Historiani Jusuf Buxhovi ka vlerësuar se Kosova e ka sigurinë më të fuqishme sesa NATO.
Buxhovi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Kosova i ka dy favore shumë të rëndësishme, gjeostrategjike dhe gjeopolitike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Gjeostrategjikisht këtë hapësirë e ka marrë Perëndimi, e ka marrë NATO dhe SHBA-ja, përkundër tash politikës që po bën Trumpi njëfarë ridefinimi botëror, ai Kosovën e ka plan të parë. Nëse ju kujtohet në këto ditë të fundit dy-tri herë e përmendi Kosovën”, tha Buxhovi.
Ai shtoi se politika e Kosovës duhet të jetë e mençur dhe të përqendrohet në kartën gjeostrategjike.
“Nuk e shoh që Kosova rrezikohet. Përkundrazi...Kosova e ka sigurinë më të fuqishme se të NATO-s, sepse e ka 1244 që mbrohet. E Serbia e di shumë mirë se asnjë aventurë s’mund ta bëjë”, tha Buxhovi.
Buxhovi: Besoj që Haga do të vendosë drejt, si për Haradinajn e Limajn
Historiani Jusuf Buxhovi është shprehur se beson që Gjykata Speciale do të vendosë drejt në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka theksuar se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset në asnjë formë, pavarësisht pretendimeve që ka paraqitur Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Unë i besoj drejtësisë, duhet të presim, e kemi rastin Haradinaj, Limaj, kanë shkuar në Hagë dhe në fund janë liruar. Haga pavarësisht çfarë e thonë prokurorët, Gjykata do ta japë një verdikt të drejt. Lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset në asnjë formë sepse është guerilë çlirimtare që e ka krijuar represioni serb”, potencoi ai.
Buxhovi: Ka qenë projekti që Shqipëria të bëhet republika e shtatë e Jugosllavisë
Historiani Jusuf Buxhovi ka deklaruar se pas Luftës së Dytë Botërore ka ekzistuar një projekt politik që Shqipëria të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë.
Sipas tij, në atë periudhë shqiptarët iu nënshtruan ideologjisë së “vëllaznim-bashkimit”, ndërsa ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë ekzistonte një lidhje e ngushtë ideologjike, e cilësuar si vëllazërore.
“Ka qenë projekti që Shqipëria të bëhet republika e shtatë e Jugosllavisë. Enver Hoxha dhe Nexhmia i shkruanin letra Titos për bashkim, por këtë e ndali Stalini”, u shpreh Buxhovi në “Konfront” të KTV-së.
Sipas Buxhovit, pas kësaj periudhe pasoi mbyllja e kufirit mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, ndalimi i librave të përbashkët dhe forcimi i dominimit serb në Kosovë.
Buxhovi ka thënë se historia institucionale e Shqipërisë shërbehen nga historiografia serbomadhe.
Buxhovi: Shqiptarët përjetuan gjenocid e kulturocid kur u dëbuan në Turqi
Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se shqiptarët përjetuan gjenocid e kulturocid kur ishin dëbuar në Turqi. Siç ka thënë ai, ata u detyruan të ndërronin emrat dhe të regjistroheshin si turq.
Ai ka shpjeguar se shqiptarët kishin qenë të detyruar që t’i nënshtroheshin atij procesi për shkak të rrethanave kur mbetën nën okupues të ndryshëm.
“Ajo popullatë që mbeti nën Serbi, Greqi, Mal të Zi, që nuk pranoi si popullatë shqiptare por myslimane pastaj turke të shpërngulej, iu nënshtrua një terrori të madh, nuk kishte kurrfarë të drejta kombëtare, as arsim, e vetmja gjë lejohej që të jesh mysliman, normal Mbretëria serbe dhe jugosllave e bëri medresenë në Shkup të Karaxhorxheviqit që të krijohej një elitë myslimane që do ishte në shërbim të zhvendosjes së popullatës shqiptare. Në këtë drejtim, shqiptarët kanë përjetuar një gjencodi dhe kulturocid. Gjencoid se është dashtë në emër të atyre projekteve të lëshojnë trojet e tyre dhe të shkojnë nëpër viset më të rënda të Turqisë. T’i nënshtrohet edhe kulturociditi sepse është dashtë të regjistrohen si turq, të ndërrojnë emrat dhe nuk është lejuar kurrfarë identiteti i shqiptarëve atje”, ka shpjeguar ai.
