Komunat e përfshira nga vërshimet e këtij muaji, ende nuk e kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve. Sipas zyrtarëve lokalë, procesi pritet të përmbyllet në fund të janarit. Tek u janë referuar të dhënave të deritashme, theksuan se kërkesat më të mëdha janë për kompensim të dëmeve në ekonomi familjare
Në fund të janarit pritet që të gjitha komunat e prekura nga vërshimet e shkaktuara nga reshjet e shiut në fillim të muajit, të përfundojnë procesin e vlerësimit të dëmeve.
Deri tani dëmet më të mëdha janë evidentuar në ekonomitë familjare, pasuar nga ato në biznese dhe në infrastrukturë.
Në Komunën e Klinës, deri më tani janë pranuar 220 kërkesa nga qytetarët për vlerësimin e dëmeve të pësuara nga përmbytjet.
“Ekonomitë familjare përbëjnë numrin më të madh të kërkesave për vlerësim. Bizneset edhe pse me numër më të vogël kërkesash, vlera financiare e dëmit është dukshëm më e lartë për shkak të shkallës së përmbytjeve. Në infrastrukturë janë konstatuar dëme serioze në shtratin e lumit, erozion të dheut, si dhe dëmtime të rrugëve me zhavorr dhe asfalt”, ka thënë Shendrit Gashi, koordinator i Komisionit për vlerësim të dëmeve në Komunën e Klinës.
Dëme të mëdha ka pësuar edhe infrastruktura në Komunën e Malishevës. Sipas autoriteteve, tri ura duhen ndërtuar nga e para.
“Shifra duhet të jetë shumë e madhe sepse u janë dëmtuar shumë pajisje qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre. Po ashtu edhe në biznese dëmi është i konsiderueshëm, por ashtu siç e thashë, dëmi shumë i madh është në infrastrukturë, përkatësisht në digë të liqenit në Mirushë, pastaj janë tri ura që janë të dëmtuara e që donë që komplet ndërtimi i ri të bëhet, por edhe nëpër rrugë ka dëmtime të mëdha”, ka treguar Artan Paçarizi, zëdhënës i Komunës së Malishevës.
Deri tani, në Komunën e Rahovecit janë paraqitur 420 kërkesa të qytetarëve për vlerësimin e dëmeve.
Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në bujqësi.
“Ka dëme më së shumti në amvisëri, ka edhe në ekonomi familjare, ka edhe në infrastrukturë publike. Ka dëme edhe në bujqësi, megjithëse jemi herët tash por ka në klasa si gruri, pastaj sallatat, dëmet që janë bërë në serra, dëme që janë bërë edhe në disa kultura që kultivohen gjatë sezonit të dimrit te ne”, ka thënë Latifi.
E, në nivelin qendror theksuan se ende nuk mund të nxirren konkluzione përfundimtare, pasi procesi i vlerësimit të dëmeve nuk është finalizuar.
“Procesi i vlerësimit të dëmeve është ende në vazhdim dhe, për këtë arsye, nuk mund të nxirren ende konkluzione për nivelin e dëmeve apo të përcaktohet se cila komunë apo zonë është më e dëmtuar. Bashkëpunimi me komunat do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të procesit”, ka theksuar Kastriot Lajçi, kryesues i Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore.
Reshjet e dendura të shiut më 7 dhe 8 janar përfshinë Gjakovën, Malishevën, Rahovecin, Drenasin, Skenderajn, Klinën, Hasin e Prizrenit, Fushë-Kosovën dhe Mitrovicën e Jugut, si dhe komunat në veri të vendit.