Arbëri

Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar, konstituimin e vonon nënkryetari serb

Pas gati shtatë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryeparlamentarin e ri. Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 73 vota pro për të marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Për këtë post, Basha mori vota edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Vonesa janë shfaqur te propozimi i Listës Serbe për Sllavko Simiqin. Pas tri dështimeve, partia nuk propozoi më emra të tjerë, e kryetari Basha vendosi për hedhje të shortit. E pasi disa emra dështuan edhe në short, Basha vendosi që seanca të vazhdojë të enjten. Pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar. Ndiqni këtu të gjitha zhvillimet

Haxhiu: Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim opozitar

1 muaj më parë / 26 gus 2025 20:33
Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shpreson që partitë opozitare të legjislaturës së kaluar të reflektojnë dhe Nenad Rashiq të votohet të enjten për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. 

Haxhiu, e cila është zgjedhur nënkryetare, ka thënë se sot ishte mundësia e largimit të përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit. 

“Sot kishte mundësi që dita të përmbyllej me dy lajme të mira. Konstituimi i Kuvendit dhe largimi i përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit. Por fatkeqësisht, opozita nuk pati as vullnetin dhe as guximin e nevojshëm. Për vetëm gjashtë vota më shumë, z. Nenad Rashiq do të ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit. Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim opozitar. Duke e ditur që kryeterroristi Milan Radoiçiq është kryetar formal i Listës serbe, le të përbashkohemi për Kosovën dhe sidomos për nder të heronjve tanë, si Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. 

Konstituimi i Kuvendit ka stagnuar të martën te zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit joshumicë serb. 

Pasi Sllavko Simiq nuk mori votat e nevojshme në tri tentime, e Lista Serbe s’propozoi opsione tjera, erdhi te zgjedhja me short. Pasi Vesna Çeraniq, Stefan Kovaçeviq nuk u votuan dhe Liljana Stefanoviq refuzoi të propozohej, erdhi radha te Nenad Rashiq. 

Ai mori 55 vota pro, një ishte kundër dhe 17 abstenuan. 
 

Osmani shpreson që sa më parë të konstituohet Kuvendi dhe të votohet qeveria e re

1 muaj më parë / 26 gus 2025 18:51
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur fillimin e konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. 

Të martën është zgjedhur Dimal Basha kryetar i Kuvendit, ndërsa nënkryetar janë zgjedhur Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilia Rexhepi. 

Konstituimi është bllokuar te zgjedhja e nënkryetarit nga radha e komunitetit joshumicë serb. Seanca e radhës do të mbahet të enjten.

Osmani shpreson që sa më parë të konstituohet Kuvendi e të votohet qeveria e re. 

“Presidentja mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën. Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, znj.Albulena Haxhiu, Znj.Vlora Çitaku, z.Kujtim Shala dhe znj.Emilija Redžepi.  Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, thuhet në njoftimin e Presidencës. 
 

Murati: PDK e LDK ta mbështesin Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit

1 muaj më parë / 26 gus 2025 17:49
Hekuran Murati

Foto: KSP

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka ngecur te votimi i nënkryetarit nga radhët e komunitetit joshumicë serb.

Lista Serbe ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, që nuk i mori votat e nevojshme.

As, deputeti serb Nenad Rashiq nga partia “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili u vetpropozua për nënkryetar nga komuniteti serb nuk mori votat e mjaftueshme, ndonëse u tërhoq emri i tij me short.
Megjithatë, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati po kërkon nga PDK dhe LDK-ja ta mbështesin Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit, pasi që sipas tij, në këtë mënyrë përjashtohet Lista Serbe nga Kryesia e Kuvendit.

Deputeti Murati thotë se nëse vazhdon qëndrimi i njëjtë i PDK-së dhe LDK-së, rasti mund të humbet në Gjykatën Kushtetuese dhe kështu të dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Sot kishim një Grup Parlamentar, si ai i LDK-së që refuzoi të merrte pjesë në votim, përkundër që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e thekson që deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në votim. Ndërkaq, në anën tjetër kishim edhe deputetët e PDK-së, të cilët abstenuan. Unë shpresoj që përgjatë këtyre 48 orëve në vijim do të ketë një reflektim dhe PDK, LDK, AAK dhe Nisma të cilat nuk ishin fare prezent sot në sallë të kthehen në seancën e pasnesërme dhe të votojnë për kandidatin Nenad Rashiq, në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i Kuvendi. Nëse përsëriten votimet e PDK-së dhe LDK-së, pra qoftë duke mos marrë pjesë si LDK-së apo duke abstenuar, atëherë, përçohet edhe mesazhi që asnjë deputet nga komuniteti serb nuk merr votat për nënkryetar, dhe kësisoj mund të dërgohet rasti edhe humbet në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq, nëse e kemi rastin të sigurohen edhe katër pesë vota tjera nga partitë shqiptare për të votuar për deputetin Nenad Rashiq për nënkryetar, atëherë konstitohet Kuvendi dhe arrihet që Lista Serbe të mos jetë në Kryesinë e Kuvendit”, theksoi ai.

Murati tha se të gjithë kandidatët nga Lista Serbe janë të papranueshëm për subjektin politik Vetëvendosje, pasi që sipas tij, janë të implikuar në sulmin terrorist në Banjskë.

