Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Blakaj: Është e paarsyeshme që deputetët të mos qëndrojnë në seancë

Tea Blakaj

Këshilltarja ligjore në Zyrën e Kryeministrit, Tea Blakaj, ka thënë se duke u bazuar në nenin 82, në asnjë rast, Kuvendi i Kosovës nuk mund të shpërbëhet nga ana e presidentes dhe si rrjedhojë iu janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Këshilltarja Blakaj në emisionin “Konfront” në KTV, e quajti të paarsyeshme edhe mosqëndrimin e deputetëve në seancën kur votohet për presidentin/en.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ajo theksoi se do të duhej sqaruar një gjë e tillë nga ana e Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimin që po e presin.

“Nëse Gjykata Kushtetuese nuk e sqaron edhe nevojën e prezencës së deputetëve në sallë për ta zhvilluar një proces i cili është i obligueshëm, gjithmonë do të vijmë në rezultate të tilla. Në rast se deputetët mund të mos jenë prezentë në sallë pavarësisht në sa cikle zgjedhjesh mund shkojmë nuk mund të presim rezultat, ose duhet të garojnë partitë politike për ta bërë një rezultat prej 80 deputetësh që nuk është i arritshëm as nuk duhet të jetë i arritshëm. Është krejtësisht e paarsyeshme që deputetët mund të konsiderojnë që mund të mos qëndrojnë në sallë”, ka thënë Blakaj.

Këshilltarja Blakaj ka thënë që nuk mendojnë që duhet të shkohet në zgjedhje. Ajo beson që Kushtetuesja do ta sqaroj çështjen procedurale përfshirë edhe të qëndrimit të deputetëve në sallë kur votohet për presidentin/en.

“Ne në asnjë formë nuk mendojmë që duhet të shkohet në zgjedhje. Duhet zgjidhur çështja procedurale e që besoj se Kushtetuesja do ta sqaroj sepse në momentin që deputetët obligohen që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre, procedura mund të zhvillohet. Në momentin që deputetët nuk janë në sallë dhe bëjnë bojkotim politik duke e shkelur detyrën që e kanë marrë nga qytetarët në zgjedhje atëherë asnjëherë nuk mund të flasim për zgjedhje. Është shumë e dhimbshme që të shkohet sërish në zgjedhje pas të gjitha atyre cikleve të zgjedhjeve që janë zhvilluar”, ka thënë Blakaj.


Jakaj: Dekreti i presidentes Osmani mund të mos jetë kushtetues

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka thënë se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, që kishte marrë më 6 mars, mund të mos jetë kushtetues. 
Osmani kishte vendosur të shpërndajë Kuvendin vetëm disa orë pasi që në seancën në Kuvendin e Kosovës nuk pati kuorum për zgjedhje të presidentit. 
Dekreti i Osmanit u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars. 
“Në rastin aktual nuk ka dispozitë që operacionalizon nenin ku thuhet se cila është dita e fillimit të procedurës. Në mungesë të kësaj dite, atëherë mund të konsiderohet që dita e fillimit të jetë dita kur ka nisur seanca. Që i bie se dekreti i znj. Osmani mund të mos jetë kushtetues, pasi nuk shkruan në Kushtetutë se cila është dita e fillimit të rrjedhjes së afateve...LVV-ja pretendon se afati, 60-ditëshi nis nga dita kur ka nisur procedura për zgjedhjen e presidentit. Kjo ka qenë arsyeja e atakimit të dekretit të presidentes Osmani”, ka thënë Jakaj në “Konfront” të KTV-së. 


Hasanpapaj: Kuvendi nuk ka problem me dekretin

Juristi Bardhyl Hasanpapaj ka thënë se problemi kryesor në çështjen e presidentit është mungesa e një rruge të qartë për zgjedhjen e presidentit të ri, gjë që sipas tij Kuvendi nuk e ka të qartë. 

Ai ka shtuar se pas dështimit të Kuvendit për ta zgjedhur presidentin, është hapur një proces para Gjykatës Kushtetuese për ta sqaruar mënyrën e duhur të këtij procesi.

“Dekreti në vetvete nuk është problem, fundja një herë ka ndodhur e shpall antikushtetues, e shohim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk është kiameti. Por ideja është që si do të zgjidhet presidenti dhe këtë nuk e ka të qartë Kuvendi. Përveç se ka dështuar ta zgjedhë presidentin, nuk ka një rrugë të qartë se si do e zgjedhin presidentin”, ka thënë ai në Konfront.

Hasanpapaj ka theksuar se në sistemin parlamentar të Kosovës, presidenti është i vetmi organ që ka kompetencë për ta shpërndarë Kuvendin.

“Në sistemin tonë parlamentar presidenti nuk e shpërndan Kuvendin, nëse presidenti nuk e shpërndan unë nuk e di kush e shpërndan. Nuk kemi organ tjetër në Kosovë përveç presidentit. Edhe atëherë kur Kuvendi dëshiron të shpërndahet nuk shpërndahet pa dekret të presidentit. Ideja është që në sistemin tonë parlamentar presidenti ka rol më të veçantë dhe i vetmi që e ka detyrën për shpërndarjen e Kuvendit”.