Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Elezi: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional

Valmir Elezi

Partitë politike duhet që të martën ti dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

E KQZ-ja  ka paralajmëruar se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshktrohen procesit të verifikimit institucional.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përmes këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kontrollojë nëse kandidatët për deputetë i përmbushin kriteret ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 30 të tij.

“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse ai apo ajo është: funksionar me status të veçantë në bazë të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë, është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale e nëse ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja.

Procesi i verifikimit të kandidatëve pritet të zgjasë disa ditë.

“Në mesin e institucioneve nga të cilat KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëve, është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv, andaj për zbatimin e këtij kriteri ligjor, KQZ-ja do të kërkojë nga KGjK-ja verifikimin e listës së kandidatëve për të konstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim”, tha Elezi.

LVV-ja më 8 maj njoftoi se edhe në këto zgjedhje do të garojë së bashku me partinë Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, me të cilat garoi edhe në zgjedhjet e fundit.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti si aderim të ri e ka prezantuar Krenare Çerkinin, e cila do të jetë pjesë e listës për deputete e po ashtu edhe Adelina Tërshanin. 

Partia Demokratike e Kosovës refuzoi rikthimin e Fatmir Limajt në parti, por gjatë kësaj kohë ka prezantuar disa aderime.

Kryetari, Bedri Hamza të martën ka njoftuar se kolonel Skender Hoxha i është bashkuar PDK-së dhe do të jetë kandidat për deputet.

Në listën e PDK-së do të jetë edhe ish-deputetja e VV-së, Aida Dërguti.

Në listë të kësaj partie si emra të rinjë do të jenë edhe Naim Telaku, Shemsi Jashari e Miftar Kurti.

E listës së LDK-së, do t'i prijë ish-presidentja, Vjosa Osmani.

Kjo parti ka njoftuar se edhe për këto zgjedhje ka nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me Partinë e Drejtësisë dhe Ballin Kombëtar.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari Lumir Abdixhiku duke u bërë të ditur nga LDK-ja se Partia e Drejtësisë do të garojë në listë me Ferid Aganin, ndërkaq Balli Kombëtar me Alban Hotin.
Në listën e LDK-së për deputete do të jenë:  Jeta Statovcit e Albena Reshitaj, ish-deputete të grupit parlametar të LVV-së.

Në listë do të jenë edhe Bardhyl Hasanpapaj, Visar Xani, Besim Kodra, Brikena Muharremi, Kreshnik Çollaku e Lulzim Zeneli.

E pasi u raportua se Abdixhiku e la jashtë 10-së së parë ish-kryeministri Avdulla Hoti ka shkruar në rrjetet sociale se numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lëvizja kryesore në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili do të jetë bartës i listës zgjedhore të kësaj partie dhe kandidat për kryeministër.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë disa njoftime për afrime të reja siç janë:  Agron Kajtazi, Bajram Mulaj e Avni Arifi.

Risi në këto zgjedhje është vendimi i Partisë Socialdemokrate për të marrë pjesë në to.

Kryetari Dardan Molliqaj ka thënë se PSD po garon që vendit “t’i sigurojë opozitë”.

Emër i ri i kësaj partie është  Florin Krasniqi, një nga ish aktivistët e vjetër dhe shumë të rëndësishëm të LVV-së.