Seanca konstituive është ndërprerë, ndërsa do të vazhdohte të enjten prej orës 11:00. Deputetët, në seancën e sotme përkundër zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve nga tri partitë e mëdha shqiptare, si dhe atë nga komunitetet jo serbe, dështuan ta zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb.

Sot, gjatë ditës, me 73 vota për është zgjedhur për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha./KSP
 

Abdixhiku: Gabim trashanik vota e dy partive të ish-opozitës për Dimal Bashën

1 muaj më parë / 26 gus 2025 17:38
Lumir Abdixhiku

Foto: KSP

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku e konsideron gabim trashanik votën e dy partive, PDK-së e AAK-së për zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar. Ai tha se LDK-ja “nuk mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”.

Pas ndërprerjes së seancës, meqë deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, Abdixhiku u deklarua sa i përket zgjedhjes së kryeparlamentarit.

“Besoj se sot është shumë e qartë dallimi i vlerave që kemi ne me ta, edhe sa i përket respektimit të Kushtetutës, por edhe sa i përket përmbajtjes së njerëzve që ne besojmë se duhet t’i prijnë institucioneve të Kosovës dhe ky dallim kristal i qartë sot u kurorëzua me triumf të injorancës, me triumf të zërit përçarës, ndarës, por shpresoj që votuesit e partisë së parë sot ndihen të përfaqësuar në atë çfarë kanë marrë prej partisë së parë. E ndjej si gabim trashanik po ashtu votën e dy partive tjera të ish-opozitës, PDK-së dhe AAK-së që institucioneve të Kosovës t’i japin një emër të tillë. Gjithsesi ky është vullnet i 73 deputetëve shumicë, LDK-ja e respekton këtë vullnet është parti institucionale, por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”, deklaroi Abdixhiku.

Ai tha se institucionet do të futen në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicës serbe.

“Sa i përket pjesës tjetër tani është çështje konstitucionale, besoj që do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës, në radhë të parë të pakicës serbe, e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të së drejtës për propozim në këtë drejtim. Dhe ajo çka është fatkeqe është që Kosova të mos mbetet me institucione peng të vullnetit të Beogradit. E mendoni nesër një situatë ku Lista Serbe nuk propozon fare emër, dhe më pas i gjithë institucioni i Kosovës mbetet i bllokuar. Pra, këtë praktikë nuk guxojmë ta lejojmë e besoj që këtu ka ndodhur një lëshim i madh politik nga kryetari i ri, por edhe partia e parë”, shtoi ai.

Kreu i LDK-së tha se nuk marrin pjesë në procese, siç tha ai, që nuk i konsiderojnë kushtetuese.

“Ne nuk marrim pjesë në procese që nuk i konsiderojmë si kushtetuese në radhë të parë dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor në këtë drejtim. Pra, ky është qëndrimi ynë dhe le të shohim se si do të votohet tutje nga deputetët shumicë të Kuvendit dhe të kenë qëndrime në vijim”, u shpreh ai.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u pyet nga gazetarët nëse është zhbllokuar Kuvendi, për çka shkurt tha “jo jo, nuk është kryer ende”./KSP

 

Ambasadori britanik bën thirrje që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi

1 muaj më parë / 26 gus 2025 17:06
Jonathan Hargreaves - ambasadori britanik ne Kosove

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje partive politike që të ndërmarrin sa më shpejt hapat e radhës dhe ta konstituojnë Kuvendin e të krijohet qeveria e re. 

Hargreaves ka mirëpritur zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Dimal Basha është zgjedhur kryekuvendar të martën, ndërsa konstituimi i plotë i Kuvendit ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga radha e komunitetit joshumicë serb. Seanca është shtyrë për të enjten. 

“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është përparim i mirëpritur dhe tregon se kompromisi politik në interes të vendit është i mundur nëse ekziston vullneti. U bëj thirrje partive politike në Kosovë që të marrin hapat e radhës sa më shpejt e ta përfundojnë formimin e Kuvendit dhe të qeverisë së re”, ka shkruar Hargreaves në Facebook. 


 

Rohde për moskonstituimin e Kuvendit: S'ka mjaft vullnet politik

1 muaj më parë / 26 gus 2025 16:54
Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke komentuar moskonstituimin e Kuvendit, për shkak se shumica e deputetëve refuzuan ta votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe, ka thënë se protagonistët nuk kanë vullnet politik për të gjetur një zgjidhje dhe se kjo është e keqe për Kosovën.

Ai u ka thënë mediave se kishte shpresë që kriza mund të zgjidhej por në këto momente nuk duket e mundur.

“Më duket se këtë mëngjes kisha një shpresë të shkurtër që kriza mund të zgjidhej, por në këtë moment nuk duket e mundur. Ndoshta nuk ka mjaft vullnet politik ndër protagonistët për të gjetur një zgjidhje. Kjo është e keqe për Kosovën, sepse shumë fonde janë në lojë dhe na duhen institucione funksionale, si parlamenti dhe qeveria”, tha ai./ KP

 

Sërish nuk konstituohet Kuvendi

1 muaj më parë / 26 gus 2025 16:06
Kuvendi i Kosovë seanca e natës 26 korrik

Photo: Driton Paçarada

Ani pse u zgjodh kryetari dhe katër nënkryetarët, Kuvendi sërish nuk është konstituuar.

