Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vendimi rikonfirmon parimet themelore mbi afatet kushtetuese, veçanërisht në raport me zgjedhjen e presidentit. Sipas Cakollit, ndonëse këto parime kanë qenë të qarta edhe më herët, aktgjykimi vjen në një moment kur, sipas tij, dispozitat kushtetuese janë tentuar të keqpërdoren për arsyetime politike.
Gjykata Kushtetuese të mërkurën nxori aktgjykimin me të cilin konstatoi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik, dhe i dha afat shtesë 34 ditë Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoCakolli theksoi se Gjykata nuk e ka cilësuar dekretin si akt antikushtetues, por si vendim pa efekt juridik, duke e lidhur këtë me logjikën e afateve kushtetuese.
“Gjykata në thelb e pranon që afati 30-ditor është detyrues dhe që mosrespektimi i tij ka pasoja. Por ajo sqaron se kjo pasojë nuk aktivizohet drejtpërdrejt përmes këtij afati, por përmes nenit 82, pra përmes afatit 60-ditor dhe shpërndarjes ‘ex constitutione’. Pra, nuk kemi mohim të logjikës që përdori Presidentja Osmani, por korrigjim të mënyrës se si ajo është zbatuar”, ka sqaruar ai.
Cakolli vlerësoi se Gjykata ka mbyllur përfundimisht dilemat rreth afateve 30 dhe 60 ditë, duke theksuar se ato nuk janë të ndara, por përbëjnë një mekanizëm të vetëm kushtetues. Sipas tij, kjo nënkupton që procedurat duhet të nisin më herët dhe nuk mund të shtyhen deri në fund të afatit 30-ditor për të kërkuar më pas kohë shtesë.
Po ashtu, ai nënvizoi se Gjykata ka vendosur një standard të ri të rëndësishëm: “Koha kushtetuese nuk fillon kur Kuvendi vendos të veprojë, por kur ai është në gjendje të veprojë”.
Kjo, sipas tij, do të thotë se nuk mund të ketë afate të reja, por vetëm kohë të mbetur nga një proces që ka nisur më herët.
Në fund, Cakolli e cilësoi vendimin si një balancim të situatës aktuale, duke u dhënë institucioneve kohë shtesë për të përmbyllur proceset, por duke theksuar se përgjegjësia mbetet te institucionet dhe partitë parlamentare për të respektuar afatet kushtetuese dhe për të mos i përshtatur ato sipas interesave politike.