Arbëri

Çerkini: Aktgjykimi nuk i jep veto Listës Serbe

Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Zahir Çerkini, ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit për votimin e nënkryetarit nga komuniteti serb është vazhdimësi e një linje të qartë vendimesh që synojnë zhbllokimin institucional dhe respektimin e rendit kushtetues.

Ai ka deklaruar se aktgjykimi nuk i jep veto Listës Serbe e as nuk e bllokon Kuvendin.

Sipas Çerkinit, debatet publike rreth vendimeve të Gjykatës Kushtetuese janë të dobishme, por ai thekson se mosbindja ndaj tyre dhe nxitja për mosrespektim përbëjnë problem serioz për funksionimin e shtetit.

“Ky është një aktgjykim strukturor, që flet për mënyrën se si është ndërtuar pushteti shtetëror sipas Kushtetutës. As Kushtetuta dhe as Gjykata Kushtetuese nuk flasin me emra të përveçëm apo për parti politike konkrete”, u shpreh ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai sqaroi se thelbi i aktgjykimit lidhet me çështjen e propozimit të nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb dhe me pyetjen se kush ka të drejtë ta bëjë këtë propozim. Në këtë kontekst, Çerkini kujtoi se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb duhet të propozohet nga partia që ka shumicën e vendeve të rezervuara, që në këtë rast është Lista Serbe.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese në raste të tilla kanë efekt pro futuro, pra vlejnë për të ardhmen. Janë katër aktgjykime që kanë sqaruar në detaje procesin e konstituimit të Kuvendit dhe të gjitha përdorin gjuhë të zhbllokimit institucional, për të shmangur bllokadat”, ka thënë Çerkini.

Ai theksoi se mekanizmat e zhbllokimit nuk mund të përdoren për të mbivendosur apo cenuar të drejtat e pakicave, duke rikujtuar se vendet e rezervuara për komunitetet joshumicë dhe përfaqësimi i tyre në nivelin e nënkryetarëve janë vazhdimësi e lirive dhe të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë.

Duke folur për rolin konkret të nënkryetarit të Kuvendit nga komunitetet joshumicë, Çerkini e cilësoi atë si “jashtëzakonisht periferik” në punën e përditshme të Kuvendit.

“Krijuesi i Kushtetutës është siguruar që komunitetet joshumicë të mos kenë mekanizma bllokues në formimin e institucioneve. Ato kanë vetëm dy të drejta ekskluzive të votës: për ndryshimet kushtetuese dhe për legjislacionin me interes vital. Në të gjitha çështjet e tjera, vota e tyre është e barabartë me atë të deputetëve të tjerë”, shtoi ai.

Çerkini pranoi se Lista Serbe paraqet problem politik për Kosovën, por sipas tij, shteti duhet të veprojë me maturi. Ai ka thënë se ballafaqimi me këtë parti duhet të jetë fillimisht politik e vetëm në fund juridik, duke përmendur si moment kyç pritjen e epilogut gjyqësor për rastin e Banjskës.

“Nëse ka prova konkrete dhe aktgjykime të formës së prerë që lidhin eksponentë të kësaj partie me sulmin terrorist, atëherë spektri politik i Kosovës duhet të gjejë unitet dhe të diskutojë me ndërkombëtarët për përfaqësimin real të komunitetit serb”, theksoi ai.

Si zgjidhje praktike për situatën aktuale dhe për të hequr, siç tha ai, “barrën morale” të votimit të një kandidati që vjen nga Lista Serbe, Çerkini propozoi rikthimin e votimit në paketë për nënkryetarët e Kuvendit.

“Le të votohet njëherësh për dy nënkryetarë, ashtu siç ka qenë praktika para kësaj legjislature”, përfundoi profesori i së Drejtës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 28 janarit ka thënë se propozimi për nënkryetar nga komuniteti serb duhet të jetë nga deputetët që janë shumicë, që në këtë rast janë ata të Listës Serbe.