Arbëri

Mustafa: Rritja e pagës minimale ishte e pashmangshme

Njohësi i politikave sociale, Artan Mustafa, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë në detyrë të premten për rritjen e pagës minimale në Kosovë, duke e cilësuar si një hap që e përafron vendin me zhvillimet rajonale.

“Nuk ka pasur studime konkrete që tregojnë si ka ndikuar ngritja e pagës minimale, por pothuajse çdo shtet i rajonit – përveç Shqipërisë – e ka tashmë mbi 500 euro. Edhe Shqipëria ka paralajmëruar se në fillim të vitit do ta bëjë mbi 500. Pra, është një trend rajonal, dhe Kosova është e fundit që po e bën këtë hap. Megjithatë, është një vendim i mirëseardhur”, ka thënë Mustafa në “Interaktiv”.

Ai shtoi se paga minimale në Kosovë, edhe pas rritjes, do të mbetet nën 70% të të ardhurave mesatare në tregun e punës gjatë vitit 2026.

Mustafa theksoi se reagimi i sektorit privat ndaj këtyre ndryshimeve është i pritshëm, por sipas tij, bizneset po e kuptojnë realitetin e ri të tregut të punës.

“Është normale që sektori privat të reagojë me skepticizëm ndaj ndërhyrjeve të tilla të qeverisë. Megjithatë, shumë biznese e dinë se nëse pagat nuk rriten, punëtorët do të largohen. Në ditët e sotme është e vështirë të shfrytëzosh dikë për më pak para. Kjo rritje ishte e pashmangshme, qoftë edhe pas një viti”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu përshëndeti vendimin për rritjen e pensioneve.

“Është një vendim i mirëseardhur edhe për pensionistët. Rritja e pensioneve do të prekë rreth 160 mijë të moshuar”, shtoi Mustafa.

Ekzekutivi në mbledhjen e së premtes, mes shumë vendimeve, ka miratuar edhe rritjen e pagës minimale, e cila prek rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat. Ajo aktualisht është 350 euro, ndërsa është paraparë që të rritet në dy faza. Fillimisht në 425 euro në janarin e vitit të ardhshëm, ndërsa në korrik të bëhet 500 euro për të gjithë punëtorët me orar të plotë.

Gjitashtu, u vendos rritja e pensionit minimal për 30 euro (nga 120 në 150). Do të ketë ndikim te 200 mijë persona të cilat janë mbi 65 vjeç.