Arbëri

Dora e njeriut, aleat i përmbytjeve

Nga zonat malore ku burojnë përroskat, deri te lumenjtë që përshkojnë qytetet, zinxhiri i keqmenaxhimit të ujërave konsiderohet arsyeja kryesore e vërshimeve që janë shpeshtuar në Kosovë. Profesorët e fushës së ujërave vlerësojnë se ndërhyrjet e njerëzve, mungesa e planifikimit dhe trajtimi jo i mirë i sistemit nga burimi deri në shtratin lumor, kanë shtuar rrezikun për përmbytje

Ndonëse shiu pushoi të martën vonë në Drenas, niveli i ujit nuk ra në qendrën tregtare të përmbytur, që ndodhet në qytet. Deri pas mesnatës, pronarë të bizneseve larguan produktet me vlerë.

Një prej tyre, që foli në kushte anonimiteti, thotë se përmbytjet janë bërë më të shpeshta, prejse përballë është ndërtuar një kompleks privat në pronë komunale. Sipas tij, gjatë punimeve është mbyllur rrjeti i ujërave atmosferike.

“Prej 5-6 vjetësh, e edhe në fushatë, shqetësim kryesor e kemi shprehur mbylljen e kanalizimit. Nuk ka vepruar Komuna. Problemin e gjetën sot, pasi u bë gjithë ky dëm”, ka thënë ai.

Kompania e angazhuar të mërkurën konstatoi se rrjeti i ujërave ishte i bllokuar, meqë dalja e tij ishte betonuar te kompleksi i ri privat. Për pasojë, uji u akumulua në nivel shumë më të lartë te qendra tregtare.

Pasi është thyer betoni, kanalizimi u hap dhe uji nisi të rrjedhë drejt lumit.

Pasojat nga ndërtimet

Profesori i hidrologjisë dhe gjeografisë, Valbon Bytyqi, ka thënë se në gjendjen aktuale kanë ndikuar më së shumti ndërtimet dhe mungesa e veprimeve nga shteti. Sipas, tij, qytetarët nuk mund të ndërtojnë ku të duan.

“Një rol shumë të rëndësishëm kanë pasur edhe ndërtimet në Kosovë të cilat nuk janë të paraprira me plane të caktuara hapësinore. Pastaj me kufizim të zonave të ndërtimit dhe mënyra e ndërtimit të cilat e favorizojnë po ashtu praninë e vërshimeve, përkatësisht dëmet të cilat i kemi parë. Përderisa jemi bërë lajm kombëtar, sepse e pashë një lajm për Kosovën edhe në Australi, kjo tregon që ne nuk kemi arritur në këto vite të pasluftës të bëjmë plane konkrete për mënyrën se si të ballafaqohemi me rrezikshmëri të ndryshme natyrore, ku hyjnë edhe këto meteorologjike”, ka thënë ai.

Bytyqi ka insistuar se ka qenë e mundur të ketë menaxhim më të mirë.

“Konsideroj që po, por mos jemi vonë. Në shumicën e rasteve nga analizat e mia shoh që shumica e zonave të prekura, në hulumtimet e zonave të 80-a janë ato të cilat kanë qenë të njohura për vërshime dhe aty ka pasur plane për rregullimin e shtretërve dhe janë pikërisht ato zona të cilat dëshmojnë që kemi koncentrim më të madh të popullsisë në periudhën e pasluftës. Kjo nënkupton që banorët në mënyrë vullnetare i ekspozohen rrezikut. Dikush mund të mos e ketë ditur, por janë zona të njohura dhe pikërisht në ato zona janë bërë ndërtime”, ka thënë Bytyqi.

Nga mali te lumenjtë

E, Sokol Xhafa, profesor universitar në fushën e ujërave, thotë se menaxhimi dhe parandalimi i vërshimeve nis në zona të larta malore dhe përfundon në lumenj.
Xhafa jep disa rekomandime.

“Duhet të trajtohet pjesa e ekosistemit, duhet të trajtohet pjesa mjedisore ambientale fillimisht në këto zona, të rikthehet pyllëzimi aty ku ka mundësi, si gjithmonë”, thotë ai. “Të rishikohen planet urbane dhe hartat zonale, hartat e planifikimit zhvillimor urban të rishikohen me kujdes dhe të evidentohen zonat me potencial të madh për vërshime. Të rikthehen zonat e gjelbërimit në zonat e reja urbane”.

