Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Buxhetit të shtetit iu morën 45 milionë euro nëpërmjet vendimeve gjyqësore

Zyra kombetare e Auditorit - Vlora Spanca

Foto: Driton Paçarada

Për sezonin 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportet për 102 institucione. Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, tha se mes gjetjeve është edhe ajo se mbi 45 milionë euro të buxhetit të shtetit, janë marrë nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Sipas saj, në disa raste mungesa e urdhrave përmbarimorë nuk ka mundësuar ndarjen e saktë ndërmjet vlerës bazë, kamatës dhe shpenzimeve përmbarimore. Spanca është ankuar edhe në Prokurori, institucion për të cilin ka thënë se nuk e ka informuar për ecurinë e hetimeve për rastet e denoncuara

Yllnora Elshani Arifaj

Brenda një viti, buxhetit të shtetit i janë marrë 45.7 milionë euro, nëpërmjet vendimeve gjyqësore, ka bërë të ditur të premten, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ajo ka thënë se, bazuar në auditimet e bëra në institucione, janë regjistruar vonesa në pagesa deri në 131 ditë, e edhe mungesë dokumentacioni për ndarjen e saktë të kamatave dhe shpenzimeve përmbarimore.

“Gjatë vitit 2025, vlera e pagesave të realizuara përmes vendimeve gjyqësore ishte shumë e lartë, duke arritur në 45,691,077 euro. Gjatë testimit të pagesave të realizuara përmes vendimeve gjyqësore kemi identifikuar mangësi në klasifikimin, dokumentimin dhe verifikimin e tyre, si dhe vonesa në realizimin e pagesave përtej afatit ligjor prej 30 ditësh. Pagesat ishin realizuar nga kategori të ndryshme ekonomike, ndërsa në disa raste mungesa e urdhrave përmbarimorë nuk na ka mundësuar ndarjen e saktë ndërmjet vlerës bazë, kamatës dhe shpenzimeve përmbarimore”, ka thënë Spanca, në një konferencë për media. “Rastet e identifikuara janë si më poshtë: Nga kategoria e investimeve kapitale ishin realizuar nëntë pagesa në vlerë prej 4,496,994 eurosh, ndërsa shpenzimet e kamatës dhe përmbarimit për këto pagesa ishin 81,800 euro”.

Ajo ka bërë të ditur se nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, janë testuar 16 pagesa në vlerë prej 3,963,155 eurosh. Për pesë prej tyre, në vlerë prej 1,722,821 eurosh, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZKA) ka siguruar dëshmi për shpenzimet e përmbarimit në vlerë prej 226,851 eurosh. Ndërsa, për 11 pagesa në vlerë prej 2,190,334 eurosh, ZKA-ja nuk ka siguruar urdhrat përmbarimorë. Për pasojë, ky institucion nuk ka mundur të përcaktojë ndarjen ndërmjet vlerës bazë, kamatës dhe shpenzimeve përmbarimore.

“Po ashtu, për një pagesë të realizuar nga kategoria e subvencioneve për paga dhe mëditje, në vlerë prej 134,445 euro, nuk janë siguruar urdhrat përmbarimorë, me qëllim të verifikimit dhe ndarjes së shpenzimeve. Në një rast tjetër, të një vendim gjyqësor i paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në vlerë prej 147,143 eurosh për paga jubilare, kemi vërejtur se shuma prej 11,758 eurosh kishte të bënte me dy punonjës për të cilët debitor nuk ishte Komuna e Prishtinës, por Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, pagesa ishte realizuar nga Komuna, pasi këta punonjës ishin përfshirë në listën e pagesës”, ka thënë Spanca, tek ka elaboruar problemin e mbi 45 milionë eurove të buxhetit, që janë marrë nëpërmjet vendimeve gjyqësore.