I gjithë procesi ka ngecur në zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Lista Serbe me nëntë deputetë ka propozuar emrin e Sllavko Simiq për nënkryetar.  Megjithatë në foltore ka marrë fjalën edhe deputeti i vetëm serb që nuk i takoj këtij grupi, Nenad Rashiq që e propozoi emrin e vet për nënkryetar.

Sllavko Simiq për tri herë më radhë nuk i mori votat për të marrë pozitën e nënkryetarit, derisa partia e tij refuzoi të propozonte një emër tjetër.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, duke konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovë, ka vendosur që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.

Ky vendim i Bashës u mor pasi Lista Serbe dështoi në tri përpjekje për ta zgjedhur nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiqin. Basha ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve mund të propozohet emri i njëjtë deri në tri herë dhe jo më shumë.

Nga shorti dolën katër kandidatë për votim (Vera Çeraniq, Stefan Kovaçeviq, dhe Nenad Rashiq, bashkë me Liljana Stefanoviq e cila refuzoi të votohej për nënkryetare), tre prej tyre u votuan, porse asnjëri s’i mori votat për të marrë pozitën e nënkryetarit, çka çoi në shtyrjen e seancës për të enjten.

Para se të votoheshin nënkryetarët e pakicave, deputetët zogjdhën katër nënkryetarë. Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike  u zgodhën me shumicë votash. Deputetët kanë miratuar edhe propozimin e komuniteteve joshumicë, joserbe, për votim të nënkryetarëve me rotacion. Nga ky grup nënkryetarë me rotacion do të jenë Emilja Rexhepi, Fidan Gjilta dhe Artan Asllani.

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve është dashur të votohen në pako, duke ndjekur logjikën dhe praktikën e deritanishme të votimit të tre nënkryetarëve tjerë.

As Rashiqi s’arrin të bëhet nënkryetar i Kuvendit

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:55
Nenad Rashiq

As Nenad Rashiq nuk ka arritur të marrë shumicën për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Ai mori 55 vota pro. Një ishte kundër dhe 17 abstenuan.

Paraprakisht deputetë të Listës Serbe dështuan në votim. Duhen 61 vota pro.

Pas këtij votimi, kryetari Basha vendosi që ta ndërpresë seancën për të enjten.

Liljana Stefanoviq refuzon të propozohet për nënkryetare

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:53
Sllavko Simiq

Liljana Stefanoviq ishte emri i radhës që është tërhequr në shortin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Deputetja e Listës Serbe megjithatë ka refuzuar që emri i saj të dalë në votim.

Kryetari Dimal Basha vendosi që ajo të eliminohet nga shorti.

Pas saj shorti i ra sërish deputetes Çeraniq që refuzoi po ashtu pjesëmarrjen. 

As Stefan Kovaçeviq s’i merr votat

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:50
Lista Serbe

Stefan Kovaçeviq është emri i radhës i Listës Serbe që ka dështuar të bëhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Emri i tij u caktua me short.

Ai s’mori asnjë votë pro, ndërsa kundër ishin 48 e 19 abstenuan.

As Çeraniq e Listës Serbe s’i merr votat, shorti vazhdon

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:45
Kuvendi

Verica Çeraniq e Listës Serbe doli emri i parë në shortin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. 

Megjithatë, as kjo deputete nuk mori votat e mjaftueshme. Madje Çeraniq nuk ka marrë asnjë votë për.

Ajo po votohet për herën e dytë në short.

Lista Serbe refuzon, shorti për nënkryetar nuk ndalet

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:39
Dimal Basha

Lista Serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në shortin për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Në këtë komision po marrin pjesë vetëm kryetari Dimal Basha, deputeti serb jo nga radhët e Listës Serbe, Nenad Rashiq, dhe sekretari i Kuvendit.

Pas kësaj do të tërhiqen me short emrat, dhe për cilindo që zgjidhet do të bëhet votimi. Nëse nuk merr shumicën, kalohet në emrin tjetër.

Cakolli: Nënkryetarët e komuniteteve duhet të votoheshin në pako, LDK-ja e shkeli Kushtetutën

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:27
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve është dashur të votohen në pako, duke ndjekur logjikën dhe praktikën e deritanishme të votimit të tre nënkryetarëve tjerë.

Sipas tij, nuk mund të ketë dy kandidatë për pozitën e njëjtë të nënkryetarit nga radhët e komuniteteve – serb dhe të tjerëve.

Ka shtuar se e drejta e propozimit i takon vetëm shumicës së deputetëve të atij komuniteti.

“Megjithatë, edhe nëse pretendohet ndonjë shkelje në këtë proces, kusht për adresimin e saj në Gjykatën Kushtetuese është inicimi nga të paktën 10 deputetë. E sipas përbërjes politike të Kuvendit, në mesin e komunitetit në fjalë, kaq numra mungojnë”, ka thënë ai duke shtuar se procedura është e qartë.

Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës. të njëjtit janë votuar në pako, veçmas nënkryetarëve të partive joshumicë.  Pro votimit të tyre, në pako, ishin 101 deputetë. Nëntë të Listës Serbe abstenuan.

 Ndërkohë Cakolli ka thënë se obligohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve në votim të nënkyetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në votimin e Slavko Simiqit për nënkryetar të Kuvendit.