Sipas profesorit Xhafa, problem paraqet edhe trajtimi i ujërave në zonat urbane, pasi sipërfaqet e mbuluara me beton dhe asfalt nuk e lejojnë që toka ta thithë ujin, i cili më pas përfundon në kanalizime dhe e ngarkon rrjetin nëntokësor të kullimit. 

“Ka praktika të tilla ku jo i gjithë uji, shiu që bie drejtohet në kolektor, por ka sisteme të cilat ujin e shiut e akumulojnë dhe e infiltrojnë prapë në tokë”, thotë Xhafa. “Ka materiale betoni, kubëza që janë të përshkueshme nga uji, këto mundësojnë që shumica e reshjeve që vjen nga shiu të infiltrohet”.

Megjithatë, edhe ky trajtim i ujit nuk po konsiderohet adekuat nga profesori në degën e Hidroteknikës në Universitetin e Prishtinës, Lavdim Osmanaj. 

“Një problem jashtëzakonisht i madh është fakti se ujërat e ndotura (kanalizimet fekale) janë të kombinuara me ujërat e reshjeve (kanalizimet atmosferike), gjë që krijon probleme serioze gjatë reshjeve me intensitet të lartë. Sistemet e këtyre ujërave duhet të ndahen. Ujërat e shiut duhet të ruhen dhe, pas valëve vërshuese, të lirohen gradualisht ose të shfrytëzohen për qëllime të tjera, si ujitja, pastrimi i rrugëve etj.”, ka thënë Osmanaj.

E hallka e fundit e zgjidhjes së problemit, sipas profesorit Xhafa, lidhet me gjendjen e lumenjve dhe hapësirave mbrojtëse përreth tyre.

“Lumenjtë duhet të mirëmbahen dhe duhet të pastrohen rregullisht, përveç shtratit lumor, të jetë edhe hapësira e rezervuar për efekt të vërshimeve. Siç e ka Sitnica, në të dy krahët ka argjinaturat apo bankinat që njihen në popull, për t’u mbrojtur nga vërshimet. Ne duhet të kemi kujdes që ato të jenë të pastruara gjithmonë, të mirëmbajtura, të mos ndërtojmë brenda tyre, të mos ndërtojmë brenda zonës ku vërshohemi”, ka thënë ai.

Rreziqet në rritje

Në Kosovë, afro 50 për qind e territorit të Kosovës klasifikohet si zonë me rrezik të lartë ose shumë të lartë për rrëshqitje dheu pas vërshimeve, tregon drafti i Strategjisë së qeverisë për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike për periudhën 2026-2036.

Më të rrezikuara janë komunat perëndimore dhe jugore, ku rreth 1.3 për qind e popullsisë dhe 1.35 për qind e zonave të ndërtuara parashikohet të mbeten të ekspozuara nga ky rrezik deri në vitin 2030.

“Rreth 47.9 për qind e territorit të Kosovës klasifikohet si zonë me rrezik të lartë ose shumë të lartë për rrëshqitje dheu, sidomos në komunat perëndimore dhe jugore. Vlerësimet ekonomike tregojnë humbje mesatare vjetore nga përmbytjet rreth 58 milionë dollarë amerikanë, ndërsa projeksionet sinjalizojnë rritje të humbjeve nën të gjithë skenarët e ardhshëm klimatikë. Modelet makroekonomike sugjerojnë se, në mungesë të masave të adaptimit, rreziqet klimatike mund të ulin Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit deri në 5.1 për qind deri në vitin 2050. Këto ndikime burojnë kryesisht nga përmbytjet lumore, efektet e thatësirës në bujqësi dhe stresi termik mbi produktivitetin e punës”, shkruan në draft-strategji.

Problemi kryesor që përballet vendi është intensiteti dhe paqëndrueshmëria gjithnjë në rritje e rreziqeve klimatike që variojnë nga të nxehtit ekstrem dhe përmbytjet, deri te thatësirat, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e dheut. Siç shkruan në draft, këto i tejkalojnë kapacitetet ekzistuese të menaxhimit të rrezikut në Kosovë.