Për sezonin 2025/2026, ZKA-ja ka planifikuar 145 auditime, prej të cilave 102 tashmë janë publikuar, ndërsa deri më 30 qershor pritet të përmbyllen 88 auditime të detyrueshme të rregullsisë dhe ato 12 të ndërmarrjeve publike, ndërsa pjesa tjetër e auditimeve të pajtueshmërisë, performancës, atyre të klasifikuara dhe auditimeve të projekteve të Bankës Botërore, sipas zyrtarëve të ZKA-së, pritet të finalizohet gjatë vitit.

Spanca tha se Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Kosovës pritet t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht të vitit 2026.

Ajo bëri të ditur se nga 94 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, janë dhënë 55 opinione të kualifikuara, 4 të kundërta dhe 35 të pamodifikuara.

Sipas ZKA-së, problemet kryesore lidhen me pasaktësi në raportimin financiar, shkelje në procedurat e prokurimit, si dhe mangësi në menaxhimin e kontratave dhe shpenzimeve publike.

Në raportin e prezantuar të premten, ZKA-ja ka evidentuar një seri shkeljesh sistematike në nivel qendror dhe lokal. Ndër to: hyrje në obligime pa mbulesë buxhetore, kontraktim i projekteve pa fonde të siguruara, vonesa në realizimin e investimeve kapitale, si dhe mosrespektim i procedurave të prokurimit publik.

Po ashtu, janë evidentuar raste të pagesave me vonesë, angazhime të stafit jashtë procedurave ligjore, si dhe përdorim i mangët i sistemit të e-prokurimit.

Një nga pjesët më të theksuara të raportit i takon Komunës së Prishtinës, ku ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe konkluzion të kundërt për pajtueshmërinë.

Sipas raportit, janë identifikuar: klasifikim i gabuar i shpenzimeve në 52 raste, në vlerë mbi 7.7 milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 27 milionë euro,  pasaktësi në llogaritë e arkëtueshme dhe detyrimet financiare.

“Auditimi i Komunës ka rezultuar me opinion të kualifikuar si pasojë e mangësive materiale në PVF. Çështjet që e kanë ndikuar opinionin janë: në 52 raste, në vlerë totale prej 7,766,370 eurosh, shpenzimet ishin klasifikuar në kategori ekonomike jo adekuate, përfshirë pagesa nga vendime gjyqësore/përmbarimore dhe pagesa të tjera të realizuara nga Komuna, duke ndikuar në paraqitjen e saktë të shpenzimeve në PVF. Detyrimet kontingjente në PVF ishin mbivlerësuar për 27,289,835 euro, si rezultat i prezantimit jo të saktë të lëndëve gjyqësore. Obligimet e papaguara ishin paraqitur dy herë në PVF, duke rezultuar në mbivlerësim të detyrimeve për shumën prej 164,851 eurosh. Llogaritë e arkëtueshme në PVF ishin mbivlerësuar për 680,021 euro”, ka thënë Spanca.

Si raste ku janë vërejtur më shumë mjete të marra nga projektet kapitale janë: pagesa e faturës me vlerë 500 mijë euro për projektin “Ndërtimi i sheshit ‘Xhorxh Bush’”.

“Fondet janë marrë nga 15 projekte të ndryshme kapitale si dhe pagesa me vlerë 173 mijë euro për projektin ndërtimi i shkollës në lagjen ‘Kalabria’, ku mjetet janë marrë nga 8 projekte të ndryshme”, ka thënë ajo.

Si alarm mbi kaosin financiar, shefja e ZKA-së përmendi edhe gjetjet për një projekt me UNDP-në, ku janë transferuar 5.2 milionë euro parapagim, ndërsa mungon monitorimi i plotë institucional dhe transparenca mbi zbatimin e tij.