“Të gjitha pikat e aktgjykimit, përfshirë obligimin për pjesëmarrje në votim, ndjekje të procedurave të parapara në Rregullore, si dhe nevojën për konsultime e kompromis, vlejnë edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Mosrespektimi i tyre përbën shkelje të Aktgjykimit, që është e barasvlefshme për nga pesha juridike, sikur edhe për kryetarin. Afati 30-ditor (deri më 17 shtator) do të jetë në fuqi, deri në zgjedhjen edhe të nënkryetarit të mbetur”, ka shkruar ai.

I pyetur nëse LDK-ja e ka shkelur Kushtetutën me mospjesëmarrje në votim, Cakolli e ka pohuar një gjë të tillë.

“LDK dhe disa deputete tjerë po e shkelin aktgjykimin, rrjedhimisht Kushtetutën. Njëjtë, do të shkelet Kushtetuta nëse propozohet sërish deputeti i njëjtë nga radhët e komunitet serb”, është përgjigjur ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovë dhe ka vendosur që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.

Ky vendim i Bashës u mor pasi Lista Serbe dështoi në tri përpjekje për ta zgjedhur nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiqin. Basha ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve mund të propozohet emri i njëjtë deri në tri herë dhe jo më shumë.

Propozimi i komunitetit serb për nënkryetar bëhet me short

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:13
Kuvendi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovë dhe ka vendosur që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.

Ky vendim i Bashës u mor pasi Lista Serbe dështoi në tri përpjekje për ta zgjedhur nënkryetar të Kuvendit, Sllavko Simiqin. Basha ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve mund të propozohet emri i njëjtë deri në tri herë dhe jo më shumë.

Pasi ftoi Listën Serbe në disa raste për të propozuar emrin e dytë dhe kjo nuk ndodhi, ai vendosi që të çojë procedurën nëpërmjet shortit.

Çka thuhet në rregulloren e Kuvendit për propozimet e subjekteve të komunitetit, për nënkryetarë të Kuvendit.

6.1. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, dhe

6.2. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë.

7. Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse. Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.

Lista Serbe synon ta propozojë katër herë Simiqin, Basha s’i lejon

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:07
Lista Serbe

Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, ka propozuar emrin e Sllavko Simiq për herën e katërt rresht për postin e nënkryetarit. Megjithatë, kryetari Dimal Basha ka thënë se në frymën e aktgjykimit theksohet që emërimet duhet të propozohen vetëm tri herë me të njëjtin emër.

“S’mund të ketë standard ndryshe për kryetar, dhe një tjetër për nënkryetar”, ka thënë ai duke kërkuar emër tjetër për propozimin për nënkryetar.

Në të njëjtin skenar Igor Simiq ka dalë disa herë për të propozuar emrin e njëjtë, duke u arsyetuar se aktgjykimi ka qenë për kryetar dhe jo për nënkryetar.

E Basha i ka thënë se nëse nuk propozon emër tjetër, kjo do të bëhet me short.

VIDEO: Momenti kur propozohet për herë të katërt Simiqi

Sllavko Simiq dështon edhe në votimin e tretë

1 muaj më parë / 26 gus 2025 15:00
nenkryetaret

Sllavko Simiq ka dështuar të bëhet nënkryetar edhe në votimin e tretë. Ai sërish mori vetëm 10 vota.

Kundër ishin 56 deputetë e 21 abstenuan.

Para propozimit të tretë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk lejoi Igor Simiqin që të zgjasë fjalën teksa e falënderoi që “po e respektoni Kushtetutën e Kosovës, por duhet bërë propozimin”.

Sllavko Simiq dështon edhe në votimin e dytë

1 muaj më parë / 26 gus 2025 14:56
Sllavko Simiq

Sllavko Simiq ka dështuar të bëhet nënkryetar edhe në votimin e dytë. Ai sërish mori vetëm 10 vota.

Kundër ishin 56 deputetë. Abstenuan 21. 

Në propozimin e dytë, Igor Simiq si përfaqësues i Listës Serbe ka thënë se ky propozim bëhet me “shumicën e deputetëve të komunitetit serb”. Lista Serbe ka nëntë ulëse nga 10 vendet e rezervuara. Ulësja e dhjetë është e deputetit Nenad Rashiq.

Kuvendi refuzon Sllavko Simiqin për nënkryetar

1 muaj më parë / 26 gus 2025 14:52
Sllavko Simiq

Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër Sllavko Simiqit për nënkryetar.

Ai mori vetëm 10 vota pro.  

Kundër votuan 55 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe komunitetet joshumicë dhe 23 abstenuan.

Lista Serbe propozon Simiqin për nënkryetar, Rashiqi veten

1 muaj më parë / 26 gus 2025 14:27
Nenad Rashiq

Lista Serbe me nëntë deputetë ka propozuar emrin e Sllavko Simiq për nënkryetar. 

Megjithatë në foltore ka marrë fjalën edhe deputeti i vetëm serb që nuk i takoj këtij grupi, Nenad Rashiq që e propozoi emrin e vet për nënkryetar.

Haxhiu, Çitaku e Shala – nënkryetarë të Kuvendit

1 muaj më parë / 26 gus 2025 14:17
nenkryetaret

Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës.

Pro votimit të tyre, në pako, ishin 101 deputetë. Nëntë të Listës Serbe abstenuan.

