Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka njoftuar ambasadorin e BE-së, shefin e EULEX-it në Kosovë dhe ambasadorë të shteteve të BE-së për potencialin që ka kjo komunë për turizmin dhe zhvillimin ekonomik.
Në takimin e mbajtur në Orllan, Bulliqi u ka thënë mysafirëve se së shpejti pritet të fillojë ndërtimi i zonës industriale, që sipas tij, do të ofrojë mundësi për afaristë vendorë dhe të huaj.
“Kryetari Bulliqi gjatë takimit ka prezantuar para ambasadorëve dhe shefit të EULEX-it disa prej resurseve natyrore të Komunës së Podujevës, karakteristikat dhe potencialin që ofron komuna jonë. Po ashtu të pranishmit kryetari Bulliqi i njoftoi se së shpejti do të ndërtohet Zona Industriale, e cila do të ju krijojë mundësi për zhvillimin e veprimtarive biznesore afaristëve vendorë e të huaj në Podujevë, ku edhe po synohet që përmes Zonës Industriale të rritet punësimi e të zhvillohet ekonomia lokale”, thuhet në njoftimin e Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe informim e Komunës së Podujevës.
Tutje në këtë njoftim thuhet se ambasadorët janë interesuar të dinë për investimet kapitale dhe prioritetet e komunës, bashkëpunimet ndërkomunale si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Komuna e Podujevës si komunë kufitare.
“Pas këtij takimi, kryetari Bulliqi bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, zëvendësministrin, Blerim Sallahu, ambasadorë të vendeve mike dhe shefin e EULEX-it në Kosovë, vizituan Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc, ku atje u pritën nga drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, drejtori dhe stafi i burgut, prej të cilëve u informuan më shumë me kushtet e punës dhe me trajtimin e të burgosurve në këtë burg”, përfundon njoftimi.