“Auditimi ka nxjerrë ne pah se Komuna nuk kishte kërkuar dhe siguruar me kohë raporte financiare dhe raporte monitorimi lidhur me ecurinë dhe realizimin e projektit, përkundër vlerës së konsiderueshme të mjeteve të transferuara dhe mundësisë së përcaktuar në marrëveshje që UNDP-ja t’i ofrojë këto raporte me kërkesë të Komunës. Raportet nga UNDP-ja ishin siguruar vetëm gjatë vitit 2026 pas kërkesës së auditorit. Nga Komuna ishte siguruar vetëm një raport i kompletimit të punëve për renovimin e përsëritshëm të objektit Gërmia. Për shkak se të gjitha fondet ishin transferuar tek UNDP-ja, auditorët nuk kishin qasje të drejtpërdrejtë në dokumentacionin dhe shpenzimet e realizuara nga UNDP-ja për zbatimin e projektit, çka kufizoi mundësinë e verifikimit të shfrytëzimit të mjeteve dhe realizimit të aktiviteteve të projektit”, ka thënë Spanca. “Sipas raportit të UNDP-së, projekti kishte pësuar ndryshime në fushëveprim, aktivitete dhe rialokim të buxhetit, pasi kostot e rehabilitimit dhe funksionalizimit të kompleksit të Tulltorës kishin tejkaluar buxhetin në dispozicion. Fillimisht, projekti kishte paraparë rivitalizimin e plotë të ndërtesave D1, D2 dhe D3 për instalimin e sistemit ‘Deep Space 8K’ dhe mini-fabrikës robotike për prodhim të tullave, me vlerë të vlerësuar të investimit prej rreth 7,000,000 eurosh, ndërsa buxheti total i projektit METIAH ishte rreth 5,000,000 euro”.
Raporti evidenton edhe shkelje të shumta në procedurat e prokurimit, përfshirë gabime në vlerësim të ofertave, mospërfshirje të pozicioneve në kontrata dhe devijime në vlerat përfundimtare të projekteve.

Po ashtu, janë konstatuar raste të lidhjes së kontratave pa mbulesë buxhetore dhe fillim i punimeve pa leje të nevojshme ndërtimore në projekte të mëdha infrastrukturore.

Në konferencën ku ka folur për gjetjet në institucione, Spanca theksoi se në disa raste, edhe subvencionet janë dhënë pa procedura të hapura konkurruese, përfshirë financimin e organizatave joqeveritare. Ajo theksoi se kjo përbën shkelje të rregullave të transparencës dhe barazisë në financim publik.

Përfaqësues të ZKA-së u ankuan se Prokuroria e Shtetit nuk i ka dhënë deri më sot asnjë informacion mbi rezultatet në rastet e raportuara, e që lidhen me shkelje gjatë menaxhimit të parasë publike.

“Ne në fakt kemi dërguar një shkresë te Prokurori i Shtetit që të kemi një informatë më të plotë për këtë konferencë, por që ende nuk e kemi pranuar. Po besoj që ditëve në vijim do të vazhdojë komunikimin dhe në rast se një informatë e tillë ekziston, Prokurori i Shtetit do ta ndajë me ne”, ka thënë ajo. “Kemi një departament për çështje juridike dhe kundër mashtrimit që në vazhdimësi komunikon me Prokurorin e Shtetit për të marrë informacione se ku janë rastet apo ku është statusi i rasteve që kemi dërguar te Prokurori i Shtetit, megjithatë deri tash nuk kemi ndonjë informatë se janë tri aktauza që janë ngritë si rezultat i raportit tonë auditues”.

Por, në Prokurorinë e Shtetit, përmes një përgjigjeje me shkrim, kanë konfirmuar se për raportin e publikuar të vitit të kaluar, Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka raportuar asnjë rast në instancat përkatëse përgjegjëse.

“Nga janari i këtij viti deri më sot Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka pranuar ndonjë raport nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Ndërkaq në vitet e kaluara të gjitha raportet e pranuara janë trajtuar nga prokuroritë kompetente”, ka thënë Liridona Kozmaqi-Hajdaraj, zëdhënëse në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Auditorja e përgjithshme u bëri thirrje institucioneve publike që t’i trajtojnë me seriozitet edhe denoncimet e edhe rekomandimet e auditimit, dhe ka theksuar se ato synojnë përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.