Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke e hetuar vdekjen e një burri në Lipjan, i cili paraprakisht është arrestuar me dyshimet se në gjendje të dehur ka sulmuar automjete e kalimtarë. Familja e ka akuzuar policinë për dhunë gjatë arrestimit, e Inspektorati i Policisë e ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve të saj

27-vjeçari, Agon Zejnullahu, ka vdekur në orët e para të së hënës, pak pasi është arrestuar nga policia në Lipjan, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë.

Rasti, sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka ndodhur në rrugën “Haradin Bajrami” në orën e parë të së hënës.

“Sot (e hënë), rreth orës 00:15, Policia e ka pranuar informacionin se një person që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për ta vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili ia ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, ka thënë Borovci.

Në polici kanë thënë se lidhur me rastin, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërkohë, në një njoftim të Inspektoratit Policor për këtë ngjarje, është bërë e ditur se është rekomanduar suspendimi i pesë zyrtarë policorë, përfshirë i një rreshteri.

“Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk e paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale. IPK-ja, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, është duke e bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor”, thuhet në njoftim.

Sipas IKP-së, në kuadër të veprimeve hetimore do të përfshihen edhe identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë të këtij rasti.

“Ka filluar mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil. Që të gjitha këto video materiale do të jenë pjesë e ekzaminimeve të detajuara që pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të këtij incidenti, por edhe mënyrës së reagimit policor”, thuhet në njoftim.

E, Alban Zejnullahu, vëllai i të ndjerit ka thënë se Agoni vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit.

“Ne nuk na ka njoftuar kurrgjë, na e kanë ndërruar dy-tri herë, jo kështu ka vdekur, jo kështu. Pasi i kemi parë videot, e kemi vërejtur që rasti ka qenë krejt ndryshe. Nga dhuna e tepruar e policëve, ka ardhur deri te vdekja edhe në bazë të videos siç duket”, ka thënë ai.  

Zejnullahu ka akuzuar se policia nuk ia ka dhënë informatat e plota as të mjekes, e cila e ka konstatuar vdekjen e vëllait të tij.

“Është edhe një deklaratë e mjekes që ka dalë në vend të ngjarjes. Që e kanë konstatuar për një rrahje prej disa personave policia, por nuk i kanë treguar që këta kanë përdorur dhunë, kur ka shkuar, e ka gjetur pa shenja jete”, është shprehur Zejnullahu.

Zejnullahu ka thënë se rastin do ta ndjekin deri në fund dhe se familja e ka angazhuar një avokat për këtë çështje.

48 orë paraburgim pesë zyrtarëve policorë për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan

3 o. më parë / 7 kor 2025 21:48
Arrestimi i nje personi

Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se u është caktuar masa e paraburgimit pesë zyrtarëve policorë në lidhje me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.

Në një komunikatë IPK-ja ka thënë se hetuesit e saj në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me vdekjen e një qytetari në Lipjan dhe reagimit të zyrtarëve policorë në këtë incident .

“Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë  janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë). Pas intervstimit të tyre dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar sot pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të hetimit, IPK-ja ka njoftuar se pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.

 

 

Arrestohen pesë policë për “vrasje nga pakujdesia” në rastin e 27-vjeçarit në Lipjan

4 o. më parë / 7 kor 2025 20:55
arrestim

Për veprën “vrasje nga pakujdesia” janë ndaluar pesë zyrtarët policorë që morën pjesë në arrestimin e 27-vjeçarit në Lipjan i cili më pas vdiq. Këtë e ka konfirmuar për Kohën, kryeprokurori Zejnullah Gashi.

Për të njëjtit, Inspektorati Policor ka kërkuar më herët suspendim, duke thënë se janë po intervistohen dëshmitarë, si dhe ka filluar mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil.

Bëhet fjalë për katër policë dhe një rreshter.

27-vjeçari, Agon Zejnullahu, ka vdekur në orët e para të së hënës, pak pasi është arrestuar nga policia në Lipjan, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë.

E, Alban Zejnullahu, vëllai i të ndjerit ka thënë se Agoni vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit.

“Ne nuk na ka njoftuar kurrgjë, na e kanë ndërruar dy-tri herë, jo kështu ka vdekur, jo kështu. Pasi i kemi parë videot, e kemi vërejtur që rasti ka qenë krejt ndryshe. Nga dhuna e tepruar e policëve, ka ardhur deri te vdekja edhe në bazë të videos siç duket”, ka thënë ai.