Endriti zgjohet para diellit. Edhe para ziles së alarmit. Megjithatë, përnatë e kurdis celularin në gjashtë e një çerek. Rrallëherë i bie t’ia dëgjojë zilen.
“Më është mësuar gjumi qe katër vjet, saqë në raste të rralla më bie të çohem me alarm”, thekson Endriti. Qeshet. Ka nja pesëdhjetë minuta qëkur drita ia ka marrë anën territ.
Endriti ka ngrënë mëngjes, ua ka hedhur edhe një sy detyrave të shtëpisë dhe ia ka dhënë një rend leximi mësimeve të fundit para se të shtrëngonte fort këpucët deri mbi zog të këmbës. E pret rrugë e gjatë. Para derës metalike të oborrit, me dorën e djathtë hedh kapelën. Po fryn. Ora digjitale në celularin e tij: 07:02. Më vonë do të tregojë pse vetëm atij i lejohet celulari në shkollë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kaltërsinë e qiellit e prishin re të bardha të shpërndara. Duken më afër tokës në rrafshnaltën e fshatit të Endrit Salihut. Dy qen gërryejnë me thundrat e para rrugën, shtruar së voni me zhavorr. I treti është mbështetur në këmbët e pasme maje stomit të kuq në anën e majtë të rrugës. Sikur po bën roje.
Endritit, me çantën hedhur krahëve dhe duart në xhepa, nuk i bën syri vër prej qenve endacakë, që disa minuta më parë i lehën turrshëm ekipit të gazetës. U ndalën vetëm kur panë rioshin që doli nga oborri. Është mësuar me ta. Është udhëtari i vetëm që rrah rrugën që zgjatet ndanë varreve të fshatit Fushë e Madhe.
Përballë është një shtëpi dykatëshe me qerpiç. Pa dyer e pa dritare. E braktisur. Mezi po mbahet. Të tjerat, nëpër lugaja e rrafshina, janë shembur. Fusha e Madhe ka vetëm dy shtëpi të banueshme. Njëra, e Endritit. Endriti, nxënësi i vetëm.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)