Arbëri

Ena Krasniqi nuk mund të kandidojë në listën e Koalicionit Vakat, vendos Supremja

ena

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik, Koalicioni Vakat, ndërsa e ka vërtetuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me certifikimin e kandidates Ena Krasniqi.

Koalicioni Vakat, kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke kërkuar që ta detyronte KQZ-në që ta certifikonte Krasniqin në listën garuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit. 

KQZ-ja më 10 dhjetor e pati refuzuar certifikimin e saj për shkak se nuk ishte e qartë etnia e saj.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, pretendimi se një kandidat për deputet mund të kandidojë për përfaqësim të një komuniteti për të cilin Kushtetuta dhe Ligji parashohin vende të garantuara, vetëm mbi bazën e origjinës etnike nga ana e nënës, nuk është në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.

“Lejimi i kandidimit për vende të garantuara vetëm mbi bazën e prejardhjes familjare do të binte ndesh si me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ashtu edhe me standardet e Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare e Këshillit të Evropës, pasi do të rrezikonte keqpërdorimin e masave afirmative dhe do të cenonte përfaqësimin autentik të komuniteteve jo-shumicë. Një praktikë e tillë do të krijonte precedent të rrezikshëm, duke e shndërruar përkatësinë etnike në mjet të përkohshëm politik, në vend që ta trajtonte si kategori kushtetuese të mbrojtur dhe të lidhur me identitetin real të komuniteteve”, thuhet në vendimin e Supremes. 

Supremja ka thënë tutje se Krasniqi nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që do të dëshmonte lidhjen e saj reale me atë komunitet apo kontributin për të mirën e tij. 

“Në mungesë të çdo dëshmie për angazhim të vazhdueshëm shoqëror, kulturor, politik apo institucional në mbrojtje dhe avancim të interesave të atij komuniteti, pretendimi për përfaqësim mbetet thjesht deklarativ dhe pa bazë faktike”, thuhet në të.

Supremja ka theksuar se moslejimi i certifikimit në rastin konkret nuk e privon kandidatin nga e drejta për t’u zgjedhur në kuptimin e përgjithshëm të nenit 45, pasi atij nuk i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje si e tillë, por vetëm i pamundësohet kandidimi në kuadër të një mekanizmi të veçantë kushtetues që është i rezervuar për një kategori të caktuar subjektesh, përkatësisht për anëtarët e komunitetit përkatës.