Deputetët kanë miratuar edhe propozimin e komuniteteve joshumicë, joserbe, për votim të nënkryetarëve me rotacion. Nga ky grup nënkryetarë me rotacion do të jenë Emilja Rexhepi, Fidan Gjilta dhe Artan Asllani.

Partitë propozojnë emrat për nënkryetarë të Kuvendit

1 muaj më parë / 26 gus 2025 14:16
partte

Partitë më të mëdha shqiptare në Kosovë kanë propozuar emrat e tyre për nënkryetarë të Kuvendit.

Kryetari Dimal Basha ka bërë të ditur se tri partitë më të mëdha kanë arritur konsensus për votim të nënkryetarëve në pako.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu. Partia Demokratike ka propozuar Vlora Çitakun, ndërsa Lidhja Demokratike Kujtim Shalën.

“Fitili i Kuvendit” - kryeparlamentar

1 muaj më parë / 26 gus 2025 13:53
Dimal Basha

KOHA Ditore në një edicion special të vitit 2022, në rubrikën e personaliteteve, Dimal Bashën, e pati quajtur “fitili i Kuvendit”. Rubrika që nxjerr karakteristikat e figurave më të pranishme në Kosovë, te Basha pati shkruar për konfrontimet e shumta që ka pasur atë vit në Kuvend dhe jashtë tij. Me të njëjtin ritëm, Basha vazhdoi edhe në vitet pasuese.

Ai në vazhdimësi ka përdorur termin “langarec” në postimet e tij në rrjete sociale. Tone konfrontuese ka pasur me deputetë të partive të tjera, por ka pasur përplasje edhe me partiakët – përfshirë edhe ministrin Liburn Aliu.

Në një rast madje ka ofenduar edhe gazetarët.

Në fund të qershorit të 2024-s, Basha pati përdorur gjuhë ofenduese në drejtim të mediave, në kundërpërgjigje të thirrjeve të Asociacionit të Gazetarëve për të mos e votuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Në fjalimin e tij, gjatë seancës, deputeti Basha pati thënë se Qeveria ua ka ndalur tagjinë mediave: ushqim që përdoret për kafshët.

Basha ka pasur konflikte edhe me Asociacionin e Gazetarëve. Në një rast polemikat ishin nxitur pasi Basha e pati krahasuar RTK-në me televizionin shtetëror serb RTS-në.

Pati kritikuar Prokurorinë, ndërsa në një rast ka pasur reagim të ashpër edhe ndaj ndërkombëtarëve duke u thënë se “po na shesin përralla”.

E pas fitores së Vetëvendosjes më 9 shkurt, Basha pati përdorur shprehje +18 në rrjete sociale.

Basha ka qenë anëtar i Komisionit për legjislacion. Dhe si pjesë e tij, ky komision pati miratuar një propozim të Bashës që deputetët që shajnë, ofendojnë e nxisin dhunë të sanksionohen deri në 50 për qind të pagës.

Sot, “fitili i Kuvendit” u zgjodh kryeparlamentar i Kosovës me 73 vota për.

Basha mori vota edhe në Partinë Demokratike e në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Këto dy parti që kundërshtuan propozimet tjera të VV-së u shprehën se e votuan Bashën si “përfaqësuesin më dinjitoz të VV-së”.

Musliu e quan përçarës Bashën, tregon pse votoi kundër tij

1 muaj më parë / 26 gus 2025 13:50
Ganimete Musliu

Foto: KSP

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka arsyetuar votën e saj kundër Dimal Bashës për kryeparlamentar.

Ajo në një status në Facebook ka shtuar se nuk mundi të votonte për Kryetar të Kuvendit një person që karrierën politike e ka ndërtuar, jo mbi vizioni e unitetin, por mbi urrejtje dhe përçarje.

Ka shtuar se si qytetare dhe si deputete, nuk mund të pranojë që në një nga pozitat më të larta shtetërore të ulet dikush që hapur ka treguar përçmim ndaj Ushtrisë Çlirimtare, ndaj Drenicës, ndaj PDK-së dhe ndaj figurës së Hashim Thaçit .

“Vota për një përçarës si Dimal Basha do të quhej tradhti ndaj besimit të mbi 31 000 votuesve të cilët i kanë besuar fjalës time për më shumë se 16-të vjet.  Ne kemi nevojë për udhëheqës që bashkojnë, jo që përçajnë e përçmojnë.  Ne kemi nevojë për liderë që respektojnë historinë, jo që e shkelin atë për interesa personale apo politike. Ne kemi nevojë për dinjitet! Ky nuk është inat - ËSHTË PARIM”, ka shkruar ajo.

 

Kush si votoi për Bashën kryeparlamentar?

1 muaj më parë / 26 gus 2025 13:24
Votimi - kuvendi - dora duke votuar - ngritja e dores

Photo: Driton Paçarada

Me 73 vota për, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryeparlamentar i Kosovës. Kundër ishin 34 deputetë e tetë abstenuan, pas analizimit të pamjeve nga momenti i votimit.

Për dallim nga kjo, kryesuesi Avni Dehari u shpreh se pro votuan 73 deputetë, 30 ishin kundër e tre abstenime.

