Politologu Alban Bokshi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta marrë hapin që të gjejë bashkëpunim me partitë e tjera dhe ta zgjedhin një kandidat për kryeparlamentar. Sipas tij, kandidatja që LVV-ja ka propozuar, Albulena Haxhiu, nuk është në rolin më të mirë si kryekuvendare.
Ai ka shtuar se LVV-ja ka edhe përgjejësi ndaj qytetarëve si parti e parë e dalë nga zgjedhjet dhe duhet të japë zgjidhje.
“Nëse LVV-ja e ka të qartë se nuk ia votojnë Albulena Haxhiun, atëherë si partia fituese i takon jo vetëm e drejta por edhe përgjegjësia dhe mund t’iu qasen partive opozitare pak në mirëbesim ta bëjnë hapin e parë dhe ta zgjedhin bashkë një kandidat që do ta votonin të gjitha partitë. Partitë kanë ngulur këmbë që nuk e votojnë Albulena Haxhiun, VV-ja ka ngulur këmbë se kjo është kandidatja jonë. Haxhiu sa ka qenë deputete ka qenë goxha polarizuese, armiqësore me disa parti dhe nuk është në rolin e saj më të mirë si kryekuvendare. Edhe VV-ja mund ta marrë parasysh dhe ta shqyrtojë”, ka thënë ai në Interaktiv.
Bokshi ka theksuar se zgjidhja për bllokadën në Kuvend është marrëveshja politike mes partive.
Deputetët e legjislaturës së nëntë do t’i rikthehen seancës konstituive të mërkurën në orën 11:00. Një ditë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në gazetën zyrtare, administrata e Kuvendit ka dërguar njoftimin për seancën me dy pika të vetme të rendit të ditës – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës.
Sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi.
Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.