Arbëri

CT-ja në Vushtrri tre vjet me defekte, pret tenderin për servisim

Aparatura për CT në Spitalin e Vushtrrisë tash e tre vjet del jashtë funksionit duke i detyruar pacientët që këtë shërbim ta kryejnë te privatët, apo të futen në listën e pritjes në QKUK. Derisa në këtë spital kanë thënë se kanë kërkuar ndihmë nga SHSKUK-ja për servisimin e mirëmbajtjen e kësaj pajisjeje, kjo e fundit bën të ditur se tenderi i radhës për servisim dhe mirëmbajtje është në fazën para nënshkrimit të kontratës

Ani që Spitali i Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, është i pajisur me aparaturë për CT, pacientët detyrohen që këtë shërbim ta kryejnë në QKUK apo në spitalet private. Defektet teknike të lidhura me këtë aparaturë janë të pranishme prej tre vjetësh. Problemi që kishte njëra nga pjesët e pajisjes u rregullua në shtator të vitit të kaluar, por pa kaluar shumë muaj, dy pjesë të tjera dolën jashtë funksionit dhe tanimë ajo është krejtësisht e papërdorshme.

Këtë pajisje Spitali e ka që prej 2016-s, në kuadër të donacionit të përgjithshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Funksionalizimi i saj është premtuar disa herë gjatë viteve, por një gjë e tillë nuk është realizuar ende. Për mosrregullimin e CT-së, drejtoresha e Spitalit, Shefkije Shatri, nuk ka pranuar të prononcohet ani se një gjë e tillë i është mundësuar dy herë brenda javës.

Shatri në një përgjigje me shkrim, pa dhënë shumë detaje, ka thënë se tashmë janë në pritje të procedurave nga SHSKUK-ja.

“Ndërsa sa i përket defektit të CT-së, pasi që ka ndodhur jemi interesuar dhe kemi konstatuar se shuma e mjeteve financiare për servisimin dhe mirëmbajtjen e saj është shumë e lartë, rrjedhimisht e papërballueshme për buxhetin e Spitalit. Për këtë arsye kemi kërkuar mbështetje nga SHSKUK-ja. Kërkesën të cilën e kemi drejtuar në SHSKUK përfshin mbështetjen financiare dhe procedurale. Për këtë jemi në pritje të zhvillimit të procedurave nga organet përkatëse në SHSKUK”, ka thënë drejtoresha e Spitalit, Shefkije Shatri.

Në këtë institucion nuk kanë dhënë hollësi rreth shkaktarit të mundshëm të prishjes.

E në kompaninë “YessPharma”, e cila më 29 shtator 2021 e kishte bërë zëvendësimin dhe instalimin e pjesës defektive, dyshohet që shkak ishte furnizimi jo i mirë me energji elektrike dhe mungesa e mirëmbajtjes preventive teknike.

Më 8 shtator të atij viti, SHSKUK-ja kishte nënshkruar kontratë me këtë kompani për të servisuar dhe funksionalizuar pjesën në defekt, por jo edhe për ta mirëmbajtur atë.

Si pasojë, pas rikthimit në punë të pajisjes, shtatorin e kaluar, dy pjesë të tjera kanë pësuar defekt pas një kohe shumë të shkurtër, duke bërë që pajisja të dalë sërish jashtë funksionit.

“Sipas deklaratës së bashkangjitur, ‘Yess Pharma’ ka garantuar zëvendësimin e pjesës me pjesë të re, me garanci 12 muaj. Megjithatë, edhe pas rikthimit në punë të pajisjes, ajo pas një kohe pësoi tjetër defekt nga ku kemi dy pjesë tjera defektoze. Për këto pjesë është publikuar prokurim i veçantë këtë vit nga SHSKUK-ja, teksa në këtë aktivitet prokurimi përveç zëvendësimit të pjesëve, SHSKUK-ja ka kërkuar edhe garantimin e funksionalitetit të plotë të pajisjes – pra zëvendësimin e cilësdo pjesë tjetër defektoze”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim nga kompania.

E në SHSKUK nuk kanë dhënë asnjë sqarim për kontratat e tjera të mëhershme për kompaninë aktuale dhe asnjë konstatim për defektet e pajisjes.

“Për CT në Vushtrri është hapur tenderi për servisim dhe mirëmbajtje, i cili është në fazën para nënshkrimit të kontratës”, thuhet shkurt në përgjigjen e institucionit.

KOHA pati raportuar në prill të këtij viti se në Klinikën e Radiologjisë në QKUK, lista e pritjes për kryerjen e një CT-je apo shërbimin imazherik është më shumë se pesë muaj.