Arbëri

Deputeti britanik i reagon Ramës: 1 në 48 shqiptarë në Britani gjendet në burg

Nigel Farage

Deputeti britanik, Nigel Farage, ka polemizuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pasi ky u shpreh ditë më parë se “Britania e Madhe ka rënë në një vend shumë të errët”.

Farage ka shkruar të dielën në rrjetin social X që në Britaninë e Madhe janë 53.000 qytetarë shqiptarë, e 1.099 prej tyre tha se gjenden në burgje. Sipas deputetit, kjo është në raport 1 me 48, derisa shtoi se do të bëjë kërkesë që të kthehen në Shqipëri.

 

 

“I dashur Edi Rama. Në Mbretërinë e Bashkuar janë 53,000 qytetarë shqiptarë dhe 1,099 prej tyre janë në burgjet tona. Në fakt, kjo është 1 në 48. Do t'i kërkoj Sekretarit të Brendshëm të organizojë që të gjithë këta të burgosur t'ju kthehen. Faleminderit për bashkëpunimin tuaj”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Shqipërisë tha se prej procesit të BREX-it, Britania po kërkon vende për t'i hequr imigrantët.

“Është një nga ato gjërat që 10 vjet më parë thjesht nuk do të ishte e imagjinueshme... që Britania të kërkojë vende për t’i larguar imigrantët”, ka thënë ai nga Tirana. “Fakti se sot jo vetëm që është e imagjinueshme, por po ndodh, nuk është për shkak se Keir Starmer ose Rishi Sunak (ish-kryeministri) po bëjnë diçka të jashtëzakonshme; është sepse shteti gjendet në një vend shumë të errët”, është shprehur Rama në një intervistë për The Guardian.

Ai po ashtu i kërkoi deputetit Farage që të largojë hipokrizinë anash të flasë me fakte e shifra reale, derisa e ftoi që të vizitojë Shqipërinë “për të marrë diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë dhe më shumë fakte reale”.