Rritja e kërkesave për ekzaminime me rezonancë magnetike dhe defektet e herëpashershme të aparaturave kanë bërë që të rritet lista e pritjes së pacientëve. Në Prishtinë dhe në Prizren, pacientët duhet të presin edhe mbi tre muaj për ta kryer një rezonancë, përderisa në Pejë koha e pritjes është rreth një muaj e gjysmë. Në QKUK dhe në spitalet e tjera i kanë arsyetuar listat e pritjes me defekte në aparatura
Është zgjatur koha e pritjes për t’iu nënshtruar rezonancës magnetike në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe në dy spitale të tjera në të cilat ofrohet ky shërbim.
Pacientët të cilët kanë nevojë për ekzaminime të detajuara të organeve dhe të indeve janë detyruar të presin më shumë se tre muaj për ta marrë këtë shërbim në QKUK.
Një paciente, e cila ka folur për KOHËN në kusht anonimiteti, ka treguar se ekzaminimi i është caktuar për në fillim të muajit qershor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Qe disa muaj kam marramendje dhe dhimbje në duar. I kam bërë të gjitha kontrollet, vetëm kjo më ka mbetur. Më kanë thënë që për ta zbuluar saktë se çfarë kam, duhet të bëj rezonancën, por këtu më thanë të pres deri në fillim të qershorit”, ka thënë ajo.
Drejtori i Klinikës së Radiologjisë në QKUK, Gani Morina, ka thënë se rritja e listës së pritjeve lidhet edhe me mosfunksionimin e njërës prej tri rezonancave magnetike që i ka në posedim klinika.
Aparati në Klinikën e Onkologjisë është me defekt që nga nëntori i vitit të kaluar.
“Sa i përket listës së pritjes, ajo është dinamike, duke ruajtur një konstante në mes të kërkesës për ekzaminime dhe ofrimit të shërbimeve. Listën e pritjes ne e prezantojmë në mënyrë periodike ose sipas kërkesës së menaxhmentit. Në raportimin e fundit të datës 16.1.2026, lista e pritjes për MRI, (përfshirë dy aparatet) ka qenë diku në fund të prillit, por duhet qartësuar edhe një gjë se në këtë listë janë të përfshirë edhe pacientët që janë të planifikuar, varësisht prej cikleve të terapisë, siç janë, për shembull, pacientët me sëmundje onkologjike”, ka theksuar Morina.
Shërbimi i rezonancës magnetike ofrohet edhe në spitalet e përgjithshme të Prizrenit dhe të Pejës.
Në Prizren, lista e pritjeve është thuajse e njëjtë me atë në Prishtinë.
“560 pacientë në listë të pritjes, lista e pritjeve 2 deri në 3 muaj”, kanë thënë në Spitalin e Prizrenit.
Pritjet janë shtuar edhe në Spitalin e Pejës, ndonëse jo sikurse në Prishtinë dhe në Prizren.
Në këtë spital kanë thënë se aktualisht janë rreth 400 pacientë në listë pritjeje.
“Për pacientët ambulatorë afati mesatar i pritjes për realizimin e ekzaminimit me MRI është rreth 1 muaj e gjysmë. Numri i kërkesave për ekzaminime me rezonancë magnetike ka shënuar rritje të dukshme. Krahasuar me vitin e kaluar, vërehet një rritje prej afërsisht 30 për qind të numrit të rasteve”, kanë thënë në Spitalin e Pejës.
Në këtë Spital kanë thënë po ashtu se në shtimin e numrit të pacientëve që presin për shërbim ka ndikuar edhe mosfunksionimi për një kohë i aparaturës CT.
E në Klinikën e Radiologjisë në QKUK kanë theksuar se synojnë që ta ofrojnë këtë shërbim edhe gjatë vikendeve për ta zvogëluar listën e pritjes. Synimi, sipas udhëheqësve të Klinikës, është që brenda një muaji të realizohen rreth 1.600 ekzaminime me rezonancë magnetike.