Komunës së Fushë-Kosovës i është kthyer si i paligjshëm qe njëmbëdhjetë herë një dokument për bonuset e zonimit. Fillimisht si vendim e pastaj si rregullore, ky dokument nuk ka arritur t’i kalojë filtrat e Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Opozitarët kanë shprehur dyshimin se me të ekzekutivi po synon t’i shlyejë borxhet e fushatës elektorale dhe po ashtu t’i mbulojë shkeljet ligjore që i ka bërë kur ka dhënë leje ndërtimore me bonuse të zonimit, pa pasur dokument të miratuar
Komuna e Fushë-Kosovës nuk po mund të bëhet me rregullore për bonuset e zonimit. Njëmbëdhjetë herë i është kthyer ky dokument, si i paligjshëm nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që prejse e ka nisur hartimin e tij.
Opozitarët në këtë komunë kanë shprehur dyshimin se me këtë rregullore ekzekutivi po synon t’i shlyejë borxhet e fushatës elektorale dhe po ashtu t’i mbulojë shkeljet ligjore që i ka bërë kur ka dhënë leje ndërtimore me bonuse të zonimit, pa pasur dokument të miratuar.
“Mund të them lirisht që është një prej rregulloreve ose vendimeve më të diskutuara në këtë mandat të Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës. Përafërsisht rreth 11 herë kemi diskuar nëpër seanca. Nja tri herë e di që kemi votuar për ta shfuqizuar këtë vendim, pasi është kthyer nga Ministria e Pushtetit Lokal, si vendim i paligjshëm”, ka thënë Habib Mekolli, kuvendar i LVV-së në Fushë-Kosovës. “Ekziston një dyshim se në njëfarë mënyrë qëllimisht nuk janë duke e bërë këtë rregullore si duhet, sepse është e pamundur 10 herë të të kthehet e njëjta rregullore dhe prapë të dërgohet e çka është më interesant ose më e keqe që bonuset janë duke vazhduar të jepen edhe në këtë kohë kur s’ekziston rregullorja”.
Sipas tij, ka raste kur komuna ka dhënë bonuse në këmbim të pronës private për ta shfrytëzuar si rrugë publike, por që operatori ekonomik e shfrytëzon si parking privat.
Edhe Mirsad Qyqalla nga PDK-ja thotë se çështja e bonuseve është njëra ndër pikat më problematike të kësaj legjislature.
“Që nga themelimi i kësaj legjislature të fundit, bonuset e zonimit kanë qenë pikat më problematike. Qe sa herë i drejtohet Ministrisë për vlerësim dhe e njëjta kthehet si e paligjshme për çka, herë është shfuqizua e herë s’është shfuqizua. Fillimisht ka pasur një tendencë që të rregullohet përmes një vendimi që ka ardhur si i jashtëligjshëm. Pastaj me një rregullore, ku herën e dytë Kuvendi Komunal është anashkaluar i tëri dhe prapë ka ardhur si e kundërligjshme me diku 24-25 pika shkelje”, ka theksuar Qyqalla.
Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth akuzave të opozitës për rregulloren.
Përgjigje nuk ka kthyer as Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila e ka rrëzuar për 10 herë këtë dokument.
Ndërkaq, opozita beson se as këtë herë kjo rregullore nuk do të mund t’i kalojë filtrat ligjor të Ministrisë.
“Kësaj radhe e kanë sjellë prapë dhe e kanë drejtuar për Ministri, për çka ne besojmë se prapë do të kthehet e jashtëligjshme. Mirëpo, mbetet të shihet sepse nëse ka ligjshmëri në këtë version qysh atje është dërguar, mbetet të shihet çfarë rruge kanë ndjekur, sepse ne dyshojmë shumë në ligjshmërinë e këtij dokumenti në mënyrën qysh ka ardhur”, ka thënë Qyqalla.