Serbët që gëzojnë më së shumti të drejta në Kosovë, tani po kërkojnë Asociacion me kompetenca ekzekutive, ka thënë kryeministri Albin Kurti për gazetën holandeze “Trouw”. E njohës të zhvillimeve politike thonë se dialogu është duke hyrë në një fazë të komplikuar, ku nuk pritet të përmbushet as obligimi për themelimin e Asociacionit
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëllimi i serbëve është themelimi i një Asociacioni me kompetenca ekzekutive.
Tek ka folur për një medium holandez, rreth obligimit që derivon nga marrëveshjet e Brukselit, Kurti ua ka listuar serbëve të drejtat që u garantohen me Kushtetutë: gjuhën zyrtare në të gjitha nivelet e qeverisjes, si dhe 10 vendet e rezervuara në parlament.
“Në vend të kësaj, ata duan një Asociacion të Komunave me pushtet ekzekutiv. Ky autoritet më pas duhet të hiqet nga komunat ose qeveria qendrore. Kjo nuk është e mundur sipas Kushtetutës. Dhe ata gjithashtu duan që Asociacioni të ketë një president. Unë dua të ndihmoj komunat, por jo duke formuar Republikën Serbe të re”, ka thënë Kurti për gazetën holandeze “Trouw”. “Komunat me shumicë serbe marrin 62 për qind më shumë buxhet për banorë se të tjerat. Nuk di çfarë të bëj tjetër. Nuk ka kryeministër që flet dhe konsultohet me serbët si unë. Por, shumica dërrmuese e këtyre takimeve zhvillohen në fshehtësi, me kërkesë të tyre, sepse në të kundërtën Beogradi do t’i sulmonte menjëherë”.
Kurti ka deklaruar se i vjen keq dhe kërkon falje që nuk ishte në gjendje t’i mbronte të gjithë serbët e Kosovës nga “kërcënimet e Beogradit”.
Derisa Serbisë i kërkohet të mos e pengojë Kosovën për t’u anëtarësuar nga organizata ndërkombëtare, BE-ja vazhdon t’ia kërkojë Kosovës themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kryeministri Kurti e pati kushtëzuar zbatimin e Asociacionit sipas propozimit të BE-së, me nënshkrimin nga Serbia të dokumenteve të dialogut.
Njohës të zhvillimeve politike thonë se në fazën që po hynë Kosova vështirë se mund ketë aranzhmane rreth Asociacionit.
“Procesi i dialogu duket se është në një fazë të komplikuar për ta arritur maksimumin për shkak se Kosova po futet në një vit zgjedhor ku ka nevojë për mbështetje të gjerë politike dhe qytetare. Nëse llogarisim të gjitha këto, vështirë për të besuar në vullnetin e Kosovës për të zbatuar çështjen e asociacionit, me qëllim që të mos dëmtohet në aspektin e brendshëm”, ka thënë analisti Visar Xani.
Sipas tij, dialogu do të diktohet edhe nga zhvillimet e tjera jashtë Kosovës, si zgjedhjet në BE dhe në SHBA.
“Të gjitha këto aspekte janë direkt të ndikueshme në procesin e dialogut, për shkak se kërkon një konsensus dhe mbështetje diplomatike e politike me qëllim që të detyrohen palët për t’i zbatuar obligimet e tyre në mënyrë që të kemi përmbylljen e procesit të dialogimit, një dialog i cili është zhvilluar tash e sa kohë”, ka potencuar Xani.
Sipas tij, edhe pse është investuar jashtëzakonisht shumë dhe ka pasur progres konkret në dialog, temat më të rënda janë lënë në fund.
“Për t’i zbatuar ato, duhet një mbështetje e madhe diplomatike dhe nëse nuk shfrytëzohet viti 2024 deri në mesin e verës, atëherë vështirë të besohet se do të kemi një proces të shpejtë, të përmbyllshëm me rezultate konkrete që janë efekt i zbatimit direkt në terren”, ka theksuar Xani.
Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, liderët e Kosovës në disa raste e kanë përsëritur se prioritet është siguria në vend dhe jo dialogu.