Aktualisht kimioterapia ofrohet vetëm në QKUK. Spitali i Prizrenit është përzgjedhur si test për qëllim të decentralizimit të këtij shërbimi, por në të ofrohet vetëm trajtimi me barna. Deri në decentralizim të plotë, pacientët e sëmurë me kancer detyrohen të bëjnë me dhjetëra e dhjetëra kilometra për të parë shërbimin e kimioterapisë në Prishtinë, duke u rënë edhe të presin më orë të tëra
Ofrimi i kimioterapisë në spitalet rajonale është kërkuar nga anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, njëherësh deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi.
Sipas saj, kjo kërkesë është ngritur që nga mandati i kaluar, duke theksuar se është e domosdoshme të krijohen kushtet që pacientët të mund ta marrin këtë shërbim edhe në rajonet e tyre e të mos kenë nevojë të udhëtojnë në Prishtinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Patjetër që kjo është e domosdoshme që t’ju ofrohet një mbështetje. Mirëpo unë kur kam qenë në legjislaturën e kaluar kam kërkuar që, sidomos kimioterapia të shpërndahet nëpër rajonet regjionale, për shembull e kemi pasur në Prizren. Kjo ka funksionuar një kohë shumë të shkurtër, mandej është ndalur sepse rastet të cilat i kemi me sëmundje të rënda janë edhe me kushte ekonomike jo të mira dhe nuk po kanë mundësi me ardh me marrë terapi në Prishtinë dhe me u kthyer prapë. Mirëpo e kam kërkuar dhe nuk e di sa është tash duke funksionuar”, ka thënë deputetja Bytyqi.
Në Spitalin e Prizrenit, aktualisht ofrohet vetëm trajtimi me barna.
“Aktualisht, në këtë institucion ofrohen terapi medikamentoze për pacientët me kancer të gjirit dhe të prostatës, kryesisht në formë të terapisë hormonale, si: anastrozol, tamoxifen, cyproterone acetatë, bicalutamide, goserelin (3.6 mg dhe 10.8 mg), si dhe letrozol. Këto trajtime nuk përbëjnë terapi citotoksike apo kimioterapi sistemike”, thuhet në përgjigjen e Qendra Klinike e Universitare të Kosovës.
Si hap i parë për decentralizim të ofrimit të kimioterapisë është paraparë Spitali i Prizrenit, e nga QKUK-ja kanë thënë se përzgjedhja e këtij institucioni është bërë për të testuar modelin e shpërndarjes së shërbimeve onkologjike.
“Spitali i Prizrenit është përzgjedhur si projekt pilot për decentralizimin gradual të shërbimeve onkologjike nga niveli terciar në atë sekondar. Qëllimi është që, pas vlerësimit të këtij modeli, shërbimi të zgjerohet edhe në qendra të tjera spitalore rajonale në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Më herët, KOHA ka raportuar po ashtu se në raportin e punës së SHSKUK-së për vitin 2025 përmendet terapia antikanceroze si shërbim i filluar në Spitalin e Prizrenit, por nga ky institucion është mohuar se një terapi e tillë ofrohet aktualisht.
KOHA ka raportuar në disa raste se si pacientët e sëmurë me kancer detyrohen të bëjnë me dhjetëra e dhjetëra kilometra për të parë shërbimin e kimioterapisë në Prishtinë, duke u rënë edhe të presin më orë të tëra.