Emri i kryenegociatorit që do ta përfaqësojë shtetin në negociatat me Serbinë nuk do të bëhet i ditur para se të formohet kabineti i ri qeveritar, kanë thënë në ekzekutiv. E, njohës të procesit të dialogut theksojnë se pesha e procesit kërkon figurë me legjitimitet të fortë institucional.
Funksioni i kryenegociatorit në dialogun me Serbinë nuk i është përshkruar asnjërit prej të propozuarve si udhëheqës dikasteresh qeveritare, që u prezantuan në legjislaturën e shkuar nga Vetëvendosja në dy tentimet e dështuara për ta bërë qeverinë.
Gjatë qeverisë Kurti II, këtë përgjegjësi e ka ushtruar zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.
Por, emri i Bislimit dhe as pozita e tij nuk ka figuruar në përbërjen e kabinetit qeveritar që e propozoi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndërkaq në atë të prezantuar nga nënkryetari Glauk Konjufca, ai u propozua si ministër i Infrastrukturës.
Drejtoresha e Grupit për Studime Politike dhe Juridike, Njomza Arifi, vlerëson se përfaqësimi i Kosovës në dialog duhet të bëhet nga zëvendëskryeministri.
“Ajo çfarë duhet qeveria të bëjë është që në emërim të kryenegociatorit të jetë një figurë kredibile, një figurë e cila mund të bart procese të tilla komplekse dhe që gëzon një lloj autoriteti, le të themi edhe publik, por edhe brenda qeverisë, që të bart procese siç janë proceset e implementimit të marrëveshjeve të dialogut, por kjo mbetet të shihet në të ardhmen”, ka thënë ajo.
Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, nuk ka treguar se cila prej dikastereve do të ketë në domenin e saj edhe dialogun dhe nëse do të ketë ndryshime në lidhje me përfaqësimin e shtetit në negociatat me Serbinë.
“Këto dy çështje do të bëhen të ditura me formimin e qeverisë së re dhe ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive në kuadër të kabinetit të Kurtit III”, ka deklaruar ai.
Kryeziu ka vlerësuar se në mandatin e Qeverisë Kurti II, arritjet në dialog kanë qenë të mëdha.
“Ne tashmë kemi Marrëveshjen Bazike të Brukselit dhe Aneksin e Ohrin për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, të cilat më së paku kanë njohjen de fakto reciproke dhe trasojnë shtegun drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i tyre prodhon rezultate të qëndrueshme nga procesi i dialogut”, ka thënë Kryeziu.
Dy ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se në kabinetin qeverisës “Kurti III” do të ketë ndryshime, nga propozimet që janë dhënë në fund të vitit të shkuar. Pa dhënë hollësi, ai ka thënë se ministra do të jenë shumë prej emrave të prezantuar, porse do të ketë edhe emra të tjerë.