Basha mori pos 56 votave të LVV-së dhe komuniteteve, edhe 17 vota nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Te PDK-ja pro votuan: Memli Krasniqi, Abelard Tahiri, Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Enver Hoxhaj, Blerta Deliu, Jakup Nura, Përparim Gruda, Artan Behrami, Eliza Hoxha, Mergim Lushtaku, Altin Krasniqi, Rrahman Rama dhe Sala Jashari.

Në këtë parti abstenuan: Rashit Qalaj, Ferat Shala, Arbnore Salihu, Ariana Musliu Shoshi dhe Elmi Reçica.

E deputetët e PDK-së që votuan kundër ishin: Nait Hasani, Ganimete Musliu, Fadil Demaku dhe Kosovare Murseli.

Në AAK Daut Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Bekë Berisha votuan pro. Abstenuan Time Kadrijaj dhe Adem Hoxha.

Në LDK të gjithë votuan kundër, pos Arben Gashit i cili abstenoi.

Tre deputetët e Nismës Socialdemokrate dhe Duda Balje po ashtu votuan kundër.

Votimi i Bashes
Pamje nga momenti i votimit

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut uron Bashën, pret vazhdim të bashkëpunimit

1 muaj më parë / 26 gus 2025 13:19
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar Dimal Bashën për marrjen e pozitës së kryeparlamentarit.

Ai ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe institucioneve të të dyja vendeve, janë të mbështetura në themele të forta miqësie, vëllazërie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë.

Sipas tij, këto lidhje, që burojnë nga populli, afërsia dhe vlerat tona të përbashkëta, paraqesin një pasuri të përbashkët për qytetarët e të dy vendeve.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë të përcjell urimet më të përzemërta z. Dimal Bashës për zgjedhjen si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe institucioneve tona, janë të mbështetura në themele të forta miqësie, vëllazërie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Këto lidhje, që burojnë nga populli, afërsia dhe vlerat tona të përbashkëta, paraqesin një pasuri të përbashkët për qytetarët e të dy vendeve tona. Jam i bindur se në udhëheqjen tuaj do të vazhdojmë t’i thellojmë më tej këto marrëdhënie përmes dialogut të hapur parlamentar, bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së përbashkët në proceset euroatlantike. Ju uroj suksese të shumta në detyrën fisnike dhe shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të afërt dhe konstruktiv”, ka shkruar ai.

Spiropali uron homologun e saj në Kosovë

1 muaj më parë / 26 gus 2025 12:59
Spiropali

Photo: Alban Bujari

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Ajo ka uruar deputetët  për siç ka thënë “çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve.

“Urime e sukses Kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha! Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve. Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, ka shkruar ajo.

Nga arkivi i KOHËS Ditore: Personalitetet e vitit 2022 - Fitili i Kuvendit

1 muaj më parë / 26 gus 2025 12:30
Dimal Basha - personalitetet 2022

Dimal Basha sot u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Deputeti i VV-së i mori 73 vota për këtë post. I njohur për nxitje të debateve e përplasjet e shumta, Basha në vitin 2022 kishte marrë titullin “Fitili i Kuvendit” në listën e personaliteteve të vitit nga KOHA Ditore.

Përmbajtja e artikullit nga arkivi:

Personalitetet e vitit 2022: Dimal Basha – Fitili i Kuvendit

Dimal Basha është mes atyre deputetëve që më së shumti ndezi debate në Kuvend.

Flakë më të madhe mori debati me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, jo veç në Komisionin parlamentar për arsim, por edhe në korridorin e Kuvendit. Akuzat e tensionet u bënë virale, e deputeti i LVV-së tregoi pse fliste me zë të lartë: “Po piskas more se s’merr vesh ti ndryshe”.

Përplasje pati edhe me deputetin e PDK-së, Ardian Kastrati. E akuzoi për jokompetencë që t’ua qante hallin mësuesve grevistë dhe nxiti reagime kur arsyetoi epitetin “hajn” që ia dha Kastratit: “Do të thotë kur vjedh në shkronja, paramendo çka bën me ia lënë kuletën atij”.

Përplasjet nuk i munguan as me pushtetin. Një të tillë e pati me ministrin Liburn Aliu, kur në Kuvend u diskutua projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje. E porositi që në Kuvend të mos sillte ligje diskriminuese dhe ia rikujtoi se, sa ishte në opozitë, vetë Aliu e kishte kritikuar ligjin që tani e sponsorizon.

Ndërsa lëvdatat thuajse kurrë nuk i munguan për kryeministrin. Ia dha epitetin e revolucionarit dhe tha të jetë krenar që jeton në kohën kur ai qeveris.

Limaj: VV-ja të shpjegojë vonesën e deritashme

1 muaj më parë / 26 gus 2025 12:12
Fatmir LImaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas zgjedhjes së Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, kërkoi që Lëvizja Vetëvendosje të japë një shpjegim për qytetarët e Kosovës lidhur me vonesat në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Le të japë një shpjegim pse e kanë vonuar vendin deri me tani sa muaj. Shpresoj që do ta kenë një shpjegim para qytetarëve të Kosovës pse është vonuar vendi deri me tani”, tha Limaj, raporton EO.

Basha u zgjodh sot kryeparlamentar pas muajve të tërë ngërçi në Kuvend. Ai mori 73 vota për, duke marrë mbështetje edhe në Partinë Demokratike e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Nisma në vazhdimësi ka abstenuar me tre deputetët e vet. Kjo parti pati thënë se është Limaj ai që duhej të bëhej kryetar i Kuvendit.

