Arbëri

Çitaku: Thaçi nga Malet e Pashtrikut lidhi aleancë me NATO-n, Kurti po i shkatërron nga zyra

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, përmes një konference për media, krahas deklaratave për fushatën zgjedhore që po e zhvillon kjo parti, foli edhe për pezullimin e Kosovës nga dialogu strategjik me SHBA-në.

Sipas Çitakut, nga malet e Pashtrikut, Hashim Thaçi e solli Amerikën në Kosovë dhe nga Haga po i dërgon për mbrojtje të vlerave të UÇK-së.

“Është e paimagjinueshme që 26 vite pas luftës, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, Kosova të jetë e ndëshkuar, e penalizuar nga aleatët e saj. E tërë kjo për shkak të qasjes së papërgjegjshme dhe avantureske të Albin Kurtit. Nuk ka ndërhyrë Amerika në Kosovë për të na bërë vend të dështuar e të izoluar. Imagjinojeni, Hashim Thaçi nga Malet e Pashtrikut ka lidhë aleancë me NATO-n e edhe tani nga burgu i Hagës e solli Amerikën në mbrojtje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Albin Kurti nga komoditeti i zyrës së kryeministrit, suksesshëm ka arritur të rrënojë aleanca të shumta të cilat janë ndërtuar me shumë mund, gjak e sakrificë.”, ka deklaruar Çitaku.

Tutje, Çitaku gjatë kësaj konferenceje, ka vlerësuar fushatën që kjo parti po e zhvillon për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Gjithashtu sipas saj, PDK-ja në këto zgjedhje, nuk do të fitoj vetëm në komunat ku aktualisht po udhëheqë, sipas saj do të ketë shumë befasi.

“Të jeni të bindur, PDK-ja nuk do të fitoj vetëm në komunat ku tashmë jemi në qeverisje, sepse aty është patrë puna e jashtëzakonshme e kryetarëve tanë. Ka shumë komuna do të ketë befasi sepse po shihet tashmë epërsia e kandidatëve tanë në raport me kundërkandidatët.”, deklaroi mes tjerash Çitaku.

Ajo falënderoi edhe aktivistët e kësaj partie dhe qytetarët për siç tha, kulturën që po e tregojnë edhe në këtë fushatë zgjedhore.