Bojani ka hedhur çantën krahëve në vitin e parë shkollor në Kosovën e çliruar më 1999. Në Shtërpcë e nisi filloren dhe e kreu të mesmen me sistem paralel të arsimit të Serbisë. Ishte me dy mendje kur u hap konkursi për pranimin e studentëve të rinj serbë në Universitetin Prishtinës, sikurse i referohet universitetit paralel serb në Mitrovicën veriore.
“Nuk isha i vendosur, por edhe nuk është se i kisha mundësitë ekonomike”, thekson Bojani, tani kamerier në njërën prej restoranteve që ndodhen ndanë rrugës që shpie gjarpërueshëm përpjetë drejt Brezovicës. Prishtinën s’e ka vizituar kurrë. Kohën e kalon në punë dhe nëpër kafenetë lokale. Puna ia ka imponuar në njëfarë forme t’i mësojë shqipen e anglishten. Shumica e klientëve janë shqiptarë e të huaj – kryesisht pjesëtarë të KFOR-it – që ndalen nëpër restorantet e pronarëve. Kryesisht shqiptarë.
Ky nuk është emri i vërtetë i Bojanit. “Jo, jo nuk dua të flas me emër e mbiemër”, ngulmon disa herë kamerieri serb, duke kërkuar të mos i tregohet identiteti, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Këta janë si në grusht. Nuk guxojnë me livrit prej kryetarit”, thotë një kamerier tjetër, shqiptar, në një restorant pak më lart atij të Bojanit. “Po, as mua mos ma qit emrin se këtu përditë me ta jam”. Politika e ka bërë të veten.
I drejtpërdrejtë është Lulzim Zhubi, pronar i restorantit “Tiffany” në kilometrin e parë të rrugës që çon drejt qendrës dimërore. Më të madhes në vend. “Nuk ki çka flet me kurrkënd, dil këqyr dhe e sheh vetë”, thekson Zhubi, pa e lëshuar thikën e madhe nga dora e djathtë. Po përgatit një sallatë në banak. Shumicën e punëtorëve i ka serbë lokalë. I inkurajon të flasin, por refuzojnë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)