Abdixhiku: Fitore e injorancës

1 muaj më parë / 26 gus 2025 12:09
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës zgjodhi Dimal Bashën kryetar të Kuvendit.

“Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës. LDK aspiron më lartë. Kosova duhet të aspirojë lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë”, ka shkruar ai në Facebook.

LDK-ja votoi kundër për Bashën.

Megjithatë ai mori 73 vota pro, duke marrë votat e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa pati vota pro edhe nga PDK-ja e AAK-ja.

Vijnë urimet e para për Bashën kryeparlamentar

1 muaj më parë / 26 gus 2025 12:00
Dimal Basha merr pozitën e kryeparlamentarit

Bajram Begaj, president i Shqipërisë, ka uruar Dimal Bashën për zgjedhjen si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Urime, z. Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, ka shkruar ai në Facebook, pak pasi Basha mori shumicën për t’u bërë kryeparlamentar.

Bashën e ka uruar edhe Ambasada e Gjermanisë, duke theksuar se shpresojnë që “tani Kosova të mund të ecën përpara në formimin e institucioneve”.

Basha mori 73 vota për, në seancën e të martës, pas gjashtë muajsh ngërçi në Kuvend.

Krasniqi: As deputetët e VV-së nuk ishin të lumtur me zgjedhjen e Bashës

1 muaj më parë / 26 gus 2025 11:49
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se fjalën që e kanë dhënë e kanë mbajtur sot. Sipas tij, nuk janë të lumtur që Dimal Basha është kryetar i Kuvendit. Ka deklaruar se madje as deputetët e Vetëvendosjes nuk janë të lumtur.

“I patë me fytyra të varura”, ka thënë ai për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kraniqi ka thënë se VV-ja u ka humbur kohë që të merren me tema që u interesojnë qytetarëve. Ka shtuar se LVV-ja u dorëzua para ligjit.

Ai ka përmendur, Gluak Konjufcën, Saranda Bogujevci e Shqipe Selimin si kandidatë më të mirë për të marrë pozitën e kryekuvendarit.

“Qytetarët e kanë parë qartë se sa i vlerëson Albin Kurti”, ka thënë ai. “Vetëvendosja e ka vënë në grackë gjithë popullin e Kosovës, ose edhe ata kanë rënë vetë sepse kanë menduar që nuk ua votojmë pa konsultë”.


Kryetari i ri i Kuvendit: Ngërçi, shkollë që i shërbeu demokracisë

1 muaj më parë / 26 gus 2025 11:36
Dimal Basha merr pozitën e kryeparlamentarit

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se ndjen përgjegjësinë e madhe që i është besuar.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi sakrifica.

Basha ka falënderuar gratë e Kosovës për kontributin.

“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unifikim.

“Shumica prej nesh dallojmë me parti por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i së drejtës e mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial”, ka thënë ai.

Ai ka lavdëruar punën e bërë në veri të vendit, duke thënë se është minimizuar krimi në atë pjesë.

Sipas tij, mbrojtja e republikës është detyrë e të gjithëve.

Basha i ka bërë thirrje Serbisë që të sillet në mënyrë demokratike.

Kush është Dimal Basha, kryetar i ri i Kuvendit?

1 muaj më parë / 26 gus 2025 11:33
Dimal Basha

Dimal Basha (Foto: KOHA)

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha me 73 vota pro të martën u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.

Biografia e tij, e publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje:

Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.

Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.

Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.

Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje! Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

LEXO EDHE:

Dimal Basha zgjidhet kryeparlamentar

1 muaj më parë / 26 gus 2025 11:24
Dimal Basha merr pozitën e kryeparlamentarit

Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Pro emrit të tij votuan edhe një grup i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai mori 73 vota pro. Kundër ishin 30 deputetë.

Ishte hera e dytë që emri i Bashës u propozua për kryeparlamentar. Në përgjithësi ishte emri i pestë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Me zgjedhjen e Bashës kryeparlamentar, Kuvendi i jep fund më shumë se 60 seancave dështim në zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur dhjetëra vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.

Pas një ore pritet votimi i nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Gjithsej janë pesë nënkryetarë që pritet të zgjidhen.

VV-ja propozon Dimal Bashën për kryeparlamentar

1 muaj më parë / 26 gus 2025 11:22
Dimal Basha

Photo: Driton Paçarada

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Basha ishte propozuar edhe të dielën, por nuk i mori votat e mjaftueshme.

Krasniqi: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë

1 muaj më parë / 26 gus 2025 10:51
Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Krasniqi: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje e konsideron deputetin Dimal Basha si përfaqësues të denjë, atëherë partia e tij do ta votojë pro për postin e kryeparlamentarit.

Në prag të seancës së re të Kuvendit, Krasniqi ka kërkuar që grupet parlamentare të takohen për t’u koordinuar për votimin e një kandidati për kryeparlamentar për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.

Sipas tij, kjo edhe për t’u siguruar që VV-ja është e sigurt se ai është kandidat i denjë për ta votuar për kryeparlamentar.

Ka shtuar se Dimal Basha nuk i plotëson kriteret dhe as nuk është i denjë për kryekuvendar.

