Themeluesi i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka thënë se regjimi i Sllobodan Millosheviqit nuk ishte ndryshe nga Gjermania naziste. Çanak në podcastin PIKË me Veton Surroin u shpreh se “gjithçka që kishte Gjermania naziste, kishte Serbia e Millosheviqit”, duke argumentuar se politika dhe struktura e shtetit të Millosheviqit kishte shumë ngjashmëri me ato të përdorura nga regjimi i Adolf Hitlerit.
Sipas Çanak, gjatë periudhës së udhëheqjes së Millosheviqit, Serbia operonte në një mënyrë që mund të krahasohej me një regjim fashist, por që e mbështjelle në një formë legalizmi dhe një lloj vullnetarizmi. Ai e theksoi se, ndërkohë që në atë kohë kjo ishte më e fshehur, veprimet e atij regjimi ishin padyshim fashiste, edhe pse të maskuara si pjesë e një strukture shtetërore ligjore.
Në diskutimin me Surroin, Çanak sqaroi se gjatë periudhës së Millosheviqit, në Serbi u krijua një “kombinim i nacionalizmit që bazohej në ndërtimin socialist të shoqërisë”.
Ai shtoi se regjimi serb ishte një regjim autokton nacionalsocialist, i cili funksiononte me shërbime sekrete të ngjashme me ato të Gjermanisë naziste, siç ishte “Gestapo” dhe “Kripo”, duke e krahasuar këtë sistem me strukturat e shtetit totalitar të nazistëve.
Çanak shprehu se Serbia e Millosheviqit kishte një shtet të rregulluar, pavarësisht se ideologjia komuniste ishte ende në përdorim. Ai theksoi se, megjithëse ligjet e asaj periudhe ishin të dhunshme dhe diskriminuese, ato ishin zbatuar me rregull dhe organizim, në mënyrë të ngjashme me regjimin nazist, ku edhe veprimet më mizore realizoheshin në përputhje me ligjet e vendit.
Në fund, Çanak e theksoi se Serbia e Millosheviqit, ashtu si dhe Gjermania naziste, kurrë nuk arriti të bëhej një shtet funksional dhe i organizuar në kuptimin evropian të fjalës.