Buxhovi: Në emër të vllaznim-bashkimit u harruan masakrat serbe
Historiani Jusuf Buxhovi ka deklaruar se gjatë periudhës së Jugosllavisë, në emër të ideologjisë së “vëllaznim-bashkimit”, janë lënë në harresë masakrat dhe krimet e kryera ndaj shqiptarëve.
Buxhovi foli për gjenocidin serb të viteve 1912/13, duke thënë se mungoi një organizim i mirëfilltë shtetëror që do të dokumentonte dhe trajtonte në mënyrë të merituar krimet e kryera ndaj shqiptarëve.
“Shteti i Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, vjen rikthimi i Serbisë dhe nuk kanë pasur mundësi që të shkruajnë një histori sado pak meritore. Kanë shkuar nga diaspora edhe Noli, edhe Faik Konica, por nuk kemi pasur organizim shtetëror që do të merret me këtë çështje”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Buxhovi shtoi se pas viteve 1944–45, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe krijimin e Jugosllavisë së re, ideologjia e “vëllaznim-bashkimit” e përjashtoi nga diskursi publik trajtimin e masakrave serbe ndaj shqiptarëve.
“Në emër të një ideologjie të re u tha: le të harrohet çka ka ndodhur”, u shpreh ai.
Buxhovi: Viti 1912 ka sjellë tragjedi për shqiptarët
Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se viti 1912 ka sjellë tragjedi për shqiptarët, derisa ka theksuar se këtë vit u bë gjenocid i përmasave ndërkombëtare.
Ai ka shtuar se gjenocidi i kryer kundër shqiptarëve atë vit është i pari i atij lloji që ka ndodhur në hapësirat evropiane.
“Edhe ‘12-ta dihet tragjedinë që e ka sjellë, u ndanë katër vilajetet shqiptare një pjesë e pushtoi Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia. Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor në 4 hapësira ishte e ndarë... ‘12-‘13 janë të sakta gjenocidi që është bë, janë vrarë mbi 100 mijë shqiptarë në këtë pjesën e Kosovës, Maqedonisë. Janë shpërngulur mbi 120 mijë dhe Serbia ka arritë të krijojë një gjenocid të përmasave ndërkombëtare. Është gjenocidi i parë i llojit që është bërë në hapësirat evropiane”, ka thënë ai në “Konfront”.
Buxhovi ka thënë tutje se para vitit 1912 shqiptarët kanë përjetuar edhe dy tragjedi të tjera, e para më 1877-78 nga lufta serbo-osmane.
“Serbia e ka barrën kryesore të gjenocideve dhe agresioneve sepse ka synuar prej kohësh të marrë vilajetin e Kosovës dhe Maqedonisë, ta lidhë korridorin e Moravës me Vardarin dhe ta krijojë ëndrrën e vet për të dalë në Detin Egje dhe Adriatik”.
Buxhovi: Për një shekull u bënë eksperimente për shpopullimin e Kosovës
Historiani Jusuf Buxhovi ka deklaruar se gjatë një shekulli janë zhvilluar projekte dhe politika të ndryshme me synim, sipas tij, shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët.
Duke folur me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, Buxhovi e cilësoi këtë datë si ndër më të rëndësishmet në historinë kombëtare, duke theksuar se ajo përmbyll një periudhë të gjatë shtypjeje, dhune dhe përpjekjesh për zhvendosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
“Këto 100 vjet kemi pasur një kohë të shtypjes, gjenocidit, vuajtjeve dhe eksperimentimeve të ndryshme për ta larguar një popull të lashtë nga trojet e veta. Ka qenë projekt hegjemonist serb, deri te politikat e Millosheviqit, që kishin për qëllim zhvendosjen e shqiptarëve përmes programeve të ndryshme”, u shpreh ai në “Konfront” të KTV-së.
Sipas Buxhovit, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ndali një nga projektet e fundit të zhvendosjes masive të shqiptarëve gjatë periudhës mars–qershor të atij viti.
Ai theksoi se rrugëtimi historik drejt shtetësisë përbën një pjesë të rëndësishme të kujtesës kolektive, duke shtuar se shpallja e pavarësisë përfaqëson realizimin e aspiratës shekullore për shtet të pavarur.