Arbëri

Cakolli: Votimi i hapur është rregulli, i fshehti është përjashtim

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se zgjidhja e kryetarit të Kuvendit nëpërmjet votimit të fshehtë nuk parashihet nga Rregullorja e Punës, duke thënë se nëse kjo do të ishte paraparë, duhej të bëhej nga seanca e parë konstituive.

Ai ka shkruar në Facebook se votimi i hapur në sistemin parlamentar të Kosovës është i rregullt, e votimi i fshehtë tha se është përjashtim dhe vlen “vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë”.

Cakolli përmendi zgjedhjen e presidentit apo emërimet në borde dhe agjenci të pavarura si formë e votimit të fshehtë.

“Në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregulli. Votimi i fshehtë është përjashtim – dhe përjashtimet vlejnë vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë, si në rastin e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura. Votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet thjesht pse “është më i lehtë” për dikë që nuk i siguron dot votat ndryshe. Në rastin tonë konkret, asnjë nen i Rregullores së Punës nuk parashikon që Kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votim të fshehtë. Dhe kjo është thelbësore: nëse do të ishte paraparë një mënyrë e tillë, ajo jo vetëm që do të ishte e përshkruar qartë, por do të duhej të ishte gjithashtu e vetmja mënyrë votimi – e aplikuar që në fillim të procesit”, ka shkruar Cakolli i KDI-së.

Ai ka shtuar se zgjidhja e kryeparlamentarit do të ishte precedent i rrezikshëm, ku shtoi se nëse kjo do të ndodhte të enjten, mund të ndodhë në të ardhmen për qeverinë apo çështje të tjera politike.

“Së fundmi, disa po përpiqen të argumentojnë se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë – duke u thirrur në një prej pikave të aktgjykimit të Kushtetueses, të vitit 2014. Megjithatë, kjo është një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik. Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm”, ka shkruar Cakolli, derisa i reagoi ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, që u shpreh se aktgjykimi i 2014-s për zgjedhje të kryeparlamentarit e ka lejuar votimin e fshehtë.

Cakolli ka shtuar se deputetët në parim s’janë zgjedhur që ta fshehin votën e tyre por “ata janë aty për të përfaqësuar publikisht qytetarët që u kanë dhënë besimin”.

“Parimisht, deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur votën e tyre. Ata janë aty për të përfaqësuar publikisht qytetarët që u kanë dhënë besimin. Nëse nuk kanë guximin të deklarojnë hapur për kë votojnë për Kryetar të Kuvendit, ndoshta nuk janë duke marrë një vendim për interes publik – por thjesht duke luajtur lojëra të brendshme partiake”, shtoi ai.

Murati ka shkruar në Facebook se partitë opozitare nuk po iu besojnë deputetëve të tyre, duke shtuar se hezituan të merrnin pjesë në një proces ku vullneti i lirë i deputetëve do të mund të ushtrohej pa presion".