Arbëri

BE-ja premton mbështeje për Kosovën në efiçiencën e energjisë

Mbështetje për Kosovën kanë premtuar zyrtarët e BE-së në sektorin e energjisë efiçiente. Në ceremoninë e përurimit të projektit të termoizolimit, ngrohjes dhe ndriçimit led në Shkollën “Shaban Shala” në Podujevë, i cili është investuar nga fondi për efiçiencë të energjisë, është bërë edhe njëherë thirrje për kursim të energjisë.

Annacarin Palton, zëvendësshefe e zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se investimi në energji efiçiente mbetet prioritet për BE-në.

“Dua të falënderoj të gjithë që po marrin pjesë në përfundimin e këtij projekti që kemi investuar e që mundëson përmirësimin e jetës së nxënësve. Efiçienca e energjisë është prioritet dhe për këtë ne e mbështesim Kosovën. Ky investim nuk ka ndikim vetëm tek ata që është investuar direkt, por ndikon edhe në dekarbonzim dhe ka benefite për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, ka theksuar Annacarin Palton.

Sipas saj, BE-ja ka ndarë 30 milionë euro për energji efiçente për të mundësuar investime në ndërtesat publike.

Edhe zëvendësdrejtoresha e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Elene Imnadze, ka thënë se projektet e tilla kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës dhe kursimin energjisë.

“Jam e lumtur që bashkë me BE-në dhe Fondin e Kosovës për Energji Efiçente po mundësojmë investime në këtë projekt ku përfshin investime në shkolla, ndërtesa publike. Shkolla tash plotëson kushte për mësim dhe investimi kontribuon në cilësinë e mësimit. Projekte e tilla kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës dhe kursimin energjisë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me Qeverinë, tashmë edhe kur është miratuar Strategjia për Energjinë, e që do të kontribuojnë në zbatimin e agjendës së gjelbër”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se investimi në Shkollën

“Shaban Shala” nuk është i vetmi institucion që ka përfituar nga fondi për efiçiencë të energjisë.

“Kjo është në grupin e katër shkollave të cilat kanë fitua dhe një rruge që është investua në efiçiencë të ernergjisë. Krejt këto kapin shumën e përafërsisht 800 mijë euro, të cilat janë jashtëzakonisht të mirëseardhura për ne e veçanërisht për këta nxënës dhe mësimdhënës, të cilët tash e tutje do ta kenë një objekt më të ngrohtë dhe i cili i plotëson kushtet më të mira për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e procesit mësimor”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli, ka thënë se realizimi i këtij projketi ka ndikuar edhe në krijimin e një mjedisi më të mirë për nxënësit e mësimdhënësit e kësaj shkolle.

“Sot përuruam masat e investimit në efiçiencë të energjisë që janë bërë në këtë shkollë dhe kjo është vetëm një nga objektet në pronësi publike, ku në bashkëpunim me komunën dhe me financim nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës janë bërë investime në efiçiencë. Ne pamë për së afërmi në investimet që janë bërë në termoizolimin e jashtëm, ndërrimin e dritareve, vendosjen e kaldajës së re e cila për më tepër ishte e prodhuar në Kosovë”, ka theksuar Rizvanolli. “Dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, pamë që përveç kursimeve sa i përket nevojës për energji dhe kostos së energjisë, fëmijët këtu dhe personeli u shprehen se tanimë shkolla është shumë më e ngrohtë dhe shumë më e rehatshme gjatë muajve të dimrit. Dhe kjo është më e rëndësishme dhe kjo është çka na bën të lumtur, t’i shohim rezultatet direkte të punës së përbashkët të të gjithëve”.

Ndërkohë, drejtori i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ahmet Ismajli, ka thënë se investimi në këtë shkollë do të kursejë deri në 74 për qind të energjisë.

“Ne sot përuruam investimet e bëra në Shkollën ‘Shaban Shala’ nga fondi i efiçiencës së energjisë e financuar nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës. Investimi këtu e kalon shumën e 230 mijë eurove dhe përfitues të drejtëpërdrejtë janë mbi 1200 nxënës dhe 60 personel i shkollës. Masat që janë marrë këtu do të kursejnë energjinë më shumë se 74 për qind. Projekte të tilla janë duke u realizuar diku 70 në gjithë Kosovës dhe presim që të kemi kursim të energjisë së paku 65 për qind në niel të Kosovës”, ka thënë ai.

Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë thënë se vlera e investimit në shkollën “Shaban Shala” është 230 mijë euro, ku përfshin; izolimin termik të objektit, ngrohjen me kalldajë, ndriçimin led, dritaret me xhama treshtresorë. Sipas tyre, investime të tilla janë bërë edhe në shkollat “Luigj Gurakuqi” në Gërdoc, “Shefki Kuleta” në Bellopojë dhe në ndriçimin efiçient në rrugën “Hakif Zejnullahu”, ndërsa në shkollën “Enver Maloku” kanë filluar punimet e përmbyllen vitin e ardhshëm. Vlera totale e investimeve në projektet në masat e efiçiencës së energjisë janë rreth 800 mijë euro.