Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bëhet thirrje për veprime urgjente shtetërore kundër vrasjeve

Aksident-Vrasje-Policia

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Njohës të fushës së sigurisë kanë bërë thirrje që shteti ta trajtojë me urgjencë çështjen e vrasjeve. Vetëm brenda javës së fundit, pesë persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

E sipas njohësve të fushës së sigurisë, kjo është pasojë e dështimit të hallkave shtetërore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshëm, Valdet Hoxha, ka thënë se kjo situatë duhet të trajtohet me urgjencë nga institucionet e vendit.

“Trendi i këtyre veprave penale duhet të jetë alarm për mekanizmat shtetëror të shtetit tonë dhe duhet të trajtohet me urgjencë, duke ndërmarrë disa hapa konkret që shkojnë me preventiven e këtyre veprave penale. Te këto raste nuk mjafton vetëm dënimi i kryerësve të veprës penale por shoqëria shteti duhet ta trajtojë këtë trend në rritje si një dukuri devijonte që po merr jetë njerëzish”, ka thënë Hoxha.

E avokati, Skender Musa, në emisionin “60 Minuta” në KTV të hënën ka thënë se institucionet e vendit duhet të krijojnë një strategji për të trajtuar këtë situatë sa më parë që është e mundur.

“Për institucionet e Kosovës, qytetarët dhe vet shtetin është alarmante, sipas duhet të ngritët çështja edhe në nivelet qendrore dhe ato lokale të ndërtohet një strategji që të zbulohen se çka i shtyn qytetarët e Kosovës që mjetin e fundit ta zgjedhin vrasjen e një personi në vend se të lajmërojnë institucionet shtetërore”, ka thënë Musa.

Avokati Musa, ka shtuar se numri i vrasjeve nuk është në rënie ashtu siç pretendohet dhe se të gjitha ato po ndodhin edhe si pasojë e numrit të madh të armëve pa leje të cilat i posedojnë qytetarët e Kosovës.

Ish-zv.ministri Hoxha ka deklaruar po ashtu se Policia e Kosovës duhet ta ulë kohën e reagimit gati përgjysmë nga ajo që është sipas një raporti të Inspektoratit Policor të Kosovës. Ai ka thënë se Policia duhet të ketë kohën e reagimit në 7-8 minuta, për të evituar pasojat.

“Koha mesatare e reagimit policor për këtë vit në nivel vendi që është 13.7 minuta, ka rezultuar e njëjtë si në matjet nga viti 2022”, thuhet në një raport të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Më 16 mars një person është vrarë ndërsa një tjetër është plagosur në një lokal në Gjakovë.

Pastaj, më 21 mars një person është vrarë në fshatin Bokshiq të Klinës, derisa i dyshuar është vëllai i tij.

Dhe së fundi, në fshatin Majac të Podujevës, më 22 mars, një person është vrarë në vendin e ngjarjes, një grua është plagosur e më pas ka vdekur më 23 mars në QKUK ku po trajtohej, e po ashtu ka vdekur më 23 mars edhe e dyshuara e këtij rasti, që është vetëplagosur.

Gjithë vitin 2025, sipas të dhënave të Policisë janë regjistruar 18 vrasje.