SOT

“Nike”, “Adidas” e “Ariel” ndër mallrat më të falsifikuara në tregun e Kosovës

"Produktet firmë të falsifikuara që vijnë nga Turqia, është shumë e vështirë të dallohen nga origjinali, pasi janë shumë mirë të kopjuara"

“Nike”, “Fila”, “Adidas”, “Hugo Boss”, “Calvin Klein” janë disa nga firmat më të njohura të falsifikuara të veshmbathjeve që tentojnë të futen në Kosovë.

Vetëm gjatë këtij viti, produkte me vlerë mbi 14 milionë euro janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, të cilat kanë tentuar të futen brenda tregut kosovar.

Përderisa pas tyre janë edhe firma të tjera të njohura, por që janë në masë më të vogël, si “Channel”, “Tommy Hilfiger”, “Prada” e të tjerë. 

Mallra që kanë tentuar të futen si të falsifikuara në Kosovë e që janë konfiskuar në masë të madhe janë edhe produktet mjekësore që matin nivelin e sheqerit në gjak.

E pas tyre vijnë edhe produktet kozmetike e që janë nga firma “Essence”. Përderisa Dogana e Kosovës në masë të madhe gjen edhe falsifikime të detergjentit “Ariel”, që tentojnë të futen në tregun e Kosovës. 

Sadije Topojani, udhëheqëse e sektorit për të drejtat e pronës intelektuale, thotë se kryesisht këto mallra kanë origjinë nga Turqia.

“Dogana e Kosovës ka konfiskuar si rezultat që kanë rezultuar si false. Janë mallra mbi 14 milionë euro nga janari deri më tani. Burimi i origjinës është nga Turqia, kemi edhe nga Kina në numër më të vogël, nga përqindja më e lartë mallrat e Turqisë vijnë si më të falsifikuara. Kemi raste edhe nga vendet e Bashkimit Evropian dhe ato i ndalojmë për verifikim dhe rezultojnë të falsifikuara”, deklaron Topojani.
Produktet firmë të falsifikuara që vijnë nga Turqia, Topojani thotë se është shumë e vështirë të dallohen nga origjinali, pasi janë shumë mirë të kopjuara.

“Duke u bazuar nga përvoja që kam në këtë fushë, mallrat nga Turqia falsifikimi është shumë më i sofistikuar. E them këtë duke u bazuar edhe në përgjigjet e bartësve të së drejtës. Afati për përgjigje nga ta është 10 ditë pune dhe bartësit e së drejtës në këto raste për shumicën e mallrave që kanë si burim prejardhjen prej Turqisë kërkojnë shumë informacione të detajuara për të ardhur deri te verifikimi i vërtetë i origjinalitetit të atij produkti. Kjo, sepse është i sofistikuar shumë mirë falsi. Në pamje të parë duken si origjinal, por pastaj rezulton se nuk janë”, thekson Topojani.

Përveç veshmbathjeve, Topojani thotë se edhe falsifikimi i “Arielit” është shumë i vështirë të dallohet.

“Kemi problem edhe me detergjente të falsifikuara, edhe produkte për mirëmbajtje të lëkurës dhe të flokëve. Janë një numër i madh i këtyre produkteve. “Arieli” është në një numër të madh të falsifikuar. Ta shohësh paketimin beson që është origjinal, por në fakt është fals. Patjetër që kemi atlete, veshmbathje që janë shumë dhe tentojnë të hyjnë në Kosovë, por vijnë edhe produkte që paraqesin rrezik edhe për shëndetin e njeriut. Kemi një numër të madh të pajisjeve mjekësore që kanë rezultuar si të falsifikuara. Janë aparatet që bëjnë matjen e glukozës në gjak dhe është e dhimbshme”, shton Topojani.

E gjithë kjo punë arrihet falë bashkëpunimit që kanë sektori i të drejtave të pronës intelektuale të Doganës me personat përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të këtyre firmave.

“Të drejtat e pronës intelektuale në përgjithësi janë shumë të rëndësishme për shtetin, sepse inkuadrojnë krijuesit e këtyre veprave e po ashtu ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Zbatimin e të drejtave të pronës intelektuale dhe nga viti 2011 hap pas hapi i ka dhënë rëndësi të veçantë mbrojtjes së këtyre të drejtave. Kemi vlerësime pozitive edhe nga Bashkimi Evropian. Kjo na ka ndihmuar neve pronarëve të këtyre të drejtave të marrin informacione të detajuara se si të identifikojmë një produkt që është i ngjashëm, por nuk është origjinal. Vizitat e ndryshme në fushën e IPR ka ndihmuar të jemi vigjilent”, thekson Topojani.

Sa i përket tentimit të futjes së iPhone fals në Kosovë, Topojani thotë se ka më pak, ndërsa në numër më të madh janë aksesorët për telefon.

“Numri më i madh është i veshmbathjeve, por kemi edhe aksesorë për telefon. Telefona kemi më pak, por aksesorë më shumë. Kryesisht janë prej Emirateve të Bashkuara dhe çdo ndalesë që është bërë nga Dogana kanë rezultuar se janë të falsifikuara. Është e përkushtuar në luftimin e këtyre fenomeneve”, deklaron Topojani.

Dogana e Kosovës përveçse është vlerësuar pozitivisht në raport të progresit të Komisionit Evropian, ajo del mirë edhe në operacionet që i kanë në kuadër të organizatës botërore të doganave, ku edhe Kosova është pjesë e saj. 

“Nga 2017 Dogana është anëtare e organizatës botërore të doganës dhe vazhdimisht marrim pjesë në operacione ndërkombëtare. Së fundmi është operacioni stop4, ku Kosova renditet e 7-a për nga progresi dhe suksesi në luftën kundër falsifikimit në këtë operacion”, thotë Topojani.

Produktet e konfiskuara shumica asgjësohen. Dogana bën kërkesa që veshmbathjet të dërgohen edhe për bamirësi në rast se ajo lejohet nga pronarët që e kanë të drejtën e firmave për të cilat bëhet fjalë.