Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bëhet thirrje për më shumë rezultate në hetimet për krime lufte

Pallati i Drejtësisë

Në dosjen e Prokurorisë Speciale për masakrën e Reçakut flitet për prezencën e njërit nga pesë të dyshuarit që evidentohet nga pamjet në të cilat vërehen policë të Serbisë të cilët flasin me një të moshuar të frikësuar shqiptar. Të dielën në kuadër të hetimit të prokurorisë u arrestuan pesë persona lidhur me këtë masakër. Amer Alija, eksperti ligjor i Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë se institucionet duhet t’i shtojnë rezultatet, siç thekson, për ta zënë trenin e fundit për t’i trajtuar krimet e luftës

Një nga serbët që është në paraburgim nën dyshimet për pjesëmarrje në krime lufte në ditën kur ndodhi masakra e Reçakut, dyshohet se e kërcënoni një banor të moshuar të fshatit që e gjetën në shtëpi.

Siç bëhet e ditur nga dosja e Prokurorisë Speciale, dyshohet se Stanko Saviq ishte prezent në vendngjarje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nga video-materiali i marrë nga arkiva e RTK-së, video-intervista e viktimës Osman Mujota, një person në moshë të shtyrë, i cili u nënshtrohet pyetjeve të përsëritura dhe udhëzuese të gazetarëve serbë që ushtrojnë presion të vazhdueshëm psikologjik për ta detyruar të deklarojë praninë dhe numrin e pjesëtarëve të UÇK-së në fshat, ku i moshuari e mohon vazhdimisht duke thënë se nuk ka njohuri. Këtë presion psikologjik dhe manipulim mediatik në fund të intervistës, intervistuesit e dyshuar në prani të kamerës e godasin plakun me shufër e më pas plaku dëgjohet duke bërtitur i tronditur ‘Oh shkova nanë bre, oh nana jem shkova bre, e ça me thanë bre se s’po di’, ndërsa gazetari serb i drejtohet me tone urdhërore për qetësi, moment ky që përkon me kërkesën e njërit prej të dyshuarve që thotë ‘ama pendrekun’, duke krijuar përshtypjen e qartë të ushtrimit të dhunës fizike me shufër”, thuhet në dosjen e prokurorisë, të siguruar nga KOHA.

Mbrojtja e Saviqit i ka thënë gjykatës se i pandehuri nuk ishte polic gjatë luftës tek i ka mohuar dyshimet e prokurorisë. 

Si Saviqi, ashtu edhe të dyshuarit e tjerë tashmë në paraburgim Novica Peqinoviq, Stanoje Janiqeviq, Borko Paliq dhe Sllagjan Millisavleviq kanë jetuar në Kosovë dhe janë identifikuar nga dokumentarë të publikuar kohë më parë. 

Amer Alija, eksperti ligjor i Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë se drejtësia nuk është vendosur për shumicën e krimeve të kryera në Kosovë.

“Kryesisht viktimat e krimeve të luftës në Kosovë nuk janë, të themi, të kënaqur me rezultatet e deritanishme nga institucionet, qoftë vendore apo ndërkombëtare, pasi kemi mbi 10,000 civilë të vrarë në luftën e Kosovës dhe në anën tjetër e kemi një numër shumë të kufizuar të personave që janë dënuar me vendim të formës së plotfuqishme, qoftë nga tribunali i Hagës, qoftë nga gjykatat vendore”, ka thënë Alija. 

Sipas tij, kapacitetet janë rritur së fundmi dhe institucionet duhet t’i shtojnë rezultatet,  siç thekson për ta zënë trenin e fundit për t’i trajtuar krimet e luftës. 

“Me shtimin e numrit, qoftë të prokurorëve, qoftë të hetuesve të krimeve të luftës, duhet të shtohen edhe rezultatet në ngritjen e aktakuzave dhe të rezultateve të kryerësve të krimeve të luftës. Sigurisht që krimet e luftës janë krime që nuk parashkruhen, por me kalimin e kohës vdesin kryesit e krimeve të luftës. Ne e kemi parë që kohëve të fundit janë arrestuar kryesisht të akuzuarit që janë në pension, në disa procese e kemi parë që kanë ndërruar jetë edhe dëshmitarët”, ka thënë Alija. 

Aliaj tregon se për masakrën e Reçakut aktualisht në gjyqësor janë tri raste gjyqësore.

Për këtë masakër është dënuar vetëm Zoran Stanojeviqi, por pasi ai u transferua në Serbi, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiqi ia fali dënimin.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. 

E këtë të diele, arrestoi edhe pesë persona.

Njëri prej tyre, është personi që në ditën e krimit është xhiruar duke shkelmuar derën e një shtëpie, pretendon Prokuroria Speciale.

Në kërkesën e Prokurorisë për masë paraburgimi, jepen edhe detaje mbi përgjegjësinë e të dyshuarve. Në të theksohet se pjesëmarrja e të dyshuarve në aksionin gjatë të cilit është kryer edhe masakra, vërtetohet edhe nga pamjet e publikuara në një dokumentar të Radiotelevizionit të Serbisë, i realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij shteti, e ku lartësohet vepra e policëve dhe ushtarëve të Serbisë.

Lubomir Pantoviq është avokat i të dyshuarit Janiqeviq, dhe ka thënë se pamja nuk dëshmon për krime lufte.

“Nëse pretendohet se ekziston dyshimi i bazuar që Stanoje Janiqeviq ka kryer ndonjë veprim, i cili paraqet krim të luftës, atëherë ajo është dashur që të shkruhet në këtë kërkesë e jo vetëm të qëndrojë se me shkelm e ka shkelmuar derën e hyrjes së shtëpisë. Fotografitë të cilat i përmend prokurori shikuar në mënyrë objektive nuk janë rrethana të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar kundër të mbrojturit tim”, ka thënë ai.

Gjatë seancës në të cilën kërkoi paraburgim për të arrestuarit, prokurori special Ilir Morina është shërbyer edhe me deklaratën e dhënë në të njëjtin dokumentar nga kreu i njësive të posaçme PJP, Goran Radosavleviq – Guri, i cili thotë se në aksionin në Reçak morën pjesë njësitë nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Prokuroria Speciale dyshon se pjesë e PJP-së ishin edhe Novica Peqinoviq, Stanoje Janiqeviq, Borko Paliq dhe Sllagjan Millisavleviq dhe se Stanko Saviq ishte pjesëtar i Policisë që i përgjigjej stacionit policor të Ferizajt.

Për këtë pretendim, avokatët e të dyshuarve kanë shprehur qëndrime të ndryshme. 

Avokati i Peqinoviqit tha në gjykatë se të qenit pjesëtar i një njësie, nuk është krim lufte. Ngjashëm është shprehur edhe avokati i Janiqeviqit, i cili tha se gjetja e një fotografie me veshje të policisë së Serbisë nuk është provë mbi të cilën mund të bazohet dyshimi për krime lufte.

E avokati i Petkoviqit tha se klienti i tij nuk duhet të çohet në paraburgim, me arsyetimin se kodi penal nuk e sanksionon si vepër penale ecjen me uniformë të policisë.

Ndërkaq, avokatja e Milisavleviqit theksoi se klienti i saj ka qenë polic i komunikacionit dhe se s’ka prova që vërtetojnë dyshimin e bazuar për të. 

Ndryshe është shprehur avokati i Saviqit, për të cilin tha se kurrë nuk ka qenë polic.

Në aksionin e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak, pjesëtarët e njësive të posaçme të Policisë së Serbisë vranë e masakruan 45 civilë shqiptarë.