Besimtarët myslimanë sot kremtojnë festën e Kurban Bajramit.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNamazi i Kurban-Bajramit është falur në orën 05:40.
Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur të mërkurën, gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, derisa kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake.
Ai tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.
“Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të rii. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha myftiu Tërnava.
Ai bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor të zhvillohen me maturi dhe dinjitet, duke u bazuar në ide dhe vizion. Ndërsa ftoi edhe qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm.
“Në këtë fushatë parazgjedhore le të mos ketë vend për gjuhë të urrejtjes, fyerje, lincim, akuza të pabazuara dhe njollosje të njëri-tjetrit me akuza të pavërteta vetëm për një votë. Një fushatë e ndërtuar me përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Le të mbizotërojë dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut. Le të ketë respekt të mendimit ndryshe... Mbesim me shpresë se pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, që institucionet e vendit të formohen sa më shpejtë dhe të krijohet stabiliteti politik institucional për të punuar bashkërisht për të ardhmen e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve dhe të ardhmen e të rinjve... Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat”, tha ai.
Besimtarët bëjnë thirrje për solidaritet dhe afërsi familjare
Në atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të madhe, besimtarët e shumtë u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Oborret e xhamive ishin të mbushura me besimtarë, të cilët kremtuan një nga festat më të rëndësishme islame duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe afirmiteti mes njerëzve.
Pas faljes së Kurban Bajramit, qytetarët apeluan për ndihmë ndaj shtresave në nevojë dhe forcim të lidhjeve familjare.
E, mesazhi kryesor i kësaj feste sipas Ibrahim Ilazit, është afrimi me Zotin.
“Le të jemi me Zotin. Mesazhi, edhe mesazhi më i madhi është me Zotin me qenë njerëzit. Edhe s'kisha me shtu më shumë diçka. Kurban kemi me pre, vëllezërit kanë me pre... Çmimin e ka me arsye. E kur vendoset diçka nuk është shtrenjtë për Allahun”, tha ai.
Ndërkaq, Fuat Islami uroi paqe dhe tolerancë për gjithë botën islame dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit me të varfrit dhe ruajtjes së harmonisë mes njerëzve.
“Edhe kësaj here, si herët e kaluara, të gjithë botës islame anë e mbanë rruzullit tokësor i uroj këtë festë të madhe të Kurban Bajramit. Në botë të mbretërojë paqja, harmonia, dashuria, toleranca mes njerëzve. Dhe normal të ketë, mos të ketë dallime të mëdha sociale, të shtrihet dora e të varfrit, të e atij që nuk ka, atij që ka nevojë për ndihmën e të tjerëve, të mos ketë dallime të mëdha racore, kombëtare, sociale, politike, fetare, po gjithsesi të ketë paqe, harmoni, tolerancë mes njerëzve”, tha ai
Ai shtoi se tradita e Kurban Bajramit duhet të shërbejë edhe për afrimin e familjarëve dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë.
“Edhe sot në këtë ditë të madhe të Kurban Bajramit, uroj që, siç është tradita, të vizitohen të afërmit, farefisi, të kenë domethënë më shumë afërsi mes familjarëve, mes të afërmve, të bëhet unifikimi i anëtarëve të familjes të cilët janë deri tani nuk kanë pasur mundësi të jenë afër njëri-tjetrit. Dhe normal edhe kurbani, siç është traditë, të shpërndahet më shumë tek të varfrit, tek të afërmit, tek familjarët, tek të afërmit... edhe tek shtresat, domethënë që janë me nivel shumë të ulët social. Kurse në botë të mbretërojë paqja, harmonia, dashuria mes njerëzve, të mos ketë dallime politike, të mos ketë dallime kombëtare, racore, sociale, po të ketë më shumë harmoni, tolerancë, mirëkuptim, bashkëpunim dhe normal të ketë edhe miqësi mes kombeve edhe feve të ndryshme në botë”, u shpreh Islami.
Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot ditën e parë të Kurban Bajramit. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës u mbajt në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizon pritje urimi në selinë e Kryesisë nga ora 09:00 deri në orën 12:00.