Arbëri

Bulliqi paralajmëron padi ndaj ish-pushtetit për fshirje të të dhënave

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka paralajmëruar padi ndaj ish- pushtetit në këtë komunë për, siç është shprehur, fshirjen e të dhënave elektronike zyrtare në kompjuterët që u përkisnin ish-kryetarit dhe ish-drejtorëve.

Ndërkohë që ish-kryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari, ka deklaruar se për këtë pretendim është i gatshëm të ballafaqohet me të në gjykatë.

Bulliqi e ka akuzuar pushtetin pararendës se ka urdhëruar zyrtarët e teknologjisë informative që t’i formatizojë kompjuterët, dhe se në mesin e këtyre zyrtarëve ka qenë edhe një punëtor me kontratë mbi vepër.

“Prandaj si pasojë e kësaj, ai i cili ka qenë me kontratë mbi vepër i është shkëputur kontrata e punës dhe nuk ka mundur më tutje të vazhdojë punën, ndërsa të tjerët janë nëpër procese të intervistimeve rreth shkeljeve të kodit të punës dhe kodit etik”, ka thënë Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës.

Bulliqi ka thënë se mungesa e këtyre të dhënave u ka shkaktuar vështirësi dhe dëmtim të vazhdimësisë së punës së administratës komunale.

“Kallëzimi penal do të bëhet ndaj këtyre të cilët i kanë kryer ato veprime, dhe pastaj ata kanë obligim të tregojnë se nga kush i kanë marrë urdhërat për të zbatuar një kërkesë të tillë. Dhe unë mendoj që shlyerja e të dhënave zyrtare nga kompjuterët zyrtarë është vepër penale”, ka shtuar ai.

KOHA ka kontaktuar ish-ushtruesin e detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili ka thënë se nuk ka çka të deklarohet, meqenëse pushteti i ri ka vendosur të ushtrojë kallëzim penal ndaj tyre. Rudari ka thënë se për këtë do të presin të deklarohen në gjykatë.