Arbëri

Blerja e raketave “Javelin” nxit luftë meritash brenda e reagime jashtë

Javelin

Përderisa eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e kanë cilësuar sukses të radhës blerjen e mundshme të antitankeve, ata të opozitës kanë pretenduar se këto procedura janë nisur nga paraardhësit e kryeministrit, Albin Kurti. E jashtë Kosovës, alarmit të zyrtarëve serbë për cenimin e sigurisë së rajonit nga blerja e këtyre pajisjeve të premten i është bashkuar edhe Kongresistja amerikane, Claudia Tenny, e cila ka shprehur zhgënjim edhe për vendimin e Departamentit të Shtetit për të miratuar shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën

Luftë të brendshme për marrje meritash dhe reagime jashtë vendit për mundësinë e cenimit të sigurisë në rajon ka nxitur kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen raketave anti-tank “Javelin”.

Një ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar një shitje të mundshme të 246 raketave të tilla për Kosovën, në vlerë prej 75 milionë dollarë, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se me këtë Kosova po hyn në një fazë vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve të mbrojtjes.

“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian. Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: ‘Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes’”, ka shkruar Osmani të premten në rrjetin social “Facebook”.

Ajo ka falënderuar sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, me të cilin ka thënë se ka diskutuar për Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

“Si presidente e Republikës dhe komandante supreme e FSK-së e shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes, të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Shpreh falënderim të veçantë për sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS”, ka shkruar Osmani.

Opozita kritikon Qeverinë se u vonua me blerjen e antitankeve

Përderisa eksponentë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e kanë cilësuar sukses të radhës blerjen e mundshme të antitankeve, ata të opozitës kanë pretenduar se këto procedura janë nisur nga paraardhësit e kryeministrit, Albin Kurti.

“E vërteta e blerjes se armatimit nga SHBA-ja, negocimin dhe kontraktimin e bëri Kadri Veseli në vitin 2018. Një pjesë e këtij armatimi, mjetet e blinduara ‘Humvee’, nga SHBA-ja kishin arritur në Kosovë me 25.07.2020. Pse ka pasur vonesa për pjesën tjetër të armatimit duhet të japin llogaridhënie qeveritarët e sotëm”, ka shkruar në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Bekim Haxhiu.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se blerjet e sistemeve antitank, përfshirë edhe raketat “Javelin”, kanë qenë të dakorduara qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi antitank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë! Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në”, ka shkruar ai të enjten në Facebook.

Ankesa rreth blerjes së mundshme të këtyre raketave janë shprehur edhe nga Serbia. Në vendin që prej vjetësh blen armatim nga Rusia dhe nga Kina është vlerësuar transaksioni i Qeverisë së Kosovës e cenon sigurinë e rajonit. Ishte fillimisht kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i cili ka njoftuar të enjten se Departamenti amerikan i Shtetit e ka pranuar kërkesën e Kosovës për pajisje me raketa. Lidhur me këtë, presidenti serb ka shprehur zhgënjim gjatë takimit që e ka pasur me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill.

E alarmit të zyrtarëve serbë të premten i është bashkuar edhe Kongresistja amerikane, Claudia Tenny. Anëtarja e Kongresit nga radhët e Partisë Republikane ka shprehur zhgënjimin edhe për vendimin e Departamentit të Shtetit për të miratuar shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën.

“Marrëveshja e Departamentit të Shtetit për dërgimin e raketave ‘Javelin’ në Kosovë është tepër nxitëse, veçanërisht ndërkohë që tensionet janë tashmë të larta në Ballkanin Perëndimor. Ky vendim vetëm i hedh benzinë ​​zjarrit dhe shton gjasat për shpërthimin e një konflikti”, ka thënë Tenny.

Ajo ka shtuar se në këtë mënyrë “Kosova po shpërblehet përderisa vazhdon të injorojë obligimet e mëparshme ndërkombëtare”.

Tek ka përmendur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila ndër të tjera e parashikonte formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Tenny ka rikujtuar se ka dorëzuar një projektligj në Kongres, nëpërmjet të cilit kërkohet që të ndalohet çdo ndihmë amerikane për Kosovën deri në zbatimin e marrëveshjes. Tenny ka theksuar se SHBA-ja nuk duhet të vazhdojnë me armatosjen dhe financimin e Kosovës.

“Ne e dimë se dërgimi i armëve shtesë në Kosovë nuk do të sjellë paqe”, ka thënë ajo.

Çollaku: Armatosja s’paraqet rrezik për fqinjët

Por njohës të sigurisë kanë thënë se blerja e armatimit është pjesë e strategjisë së transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe e doktrinës së mbrojtëse, e cila nuk paraqet rrezik për ndonjë shtet tjetër.

“Kjo ka qenë një masë e aranzhuar tani, por e planifikuar më herët në strategjinë e transformimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, përkatësisht FSK-së. Në planin pesëvjeçar është paraparë edhe fillimi i furnizimit me mjete teknike, përkatësisht me pajisje ushtarake dhe armatim, ku aranzhmani prej numrit të caktuar të raketave anti-tank është në harmoni me interesat tona, interesat amerikane dhe për nevojat e sigurisë së Republikës së Kosovës në kuptimin e konsolidimit ushtarak dhe teknik për të mbrojtur sovranitetin e sigurinë nacionale të Republikës së Kosovës”, ka thënë ligjëruesi i sigurisë, Fatmir Çollaku.

Ai ka shtuar se Kosova, sikurse çdo shtet tjetër, ka të drejtë që të përgatitet për t’u mbrojtur nga kushdo që mund ta sulmojë. Sipas Çollaku, Kosovës në asnjë segment dhe në asnjë fazë nuk ka pasur dhe as nuk ka pretendime territoriale ndaj dikujt.

“Qëllimet kryesore të përgatitjeve teknike dhe ushtarake, si dhe të planeve të ndryshme strategjike për mbrojtjen e Republikës së Kosovës, janë të karakterit mbrojtës nga kushdo qoftë që tenton apo pretendon të iniciojë, gjegjësisht të realizojë ndonjë qëllim qoftë ai terrorist apo kriminal, apo ndonjë formë tjetër agresionit. Prandaj, Kosova ka të drejtë të mbrohet. Kosova nuk ka synime pushtuese e as objektiva apo pretendime territoriale. Republika e Kosovës përgatitet si një shteti i ri, si një shtet i vogël që të konsolidohet mirë edhe në aspektin e mbrojtjes dhe të sigurisë, për t’u garantuar siguri të qëndrueshme qytetarëve të vet, për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vet nga kushdo qoftë që e cenon dhe rrezikon këtë sovranitet”, është shprehur ai.

Pentagoni ka njoftuar nëpërmjet ueb faqes zyrtare se kontraktorët kryesorë të marrëveshjes së kërkuar nga Kosova janë “Javelin Joint Venture” nëpërmjet “Lockheed Martin” dhe “Raytheon Missiles and Defense”. Çështja do t’i dërgohet Kongresit Amerikan, i cili pritet ta procedojë tutje kërkesën e institucioneve të Kosovës.

Në deklaratë, Pentagoni ka vlerësuar se Kosova nuk do të ketë vështirësi që t’i përshtatë pajisjet për nevojat e forcave të veta. Kosova ka kërkuar të blejë 246 raketa “Javelin FGM-148F”, si dhe 24 njësi lëshimi. Krahas blerjes parashihen edhe lloje të ndryshme trajnimesh, ndërsa shpenzimet në total llogariten të jenë 75 milionë dollarë.

Në Pentagon është theksuar gjithashtu se shitja e këtyre pajisjeve nuk e ndryshon balancën ushtarake në rajon.