Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari John Duncan tha se ka një pikëpyetje se pse nuk ka dëgjuar asnjëherë për Shtabin e Përgjithshëm ndonëse përmendet në aktakuzë dhe e dinë se si organ është krijuar nga viti 1994.
“Për mua tani kam një pikëpyetje e cila është se pse nuk kemi dëgjuar asnjëherë për Shtabin e Përgjithshëm ne me përjashtim të rasteve të deklaratave duke përdorur fjalët propagandiste. Ne kishim propozimin për këtë marrëveshje dhe nënshkrimet e para dhe atje gjenerali Çeku nuk e ka përdorur këtë titull. Unë jam në dijeni të faktit që ka ekzistuar një organ Shtab i Përgjithshëm që është në aktakuzë dhe më duket se është krijuar më 1994. Tani pikëpyetja për mua është kjo; Çfarë funksioni ka pasur ky organ gjatë konfliktit, dhe pse asnjëherë nuk e na e kanë përmendur dhe as nuk kemi parë asnjë provë të paktën sa kam parë unë që të ketë ekzistuar ky organ-ky Shtabi i Përgjithshëm”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kjo do të ishte pyetja ime e radhës për ju. A keni parë ndonjëherë ndonjë dokumentacion të Shtabit të Përgjithshëm..”, tha gjyqtari Guénaël Mettraux.
Por, dëshmitari mohoi të ketë dijeni për këtë gjë.
“Jo me sa kam dijeni. Nuk kam dijeni për diçka të tillë. Por, ajo që kemi parë ne, ka qenë roli i komandantëve të zonave, roli i Çekut dhe struktura ushtarake siç ai na e ka përshkruar dhe na kanë thënë që jam komandat i kësaj strukture. Ka qenë titull tjetër pra. Tani për mua nuk është e qartë kjo që po shoh dhe as gjatë asaj kohe”, tha Duncan.
Gjyqtari Mettraux i tha dëshmitarit se nuk po e qorton dhe vazhdoi me pyetjen se a e dinte se kur Çeku ishte bërë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se si rregull duhej ta dinte por që nuk e di as datën.
Deklarata e dëshmitarit erdhi pasi iu prezantua një dokument për të cilin dëshmitari tha se nuk e ka parë asnjëherë.
Dëshmitari Duncan pohoi se duket si një dokument që flet për aspekte ushtarake dhe operative që lidhen me luftën. Dokumenti i njëjtë ishte i nënshkruar nga Agim Çeku në cilësinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Duncan tha se e kanë kuptuar që pushtetin e kishin komandantët e zonave dhe Agim Çeku. Ndërsa, sipas tij nëse do të ishte një organ i quajtur Shtab i Përgjithshëm funksional, atëherë do iu drejtoheshin atij.
“Nuk e bëmë se siç thash ne nuk e pamë këtë Shtab të Përgjithshëm. Nuk kemi parë asnjë provë të ekzistencës së Shtabit të Përgjithshëm. E di që ishte krijuar diçka në të shkuarën, kishte disa deklarata publike dhe arsyeja se pse unë shkova në Tiranë dhe nuk shkova në Lubljanë ishte se na u ishte thënë se personat që duhej të komunikonim dhe bashkëpunonim ndër të tjerët ishte edhe gjeneral Çeku i cili tha se personat që duhet të kemi në palët tonë duhet të ishin komandantët e zonave”, tha dëshmitari.
Pas kësaj, për të diskutuar për disa çështje konfidenciale, seanca kaloi në sesion privat për publikun. Si rrjedhojë, kur u hap seanca, gjyqtari Mettraux kishte përfunduar pyetjet dhe me pyetje vazhdoi gjyqtari Fergal Gaynor.
