“Mendoj se ajo që po ndodh aktualisht, kemi folur edhe për të, është sigurisht një përpjekje e Vuçiqit për të treguar se sa i rëndësishëm është ai për serbët këtu në Kosovë. Dje ishim edhe në Mitrovicën e Veriut, njerëzit janë shumë të shqetësuar dhe shumë prej tyre po manipulohen dhe po lihen pas nga të gjithë, si nga Serbia ashtu edhe këtu nga Kosova. Ata janë në fakt në një vakum”, ka thënë Josip Juratoviq, deputet gjerman nga Partia Socialdemokrate
Serbët e Kosovës janë duke u manipuluar si nga Qeveria në Prishtinë ashtu edhe nga ajo në Beograd, ka thënë deputeti gjerman nga Partia Socialdemokrate, Josip Juratoviq.
Ai bashkë me anëtarët e delegacionit të Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë qëndroi për vizitë në Kosovë, ku vizitoi edhe pjesën veriore.
“Mendoj se ajo që po ndodh aktualisht, kemi folur edhe për të, është sigurisht një përpjekje e Vuçiqit për të treguar se sa i rëndësishëm është ai për serbët këtu në Kosovë. Dje ishim edhe në Mitrovicën e Veriut, njerëzit janë shumë të shqetësuar dhe shumë prej tyre po manipulohen dhe po lihen pas nga të gjithë, si nga Serbia ashtu edhe këtu nga Kosova. Ata janë në fakt në një vakum”, ka thënë Juratoviq.
Juratoviq foli edhe për situatën politike në Serbi, ku tha se po protestohet në kërkim të demokracisë dhe kundër regjimit autokratik që po bëhet çdoherë e më i fortë.
“Unë mendoj se për sa u përket këtyre tensioneve, nëse ndiqni shtypin, përfshirë edhe Serbinë, unë vetë duhet ta shpreh këtë herë pas here. Në Serbi po ndodh shumë tani. Në Serbi njerëzit janë në rrugë duke kërkuar më shumë demokraci dhe janë kundër regjimit autokratik që po bëhet gjithnjë e më i fortë dhe më masiv në Serbi dhe Vuçiqi u vu nën presion masiv. Edhe tani me zgjedhjet e fundit shihet gjithë manipulimi dhe dominimi në procesin zgjedhor se ai është nën presion të pabesueshëm për të mbajtur qeverinë apo sistemin dhe në këtë situatë është e qartë se ai kërkon çdo mundësi për të dalë nga kritika e brendshme politike me çështje të politikës së jashtme, si të thuash”, ka thënë Juratoviq.
Delegacioni gjerman gjatë të premtes është takuar me deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme.
Kryetarja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni u shpreh se u diskutua për sigurinë në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Kemi diskutuar edhe për situatën e krijuar së fundmi, sigurisht që besojmë që dialogu është e vetmja mënyrë që çon drejt normalizimit të raporteve të të dyja vendeve. Këtu kërkohet përpjekje e Serbisë që ta marrin seriozisht këtë proces të dialogut dhe t’i qasen seriozisht këtij procesi, në mënyrë që të arrihet ajo çfarë po synojmë ne bashkërisht. Po ashtu kemi ndarë çështje të ndryshme, të cilët këta deputetë mund t’i diskutojnë me deputetët e opozitës me të cilët do të takohen në Beograd, pas takimit në Kosovë dhe kemi marrë përkrahjen e mbështetjen”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.
Deputetët gjermanë janë pritur në takim edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca. Në komunikatën nga Kuvendi është thënë se u diskutua për proceset aktuale në Kosovë.
“Kreu i Kuvendit e njoftoi delegacionin parlamentar gjerman me proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe me punën e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e detyrave që dalin para tyre në këto procese, me theks të veçantë në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e strukturave euroatlantike” është shkruar në komunikatë.
Një ditë më parë, të enjten, deputetë nga Bundestagu gjerman zhvilluan takim edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Nga zyra e Bislimit është bërë e ditur se është diskutuar për synimet e Qeverisë, duke veçuar ato që kanë të bëjnë me integrimin evropian.