Rama s’merr pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”

1 o. më parë / 17 shk 2026 08:19
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se nuk do të mund të marrë pjesë në marshin “Drejtësi, jo Politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë .

Në një postim në rrjetin social Facebook ai ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrje, derisa ish-drejtuesve të shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që po mbahen në Hagë,  iu është referuar si “pengjet e UÇK-së”.

“I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, ka shkruar Rama, në postimin në të cilin ka bashkëngjitur edhe disa fotografi nga vizita të cilën e zhvilloi të hënën në Kosovë. 

Gucati bën thirrje për pjesëmarrje në protestë: S’po gjykohen individët por UÇK-ja

1 o. më parë / 17 shk 2026 08:08
Hysni Gucati

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se sot është ditë gëzimi por ka shtuar se është gjithashtu emocionuese për shkak të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Ai në një lidhje direkte në KTV ka thënë se shokët e tyre janë prapa grilave. Ka deklaruar se nuk po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasnqi e Rexhep Selimi, por po gjykohet Ushtria Çlirimtare të Kosovës.

Ka kërkuar që institucionet e shtetit të ngrehin zërin më shumë kundër kësaj gjykate.

Nga protesta ka thënë se imazhi ndërkombëtar i Kosovës dhe kërkesa për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së do të forcohet.

“Sot nuk po ndihem mirë për shkak se i kemi shokët tonë prapa grilave. Ata luftuan shumë, udhëhoqën Rambujenë, shpallen Pavarësinë dhe sot gjenden prapa grilave. Është duke u bërë një proces për pesë vjet, proces që nuk ka ndodhur në historinë botërore që të zgjasë kaq shumë. E di që kjo datë është e shenjtë për gjithë shqiptarët, por pikërisht sot do të protestojmë, ta ngrehim zërin kundër padrejtësive. Protagonistët kryesorë që ishin në luftë dhe në shtetin e lirë, sot nuk janë me neve”, ka thënë ai.

VIDEO:

Gucati ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në protestën paqësore në Prishtinë.

Ai ka thënë se të gjithë duhet të ngrehin zërin, duke shtuar se kërkesa e Prokurorisë për 180 vjet burgim për të katër figurat e UÇK-së është e papranueshme.

“Aty vetëm serbisht nuk flitet. Kjo gjykatë i ka kënaqë vetëm epshet e Serbisë dhe të disa shqiptarëve shqipfolës që mendojnë që Serbia do të kthehet në Kosovë. Serbia është larguar nga Kosova dhe nuk do të ketë këmbë të ushtrisë serbe por vetëm të ushtrisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se Serbia është e vetmja që ka kryer krime në Kosovë.

Ai ka deklaruar se nga Gjykata Speciale kërkojnë drejtësi dhe barazi.

Sipas tij, kjo gjykatë i ka amnistuar serbët, kurse shqiptarët po mundohet t’i dënojë.

Duke folur për organizimin e protestës, ai ka thënë se kanë dalë të gjitha oraret për autobusët që do të vijnë në Prishtinë për  të protestuar nga të gjitha qytetet e Kosovës. Ka shtuar se edhe studentët nga Tirana do të vijnë në mënyrë të organizuar.

Sot në Prishtinë marshohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

1 o. më parë / 17 shk 2026 08:04
Thaçi dhe të tjerët

Foto: Arkiv

Me moton “Drejtësi, jo politikë”, sot në Prishtinë në sheshin “Skënderbeu” mbahet marshi në mbështetje udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Në mbështetje të marshit të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, që është paraparë të nisë në orën 14:00, kanë dalë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryetarët e shumë komunave e shumë personalitete të tjera në vend. 

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive. 

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Ish-drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim të luftonte Serbinë e jo civilët.

Në fjalën përfundimtare kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin të akuzuar.