Arbëri

Dështon ndërtimi i QMF-së në Fushë-Kosovë, mjetet transferohen në komunali

Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës nuk kanë arritur të realizojnë projektin e ndërtimit të një qendre të re të mjekësisë familjare në fshatin Lismir, që ishte paraparë me buxhetin e këtij viti. Shkak është bërë mosverifikimi i parcelës ku ishte paraparë ndërtimi.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal kuvendarët e partisë në pushtet kanë vendosur që këto mjete t’i transferojnë në kategorinë ekonomike komunali për të paguar energjinë elektrike, ujësjellësin e mbeturinat.

“Në bazë të nenit 15, pika 4 e Ligjit mbi ndarjet e buxhetit për vitin 2022, Komuna e Fushë-Kosovës kërkon që të bëhet transfer nga kategoria ekonomike-investime kapitale në kategorinë ekonomike-komunali për përmbylljen e vitit fiskal 2022”, thuhet në shkresën e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, dërguar Kuvendit Komunal. “Investimet kapitale-blloku kodues: 10/612/73011/51385/0760 ndërtimi i QMF-së në Fushë-Kosovë (lagjja Italia-Lismir) në shumën 100,000.00 euro për arsye se ky projekt nuk ka mundur të realizohet derisa të mos bëhet verifikimi i parcelës në të cilën është planifikuar të ndërtohet objekti i QMF-së gjatë vitit 2022 dhe njëherit këto mjete janë kursyer dhe kërkojmë që këto mjete të transferohen në komunali për të paguar faturat për rrymë, ujësjellës dhe pastrim”.

Në këtë shkresë, thuhet se arsyeja e transferimit të këtyre mjeteve në kategorinë buxhetore për komunali është e shumë rrugë të reja janë bërë me ndriçim publik, pastaj pikat grumbulluese të mbeturinave janë shtuar, si dhe faturat e ujësjellësit.

“Për shkak të shpenzimeve të mëdha për komunali nuk ka buxhet të mjaftueshëm në këtë kategori deri në fund të vitit 2022. Me qëllim që të mos të krijohen obligime të shumta për bartje në vitin 2023 kërkojmë që përmes kësaj shkrese të bëhet transfer nga kategoria e investimeve kapitale në kategorinë komunali: blloku kodues 10/612/18162/14/00000/0451 në vlerë prej 100,000.00 euro”.

Ky propozim është miratuar me shumicë të votave në seancën e fundit të Kuvendit Komunal.