Mbrojtja e të akuzuarit për sulmin e Banjskës, Dushan Maksimoviq, ka propozuar që të ftohet një dëshmitar i ri për të dëshmuar.
Propozimi u bë në seancën kur ishte paraparë të dëgjohej dëshmia e dëshmitares Dragana Antonijeviq, por Gjykata njoftoi se ajo nuk është e pranishme në sallën e gjykimit. Sipas Gjykatës, babai i saj njoftoi se ajo gjendet në Serbi.
Prokurori special Naim Abazi, propozoi që të lexohet dëshmia e dëshmitares Antoijeviq. E edhe avokatët e të akuzuarve u pajtuan që të lexohet deklarata e kësaj dëshmitareje. Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti aprovoi propozimin e prokurorit Naim Abazi, me arsyetimin se ky propozim ka bazë ligjore.
E në deklaratën që u paraqit para trupit gjykues, dëshmitarja ka pretenduar se “para se të ndodhë sulmi, nuk ka parë njerëz të armatosur afër banesës së saj, por kur ka ndodhur sulmi i ka parë e se kur kanë nisur të shtënat, bashkë me familjen janë shtrirë në dyshemenë e korridorit të banesës.
“Tutje, ka shtuar se personat e armatosur nuk di se me çfarë armë kanë qenë, por që kanë qenë të maskuar dhe ngjyra e uniformës ka qenë e gjelbër. Në pyetjen e prokurorit special se çfarë ka parë brenda Hotelit më dt.25.09.2023, pra një ditë pas sulmit të Banjskës, e njëjta ka deklaruar se ka shkuar në punë duke u kthyer rreth orës 07:30 apo 07:40 në Hotel dhe ka takuar rojën si dhe mysafirët e Hotelit, të cilët kanë qenë kryesisht njerëz të moshuar por ka pasur edhe gra e fëmijë por të cilët kanë qenë nga Maqedonia dhe Serbia. Në fund, ka shtuar se në Hotel atë ditë nuk ka parë persona të armatosur, të plagosur e as të dyshimtë apo të panjohur, por vetëm kamerierin, rojën dhe mysafirët e hotelit”, u tha në deklaratën e paraqitur para trupit gjykues.
Mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq ka propozuar një dëshmitar tjetër, por këtë e ka kundërshtuar prokurori special Naim Abazi, i cili tha se dëshmitari është jo relevant për çështjen penale. “Nuk ka njohuri direkte për këtë çështje. Dëshmitari nuk kontribuon në vërtetimin e gjendjes faktike, por vetëm zvarritjen e procedurës”, ka thënë ai.
Abazi tha se propozimi është plotësisht i paqartë. Ai propozoi që ky dëshmitar të mos dëgjohet. E avokatja Jovana Filipoviq, tha se është e rëndësishme që të dëgjohet ky dëshmitar dhe se propozimi i prokurorit special, nuk qëndron.
Trupi gjykues aprovoi propozimin e mbrojtjes së akuzuarit Dushan Maksimoviq, që të dëgjohet dëshmitari Millosh Radosavljeviq.
Pas kësaj, seanca u shty për 16 janar.
Në këtë rast ishin të propozuar tre dëshmitarë anonimë: “F1”, “A2”, “X1”.
Duke u gjykuar për kryerje të veprës terroriste për sulmin, ku u vra polici Afrim Bunjaku, janë tre të akuzuarit: Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq dhe Dushan Maksimoviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit e tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë.
Në aktakuzë thuhet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë të akuzuarit kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.