Në emisionin “Konfront” në KTV, profesorët universitarë Florin Aliu dhe Shkumbin Misini kanë diskutuar mbi pagën minimale, çmimet, inflacionin dhe funksionimin e institucioneve ekonomike në vend, duke dhënë qëndrime të ndryshme për sfidat aktuale ekonomike në Kosovë.
Profesori Florin Aliu, ligjërues në një universitet në Çeki, ka vlerësuar se propozimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro është i qëlluar dhe nuk duhet parë si rrezik për rritje të papunësisë. Ai ka theksuar se paga minimale ndikon pozitivisht në motivimin për punë dhe ushtron presion për rritjen e pagave të tjera. Sipas tij, edhe opozita duhet ta mbështesë një rritje të tillë.
Aliu ka folur edhe për çmimet e larta në vend, duke theksuar se shumë produkte kanë pësuar rritje deri në 300 për qind, ndërsa inflacioni 12 për qind përfaqëson vetëm mesataren vjetore. Megjithatë ai ka thënë se përgjegjësia nuk mund t’i lihet vetëm qeverisë aktuale, pasi rritja e çmimeve lidhet kryesisht me pandeminë dhe luftën Rusi–Ukrainë, prej nga Kosova importon sasi të mëdha drithërash dhe vajit të lulediellit.
Në anën tjetër, profesori Shkumbin Misini ka ngritur akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Autoritetit të Konkurrencës, duke e quajtur “inekzistent”. Ai ka theksuar dallimet e mëdha të çmimeve të naftës ndërmjet qyteteve, veçanërisht mes Gjilanit dhe Prishtinës.
“Kemi një Autoritet të Konkurrencës që është inekzistent. Në Gjilan lëviz shumë çmimi i naftës në raport me Prishtinën. Nuk e di a ekziston ky institucion. Ai duhet t’i analizojë këto diferencime të çmimeve”, ka deklaruar Misini.
Ai ka vlerësuar se me politikat aktuale nuk do të ketë ulje të çmimeve dhe se mungesa e një plani afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë nga qeveria rrezikon rritje të mëtejshme të kostos së jetesës.
Misini ka shpjeguar se produktet vendore shpesh dalin më të shtrenjta sesa ato të importuara për shkak të tregut të kufizuar, i cili ua pamundëson prodhuesve vendorë rritjen e kapaciteteve dhe uljen e kostove. Ai ka përmendur se shtetet e rajonit ofrojnë subvencione shumë më të mëdha për bujqësinë dhe prodhimin, duke ndikuar kështu në uljen e çmimeve.
Ai ka kritikuar edhe politikat ekonomike të Kosovës gjatë viteve, të cilat, sipas tij, janë fokusuar kryesisht te mbushja e buxhetit përmes Doganës dhe jo te zhvillimi afatgjatë.
Aliu: S’e kuptoj kundërshtinë për rritjen e pagës minimale në 500 euro
Profesori universitar në Çeki, Florin Aliu e vlerëson si propozim të duhur rritjen e pagës minimale në 500 euro. Ai në emisionin “Konfront” në KTV, theksoi se nuk pajtohet me deklaratat që paga minimale prej 500 eurosh do e rriste papunësinë.
Sipas tij, kjo i bën presion edhe pagave të tjera për t’u rritur dhe kërkoi që edhe opozita ta mbështesë një gjë të tillë.
“Pse paga minimale prej 500 eurosh do ta rriste papunësinë? Në Shqipëri, në muajin janar, veç shkonte në 560 euro paga minimale. Kjo e rritë motivimin për punë sepse fundja edhe zhvillimi ekonomik vije nga motivimi për punë e profesionalizimi. Të gjitha lidhen me pagën. Përgjegjësia për punë, profesionalizmi. Në momentin që paga është e ulët ti nuk më motivim të punosh. Nuk e kuptoj pse është kundërshtuar propozimi për këtë rritje të pagës minimale. Kjo i bën presion edhe pagave të tjera. Këto janë disa reforma që do duhej të merreshin. Edhe opozita duhet ta mbështesë këtë. Kjo ka nxitur edhe largimin nga Kosova. Njerëzit nga Kosova kanë ikur për pagë më të lartë”, deklaroi Aliu në emisionin “Konfront” në KTV.
Në mbledhjen e qeverisë në detyrë që u mbajt në fund të muajit tetor, u vendos që të rritet paga minimale, nga 350 euro sa është tani, në 425 nga janar e në 500 euro nga muaji korrik.
Qeveria në detyrë miratoi e më pas procedoi në Kuvend, Projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, e i cili parasheh edhe pagën e 13 për të punësuarit publikë, rritjen e pensionit minimal dhe shtesat për fëmijë.
Vlera e buxhetit që e miratoi Qeveria në detyrë, ishte 4 miliardë euro.
Megjithatë ky buxhet, nuk u votua në Kuvendin e Kosovës.
