Arbëri

Çerekshekulli KTV, rrëfimi i Veton Surroit për projektin më të besueshëm te publiku

veton surroi

Në prag të mbushjes së çerekshekullit të projektit më të besueshëm te publiku, publicisti dhe themeluesi i Kohavisionit, Veton Surroi, ka folur për sfidat e themelimit të këtij mediumi.

Ai ka thënë se ideja ka lindur para çlirimit të vendit.

Ka shtuar se së bashku me Komitetin suedez të Helsinkit i cili ishte ofruar atëherë të trajnonte disa prej regjisorëve të ardhshëm, patën filluar projektin.

“Ka qenë edhe ideja për radio, në muajt e fundit para çlirimit. Ne nuk dinim kur do të vinte çlirimi, por derisa të vinim në atë fazë që ishte e pritshme për ne, që të ketë staf i cili do të mund të vepronte. Problem për dallim të gazetës ‘Koha Ditore’, e cila filloi me trajnime të gazetarëve, edhe me përvojën së paku timen në gazetari të shkruar, në televizion kishim problem tjetër që nuk kishim njeri me përvojë nga stafi i Kohës, që kishte kaluar në televizion”, ka kujtuar ai.

Surroi ka thënë se në fillim kishin sfida teknike, duke kujtuar se nuk kishte as rrjet të transmetimit.

“Unë nga viti 2004 nuk jam në Kohë, jam shikues. Vitet e fillimit kanë qenë të etablimit të një rruge që tregon se ekziston besueshmëria në këtë medium, se nuk ka ndikim politik dhe ekziston një pavarësi e plotë. Me sa kam parë gjatë këtij çerekshekulli, Koha është mediumi më i besueshëm tradicionalisht”, ka deklaruar ai.

Ka shtuar se KTV-ja ka nisur me  një staf që ka arritur të vendosë standarde që nga emisioni i fëmijëve, emisioni i artit, debatit serioz, me kushte elementare.

Sipas tij, po jetojmë në një kohë që televizioni përveç shumë presioneve që ka, ballafaqohet edhe me faktin se revolucioni teknologjik, ka krijuar dimension tjetër ku sërish vjen në shprehje besueshmëria.

“Mediat sociale janë deti ku zhvillohet mosbesimi”, ka thënë ai.