Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se mijëra punëtorë rrezikojnë të mbesin pa vende pune e pa të ardhura për shkak të shkyçjes nga rrjeti i energjisë elektrike.
KEDS-i të shtunën njoftoi se ka nisur shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me një furnizues.
Çitaku ka thënë se bizneset po shkyçen me dhunë, derisa e ka quajtur alarmante situatën.
“Qytetari i Kosovës, i rraskapitur nga çmimet e larta të produkteve bazike dhe energjisë, sot po përballet edhe me rrezikun e papunësisë masive, si pasojë e vendimeve rrënuese të Kurtit dhe klikës së tij në ZRRE. Situata është alarmante. Ky është vetëm vazhdimi i përpjekjeve të qëllimshme të lidershipit të LVV-së dhe vartësve të tyre për të shkatërruar sektorin privat, ashtu siç kanë bërë me institucionet e pavarura. Kjo mendësi totalitare i përket shekullit të kaluar, dhe shoqëria jonë nuk do ta tolerojë”, ka shkruar ajo në Facebook.