Komunat më të ekspozuara ndaj përmbytjeve të shpeshta konsiderohen Mitrovica, Vushtrria, Podujeva dhe pjesërisht Skenderaj. Po ashtu, rrezik i dukshëm është evidentuar në pellgun e Lepencit (Ferizaj dhe Lipjan), ku urbanizimi dhe aktivitetet industriale janë zhvilluar në afërsi të shtretërve të lumenjve.

“Ky zhvillim paraqet një kërcënim të konsiderueshëm për zhvillimin afatgjatë socio-ekonomik të vendit dhe aftësinë e tij për të mbrojtur komunitetet dhe infrastrukturën. Gjatë pesë dekadave të fundit, të dhënat klimatike tregojnë një trend të qëndrueshëm ngrohjeje prej rreth 1.2 °C, ku çdo dekadë e re është më e ngrohtë se e mëparshmja. Valët e të nxehtit janë bërë më të gjata dhe më intensive, me një numër gjithnjë e më të madh ditësh që tejkalojnë 35 °C, veçanërisht pas vitit 2000”, thotë dokumenti. 

Profesori Xhafa thotë se frekuenca e shtuar e vërshimeve është pasojë e një trendi global të ndryshimeve klimatike. 

“E para e punës janë ndryshimet klimatike që jemi dëshmitar që po i shohim. Do të thotë, ndryshimet e temperaturave ose kushtimisht shtyrja e stinëve kur vitet e kaluara në muajt dhjetor dhe janar kemi pasur reshje të dendura bore, sot kemi reshje shiu”, ka thënë ai.

E, në Draft-strategji thuhet se modelet e reshjeve janë bërë më të parregullta, të karakterizuara nga periudha të zgjatura thatësie gjatë verës dhe rritje të reshjeve të shkurtra me intensitet të lartë.

“Vlerësimet hidrologjike tregojnë se rreth 491 kilometra të lumenjve të Kosovës përballen me rrezik të shpeshtë përmbytjeje, ndërsa përmbytjet e mëdha kombëtare në vitet 2013, 2014 dhe 2016 kanë shkaktuar dëme që arrijnë miliona euro. Vetëm në janar 2023, përmbytjet e rënda në Skenderaj shkaktuan dëme të vlerësuara në rreth 12 milionë euro”, thuhet në dokument.

Apeli për reagim

Për t’i përballuar situatat e vërshimeve dhe përmbytjeve, profesori Bytyqi shtron nevojën për një numër veprimesh nga institucionet e nivelit lokal dhe atij qendror, pasi i kritikon ato për moskryerje të detyrave të shtëpisë.

Ai thotë se duhet imponuar kushte ndërtimi edhe për privatët, me qëllimin për të parandaluar dëmet.

“Përveç koncentrimit të një përqindjeje të madhe të qytetarëve për të banuar në afërsi të lumenjve, shoh edhe një dukuri që është ndoshta e trashëguar nga e kaluara por që shumë praktikohet; prania e mureve mbrojtëse përreth shtëpisë. Pra, mure prej betoni, blloku e të tjera të cilat konsideroj që vetëm e acarojnë edhe më shumë situatën hidrologjike. Ndoshta dikush mund ta shpëtojë oborrin e vet, por do ta dëmtojë fqinjin në cilëndo anë dhe rrjedhimisht pengon rrjedhën e natyrshme të ujit”, ka thënë Bytyqi. “Unë besoj se duhet pasur shumë më shumë kompetencë komuna në këtë rast që të paraqesë kushte, pavarësisht se është pronë private”.

Ai ka theksuar se pamjet e ditëve të fundit e kanë treguar edhe punën e inxhinierëve. 

“Në Kosovë inxhinierët në shumicën e rasteve nuk veprojnë sipas dijeve të tyre profesionale, por janë të ndikuara nga investitori dhe nuk bazohen në atë që njihet ‘zgjidhje e bazuar në natyrë’, në të cilën merren parasysh pjerrtësia e terrenit në mënyrë që uji të rrjedhë lirshëm, merret parasysh ndërtimi gjeologjik ose çfarë lloji i shkëmbit është në atë terren ku paraqiten vërshimet. Pastaj çfarë kushtesh klimatike ka në atë zonë”, ka thënë ai.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, në Kosovë përmbytjet prekin mesatarisht rreth 10 mijë persona çdo vit.