndaj detyrimeve të Kosovës për të nisur themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Palokaj.

Nga ana tjetër, analisti politik Arben Qirezi vlerëson se iniciativa e Kurtit është në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit dhe nuk cenon interesat e serbëve lokalë. Ai thekson se integrimi do t’u mundësonte serbëve autonomi të gjerë brenda kornizës kushtetuese të Kosovës, por nënvizon se procesi duhet të zhvillohet në koordinim të ngushtë me BE-në dhe SHBA-në.

“Iniciativa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për t’i shkrirë institucionet arsimore dhe shëndetësore të Serbisë në Kosovë është plotësisht në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit që parashikojnë njohjen de fakto të Kosovës nga Serbia. Me këtë shkrirje, serbët nuk do të humbasin asgjë. Përkundrazi, do ta jetësonin autonominë e gjerë që ua mundëson Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës. Megjithëkëtë, kjo shkrirje duhet bërë në koordinim me BE-në dhe SHBA-në”, ka thënë Qirezi.

Ndërkohë, autoritetet në Serbi e kanë kundërshtuar ashpër këtë plan, duke e cilësuar si veprim të njëanshëm dhe përshkallëzues. Institucionet paralele serbe në Kosovë, të financuara nga Serbia, vazhdojnë të funksionojnë ilegalisht, ndërsa mbyllja e disa prej tyre në mandatin e kaluar të Qeverisë ka shkaktuar tensione me faktorin ndërkombëtar.