Futboll

Prishtina njofton për vazhdimin e kontratës me Boueyen

Philippe Boueye

Fituesja në fuqi e Kupës së Kosovës dhe liderja aktuale e elitës së futbollit kosovar, Prishtina, ka njoftuar për vazhdimin e kontratës edhe për dy edicione me qendërmbrojtësin Philippe Boueye.

Francezi Boueye iu bashkua Prishtinës në verën e vitit të kaluar, ndërsa ka zhvilluar 34 ndeshje në të gjitha garat për “bardhekaltrit”. 

“22-vjeçari Boueye tashmë ka arritur të fitojë përvojë të vlefshme dhe është gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Nigerit, ku ka grumbullime të rregullta me ekipin kombëtar. Drejtuesit e klubit e kanë vlerësuar lartë profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, ndërsa vazhdimi i kontratës është vlerësuar si një hap i rëndësishëm për vazhdimësinë dhe stabilitetin e ekipit”, ka shkruar Prishtina të mërkurën. 

Prishtina pas 12 ndeshjeve është e para në Superligë me 26 pikë, tri më shumë se Ballkani i dyti, dhe gjashtë më shumë se kampionia, Drita.