Misini: Autoriteti i Konkurrencës inekzistent, çmimet e naftës në Gjilan e Prishtinë kanë dallim të madh
Profesori Shkumbin Misini e ka akuzuar Autoritetin e Konkurrencës për mospunë, duke thënë se është “inekzistent”.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Misini ka thënë se çmimet për litër të naftës në Gjilan dallojnë dukshëm me ato në Prishtinë.
“Kemi një Autoritet të Konkurrencës që është inekzistent. Po ta shikojmë çmimin e naftës, në Gjilan lëviz shumë çmimi i naftës në raport me atë në pompat e benzinës në Prishtinë. Unë nuk e di a ekziston ky Autoritet i Konkurrencës. Ai duhet ta shikojë këtë diferencimin e çmimeve. Ferizaj e Gjilani janë me një standard pothuajse të njëjtë, pse duhet pasur ndryshim në çmimin e litrës së naftës”, ka thënë ai.
Ai tutje ka vlerësuar se nuk do të ketë ulje të çmimeve nëse vazhdohet të ndiqen politikat e tanishme nga pushteti.
“A do të ketë ulje të çmimeve, nëse i kemi këto politika që po i ndjek kryeministri aktual pa ndonjë plan afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë, do të kemi përsëri rritje të kostos së jetesës”, ka theksuar ai.
Aliu: Rritje çmimesh deri në 300% në disa produkte, s’e ka fajin vetëm qeveria
Njohësi financiar, njëkohësisht edhe profesor në Universitetin e Çekisë, Florin Aliu, thotë se çmimet janë shumë të larta në Kosovë dhe shumë produkte kanë pasur rritje edhe 300% të çmimit.
Megjithatë Aliu thotë se për këtë nuk mund t’i vihet faji qeverisë aktuale dhe sipas tij burimi kryesor për rritjen e çmimeve dhe krizës ekonomike është lufta Ukrainë-Rusi.
“Çmimet janë shumë të larta. Inflacioni që ishte 12% është mesatarja e rritjes. Një produkt që ka kushtuar 1 euro, sot kushton 4 euro, pra shumë produkte kanë pasur ngritje të çmimit për 300% dhe nuk duhet të harrojmë që jemi vendi më i varfër në Evropë. Faji nuk mund t’i atribuohet vetëm qeverisë aktuale sepse e kemi pasur fillimisht situatën me pandeminë e pastaj edhe luftën Rusi-Ukrainë. Nga ato vende kemi importin kryesorë me drithëra dhe vaj luledielli. Rusia është nën sanksione e Ukraina nuk mund t’i shfrytëzojë të gjitha portet. Burimi kryesor i rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike është lufta Rusi-Ukrainë”, deklaroi Aliu.
Tutje sipas Aliut, nuk ka mekanizëm për kontrollimin e çmimeve dhe numri i vogël i inspektorëve pothuajse e pamundëson një gjë të tillë.
Ndërsa, sipas tij, nuk ka rënie të inflacionit por vetëm të tempos së rritjes së çmimeve.
Misini: Vendet e Ballkanit investojnë në bujqësi, Kosova fokus mbushjen e buxhetit
Profesori Shkumbin Misini ka shpjeguar arsyet kryesore pse produktet e prodhuara në Kosovë shpesh dalin më të shtrenjta sesa ato të importuara.
Sipas tij, një faktor vendimtar është tregu i kufizuar, i cili ua pamundëson kompanive vendore që të rrisin prodhimin dhe të ulin kostot.
“Del më shtrenjtë sepse kompanitë prodhuese që e kanë tregun në Kosovë, e kanë një treg shumë të kufizuar,” ka thënë Misini në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Ai shtoi se vendet e zhvilluara apo edhe disa shtete të Ballkanit Perëndimor sigurojnë shumë më tepër subvencione për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e çmimeve.
Si shembull, Misini përmendi subvencionimin e karburantit për bujqit në rajon.
“Te ne çmimin e naftës e merr sikurse ai që shëtit me veturë, sikurse ai që shkon me traktor dhe e lëvron tokën. Ndërsa në disa vende të Ballkanit Perëndimor taksën e kanë 0 për shfrytëzimin e karburantit për përpunimin e tokës”, ka theksuar ai.
Sipas tij, vendet e zhvilluara investojnë më së shumti në bujqësi, duke e parë këtë sektor si themelor për ekonominë dhe sigurinë ushqimore.
Misini ka theksuar edhe dallimet në qasjen e Shqipërisë, e cila po ndërmerr reforma të thella si rezultat i rekomandimeve të Bashkimit Evropian.
Ai tutje ka kritikuar politikat shtetërore të Kosovës, të cilat sipas tij, kanë qenë kryesisht të orientuara te mbushja e buxhetit, jo te zhvillimi afatgjatë.
“Politikat shtetërore të Kosovës kanë qenë me qëllim kryesor mbushjen e buxhetit. Mbi 70 për qind e buxhetit mbushet nga Dogana. Ne jetojmë sot për nesër, nuk planifikojmë për pasnesër. Pra, inflacionin kohët e fundit e ka prodhuar vetë Qeveria”, është shprehur ai.