Arbëri

Çka thuhet për Kosovën në programin e Qeverisë së re gjermane?

Në Berlin sot është prezantuar marrëveshja e koalicionit të ri qeveritar. Aty flitet edhe për Kosovën. Kërkohet të hiqen vizat - dhe përkrahet dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ministre e re e jashtme pritet të jetë Annalena Baerbock nga Partia e Gjelbër. Ky është lajm i mirë, sepse Baerbock është kritike e autokratëve dhe e politikave provokuese të Rusisë.

Tri parti gjermane (socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët) prezantuan të mërkurën marrëveshjen e koalicionit qeveritar. Krerët e partive dhe kandidati për kancelar Olaf Scholz dolën para mediave në orën 15:00 për të folur mbi detajet e marrëveshjes. Shkurtimisht këto janë pikat kryesore të marrëveshjes: investime masive në prodhimin e energjisë së ripërtritshme. Deri në vitin 2030 rreth 80 për qind e energjisë elektrike në Gjermani pritet të prodhohet nga era dhe dielli. Po më 2030 Gjermania synon të heq dorë përfundimisht nga qymyri. Në vitin e parë të qeverisjes rroga për një orë punë pritet të rritet në 12 euro. Mosha për pjesëmarrje në zgjedhjet nacionale dhe europiane do të ulet nga 18 në 16 vjet. Përjashtohet shkurtimi i pensioneve dhe ngritja e moshës së pensionimit. Planifikohet që çdo vit të ndërtohen nga 400 mijë banesa të reja.

Zgjedhjet në Gjermani u mbajtën para 8 javësh. Negociatat për koalicionin e ri nisën më 21 tetor. Ato u zhvilluan nga 6 përfaqësues të secilës parti dhe nga 22 grupe punuese. Marrëveshja e koalicionit duhet të miratohet nga kongreset e partisë socialdemokrate dhe asaj liberale, ndërsa të gjelbrit do të pyesin anëtarësinë. Planifikohet që qeveria e re e kancelarit Scholz të zgjidhet në javën e dytë të dhjetorit.

Në programin e qeverisë flitet edhe për Ballkanin. Sa i përket Kosovës, në program thuhet: Gjermania kërkon heqjen e vizave për kosovarët dhe kosovaret dhe përkrah dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në marrëveshjen e koalicionit nuk përmendet njohja e ndërsjellë, gjë që është një mangësi nga këndvështrimi kosovar. Në marrëveshjen e koalicionit theksohet se duhet të hapen negociatat për hyrje në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Po ashtu kërkohet vazhdimi i negociatave për anëtarësim të Serbisë dhe Malit të Zi. Për Bosnjë-Hercegovinën thuhet se Berlini edhe në të ardhmen do të mbështesë integritetin territorial të këtij vendi.

Ndonëse sot nuk është folur për emrat që do të jenë pjesë e qeverisë, përveç kancelarit të ardhshëm, i cili dihet (Olaf Scholz), në mediat gjermane është njoftuar ministre e re e punëve të jashtme pritet të jetë Annalena Baerbock nga Partia e Gjelbër. Ky është lajm i mirë, sepse Baerbock është kritike e autokratëve dhe e politikave provokuese të Rusisë. Për dallim nga një pjesë e socialdemokratëve, të cilët ose duan një ekuidistancë ndaj Moskës dhe Washingtonit ose janë lobistë të Moskës (si ish-kancelari Gerhard Schröder) dhe po ashtu për dallim nga disa liberalë që kanë afërsi me firmën ruse Gazprom, Annalena Baerbock ka një qëndrim të qartë kritik kundër Rusisë së Vladimir Putinit. Baerbock ka kërkuar që të bllokohet gazsjellësi Nord Stream 2, përmes të cilit Rusia dërgon gaz në Gjermani duke anashkaluar Ukrainën. Baerbock argumenton se Nord Stream 2 nuk duhet të ketë licencë për punë për aq kohë sa nuk respekton dispozitat europiane të energjisë.

Baerbock është anëtare e Parlamentit gjerman që nga viti 2013. Paraqitja e saj në opinion është e freskët, e drejtpërdrejtë, ajo angazhohet për barazi mes gjinive, për mbrojtje të ambientit, për integrime europiane dhe solidaritet shoqëror. Baerbock është 40-vjeçare. Para disa vjetëve gazeta DIE ZEIT e pyeti atë se çfarë e kishte shtyrë të hynte në politikë. Ajo u përgjigj: luftërat në Kosovë dhe Irak. Baerbock i përket krahut realpolitik të të gjelbërve, pra krahut të Joschka Fischerit, i cili në fund të viteve 90-të e detyroi partinë e tij të pranojë stacionimin e trupave gjermane në Bosnjë e Kosovë, si dhe intervenimin gjerman në Kosovë në kuadër të NATO-s. Kësisoj të Gjelbrit u distancuan nga pacifizmi me çdo kusht. As nga NATO-ja nuk duan të dalin të gjelbërit. Baerbock një kohë është marrë me gazetari, ka studiuar shkencat politike dhe ka kryer një master në Londër në të drejtën ndërkombëtare.

Nënkancelar, pra zëvendëskryeministër, pritet të jetë Robert Habeck, i cili bashkë me Baerbock drejton partinë e gjelbër. Habeck është doktor i filozofisë, autor i disa librave jofiksionale, por ka treguar interesim edhe për letërsinë. Në vitet 90-të ka përkthyer disa tregime të një autor anglez, i cili kishte shkruar për Bosnjë. Habeck para disa muajsh nxiti debate në Gjermani kur kërkoi që të përkrahet Ukraina me armë. Me këtë qëndrim ai u distancua nga krahu pacifist i të gjelbërve, të cilët në vitet 90-të për pak u shpërbënë si parti për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj konflikteve në Ballkan. Në fund fitoi krahu transatlantik dhe antirus. Dhe në fund të këtij teksti: ministër i ri i financave do të jetë Christian Lindner nga partia liberale (FDP).