Arbëri

Bulliqi premton ndihmë për personat me nevoja të veçanta

Me moton “Ec me këmbët e tyre” është shënuar aktiviteti për sensibilizimin e shoqërisë dhe institucioneve me personat me nevoja të veçanta. Ky aktivitet që është mbajtur në Sheshin e qytetit të Podujevës të premten ka mbledhur zyrtarë komunalë, të policisë, ambasadorë e humanistë.

Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti ecën me sy mbyllur përgjatë sheshit dhe pas kësaj kanë lëvizur edhe me karroca me qëllim të solidarizimit me personat me nevoja të veçanta.

“Aktiviteti filloi nga këndi i lojërave në parkun e qytetit ku morën pjesë, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu, drejtorë komunalë, ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Hristo Guxhev, komandanti i Policisë, Njazi Jashari, dhe humanisti Halil Kastrati. Në fjalimin para të pranishmëve kryetari Bulliqi u zotua se do t’i trajtojë me kujdes të veçantë kërkesat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuar, si dhe do të angazhohet të përmirësojë kushtet e jetesës, e mbi të gjitha integrimin e tyre në shoqëri”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Komunës së Podujevës.

Sipas këtij njoftimi, në shënim të kësaj ngjarje fëmijët me nevoja të veçanta shfaqen pikturat e tyre, ndërsa, nga shkolla e kitarës “Mirela” fëmijët kënduan disa këngë për të pasuruar këtë aktivitet.

“Ky aktivitet u organizua nga organizata ‘OAKTIV’ në kuadër të programit ReLOaD2 në bashkëpunim me UNDP dhe Komunën e Podujevës”, përfundon njoftimi.