“Mënyra se si e kanë propozuar në mënyrë tendencioze të befasishme nuk ishte për ta zgjedhur në të vërtetë ishte më shume taktizim. Ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë që e votojmë një kandidat qe nuk ka qenë pseë e ekzekutivit por kërkesa jonë si sot si atë ditë ka qenë t’i tregojmë Vetëvendosjes që me një kandidat të tillë e degradon”, ka thënë ai. “Megjithatë nëse LVV-ja vertetë e konsideron se një kandidat i tillë si Dimal Basha është përfaqësuesi më i mirë i tyre atëherë PDK e voton. Kërkojmë që të bëhen të përgjegjshëm dhe të propozojnë një kandidat më të denjë. Nëse nuk na lejojnë pauzën, do të ishte arbitraritet”.

“Qëllimi është i përgjegjshëm. Nuk e besoj që Basha është i përfaqësuesi më i mirë i VV-së për të qenë në krye të Kuvendit. Ne para dy ditësh kemi dashur t’u themi që nëse e keni taktizim mos e bëni, se nuk luhet me Kuvendin siç keni luajtur deri më tash”, ka shtuar Krasniqi. 

Ai ka thënë se i kanë diskutuar emrat e VV-së, porse sipas tij, Basha nuk është i duhuri.
“Bashën ua votojmë edhe sot, por edhe ata e dinë që ai nuk është i duhuri”, ka thënë ai.

PDK-ja mblidhet për koordinim para votimit të kryeparlamentarit

1 muaj më parë / 26 gus 2025 10:44
PDK-ja ne Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se para seancës së sotme për konstituim të Kuvendit, deputetët e kësaj partie do të mblidhen për t’u koordinuar rreth qëndrimit për votimin e kryeparlamentarit.

Seanca e re do të nisë në orën 11:00.

Votimi i fundit, ai për Dimal Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi. Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”.

Haradinaj: Nëse VV-ja e ka më të mirin Dimalin, bën edhe ai

1 muaj më parë / 26 gus 2025 10:41
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se deputeti i LVV-së, Dimal Basha nuk është preferencë e tyre për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ai shtoi se ende s’kanë vendosur nëse do të votojnë për nëse i njëjti propozohet sërish në seancën e sotme të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj, duke hyrë në objektin e Kuvendit, pak para vazhdimit të seancës konstituive për herë të 58-të, tha se preferencë e tyre për kryeparlamentar është deputeti tjetër i LVV-së, Glauk Konjufca.

Sipas tij, profili i kryekuvendarit duhet të gëzojë autoritet dhe respekt tek të gjithë deputetët, mirëpo siç tha nëse LVV-ja e ka më të mirin Dimalin dhe niveli i tyre mundet me qenë ky, atëherë mund t’ia japin votën edhe atij.

“Ne kemi preferencë. Kishim preferuar Glaukun dhe i kemi përmend edhe preferencat tona. Tani të shohim, por Dimali nuk është preferenca jonë, megjithatë të shohim...Ka edhe shumë të tjerë, mos t’i përmendi pasi shkaktojmë irritim brenda tyre. Ka plot, mund t’ia japim votën edhe Dimalit, por mendoj se LVV-ja ka edhe opsione të tjera...Nuk e di, pasi ende s’kemi vendos. Kam ardh më herët dhe tani do të sqarojmë....Profili i atij që udhëheq me Kuvendin mirë është me qenë dikush që gëzon autoritetin dhe respektin të plotëve...Nëse LVV-ja e ka më të mirin Dimalin, ky është niveli i tyre mundet edhe ky”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar edhe pas gjashtë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, kanë dështuar të marrin shumicën e mjaftueshme për t’u bërë kryeparlamentar.

Në tri seanca të mbajtura deri tash pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin e Dimal Bashën.

Vetëm votimi i fundit, ai për Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi.

Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”./KosovaPress

Kush do të jetë deputeti i radhës që do të propozohet për kryeparlamentar?

1 muaj më parë / 26 gus 2025 09:00
VV ne Kuvend

Pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dështuar të marrin shumicën e mjaftueshme për t’u bërë kryeparlamentar.

Në tri seanca të mbajtura deri tash pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin e Dimal Bashën.

Vetëm votimi i fundit, ai për Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi. Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”.

E sot, e martë, Kuvendi mblidhet sërish në orën 11:00. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka paralajmëruar ndonjë emër e as nga PDK-ja nuk është treguar se si do të veprohet në rast të ndonjë emri “befasi”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë për asnjë kandidat pa ndonjë marrëveshje, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do të votonte pro Glauk Konjufcës, Shqipe Selimit dhe Saranda Bogujevcit.

Nisma me tre deputetë në vazhdimësi ka abstenuar.

Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.

Deputetët mblidhen sërish në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin

1 muaj më parë / 26 gus 2025 07:54
Dështimi i 22-të për konstituim të Kuvendit

Në ditën e 133-të nga bllokada institucionale do të mbahet një seancë tjetër për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Nga partitë politike nuk ka pasur sinjale se sot do të mund t’i jepet fund ngërçit i cili ka nisur që nga 15 prilli.

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u kanë mbetur edhe 23 ditë afat kushtetues për ta konstituuar Kuvendin.

Seancën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavcin dhe deputetin Dimal Basha. Asnjëri nga ta nuk mori votat për kryeparlamentar.  

Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur dhjetëra vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.